Site icon Gjakovapress

Basketbollistët e Vëllaznimit e mposhtin keq liderin-KB Peja 85;62

KB Vëllaznimi “ po i tregon dhëmbët” në elitën e basketbollit të Kosovës. Pasi mundi Sigal Prishtinën, të shtunën ka shënuar fitore edhe ndaj Pejës me rezultat 85:62 (19:9, 23:17, 20:13, 23:23), në kuadër të javës së 7-të të Prince Caffe Superligës.

Si duket skuadra mysafire, lidere e Liges me të gjitha fitore,  erdhi në Gjakovë e bindur për vazhdim të këtij suksesi,  duke  e nënçmuar Vëllaznimin. Kjo si duket iu hakmor që nga çereku I parë, kur basketbollistëve kuq e zi nuk iu dridhej dora. Luanin me një angazhim të paparë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Çerekun e parë e fitoi me 10 pikë epërsi,  19:9. Kuqezinjtë vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, që e fituan 23:17, duke shkuar në pushim me epërsi 42:26. 

Vëllaznimi dëshmoi lojë më të mirë edhe në periudhën e tretë, 20:13, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 62:39. 10 minutat e fundit të kësaj përballe ishin vetëm formale, pasi vendasit ruajtën epërsinë e lartë. Kjo pjesë përfundoi 23:23, derisa Vëllaznimi triumfoi në fund 85:62.

Te Vëllaznimi u dalluan Cendrik Council me 26 pikë e 9 kërcime dhe Christopher Hortman me 22 pikë, 9 kërcime e 8 asistime, derisa te Peja më të dalluarit ishin Drilon Hajrizi dhe Robert Cartëright me nga 17 pikë. 

Pas ndeshjes lojtari më I mirë te ekipi gjakovar, Hortman tha se nga java në javë loja e Vëllaznimit është duke ardh në shprehje.

“Kjo fitore ka ardhë pas punës së vazhdueshme që po bëjmë me trajnerin Malinkov. Besojë se vlerat tona ende do të dëshmohen në ndeshjet e radhës!, ka thënë Hortman.

Vëllaznimi ka tri fitore dhe katër humbje. Në ndeshjen e radhës në Gjakovë e prêt Rahovecin..

Të themi në fund se është mëkat që për shkak të masave anticovid ndeshjet e këtilla të mos e kenë publikun në sallë. Sot në Gjakovë, në një ndeshje si kjo, nuk do të kishte vend në ulëset e Pallatit të Sporteve Shani Nushi, do të ishte një atmosferë e zjarrtë basketbolli.

Exit mobile version