Moti nuk mbahet mend që Pallati i Sporteve Shani Nushi të jetë i stërmbushur me tifozeri dhe me një atmosferë kaq atraktive siç ishte të shtunën në mbrëmje kur u takuan basketbollistët e Vëllaznimit dhe ata të Trepçës nga Mitrovica. Por kjo atmosferë sportive nuk mjaftoi për basketbollistët kuq e zi të arrijnë fitore. Në fakt, pas gjashtë fitoreve radhazi, Vëllaznimi ka pësuar humbje, duke u mundur në Gjakovë nga Trepça me shifrat 82:89 (21:28, 21:28, 16:20, 24:13). Sonte iu “dridh dora” dy basketbollistëve më cilësor të Vëllaznimit, që shpesh, në ndeshjet e kaluara, kanë vendosur për fitore, Samuel Sessoms dhe Jalen Ray. Ata “nuk e kishin ditën e tyre”!
Edhe periudhën e tretë e kontrolluan mysafirët, ndërsa në dhjetë minutat e fundit, vendasit tentuan të rikthehen, por nuk arritën qëllimit, ku vetëm ngushtuan shifrat, derisa Trepça triumfoi në fund 82:89.
Më i dalluari te vendasit ishte Samuel Sessoms me 20 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime. Kuqezinjtë kanë gjashtë fitore e pesë humbje.
Në fund të takimit të dyja skuadrat morën duartrokitjet e publikut gjakovar i cili para ndeshjes bashkë me këngëtarin e shquar Ilir Shaqiri, kënduan këngën himn të Gjakovës, Yjet e Gjakovës.