Gjakovapress

BËHEN 40 VJET: “JU FLET RADIO-GJAKOVA”

Gjakova me 9 Nëntor kremton një jubile të rëndësishëm të themelimit të mediumit të parë të sajë të informimit – 40 vjetorin e punës dhe të veprimtarisë së Radio Gjakovës(RGJ) . Për katër dekada të veprimtarisë së sajë, RGJ la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në informimin e drejt dhe të gjithanshëm të qytetarëve por edhe në kultivimin e vlerave të mirëfillta kombëtare të kulturës, artit dhe muzikës.
Në fund të viteve të 70-ta kur Gjakova po përjetonte një zhvillim të gjithanshëm, mozaikut të strukturës së institucioneve, iu shtua edhe një segment i rëndësishëm i informimit dhe kulturës. Pikërisht tash e 40 vite më parë, në Nëntorin e vitit 1979, për herë të parë në historikun e Gjakovës nisi punën Radio Gjakova. Ishte kjo një fitore jo vetëm për Gjakovën dhe rrethinën e sajë, por edhe një hallkë e re në vargun e radio-stacioneve lokale, që rrumbullakonte sistemin e informimit gjithëpërfshirës në Kosovë.
9 punëtorët e parë të Radio Gjakovës, të udhëhequr nga drejtori dhe kryeredaktori i parë i saj Ali Saraqini, shënuan fillim të bujshëm të zhvillimit të këtij mediumi lokal të informimit, që u pasua me shtrirje dhe rritje të vazhdueshme programore si në pikëpamje cilësore, ashtu edhe sasiore. Ky program, i sajuar prej një sërë emisionesh informative, foljore-muzikore dhe kulturo-artistike, u bë pjesë e jetës së përditshme në çdo familje, jo vetëm të Gjakovës e rrethinës së saj, por pothuajse i një pjese të madhe të territorit të mbarë Kosovës dhe Malësisë së Gjakovës.
Veprimtaria e Radio-Gjakovës u karakterizua edhe me realizimin e gjinive më serioze radiofonike, që dëshmon për një punë me përkushtim dhe për një shkallë të lakmueshme profesionale. Në programin e saj të përditshëm, pos emisioneve informative, muzikore dhe atyre javore foljore-muzikore, u inkorporuan edhe emisionet dokumentare, radio-dramat dhe ato humoristike.
Duke qenë gjithnjë në funksion të qytetarëve dhe zëdhënës objektiv i realitetit, RGJ synoi dhe ia arriti të kryej në mënyrë të denjë misionin e saj. Edhe në atë kohë, ndikoi që të ruhet, por edhe të kultivohet identiteti kombëtar si dhe të mbajë të ndezur dritën e atdhetarizmit.
RGJ kaloi nëpër shumë sfida por punonjësit e saj u vunë në anën e popullit dhe demaskuan haptas politikën gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Kjo e pengoi pushtetin e atëhershëm serb , prandaj ndodhi okupimi klasik, me asistencë të policisë së armatosur, më 5 korrik të vitit 1990. Që nga ajo ditë, për më shumë se 9 vite Radio-Gjakova nuk foli shqip. Punonjësit e saj u nxorën në rrugë..
Për kundër këtij diskriminimi të pashembullt, ndonëse të ballafaquar me krajata ndër më të ndryshmet, deri në kufijtë e ekzistencës, punonjësit e Radio-Gjakovës mbetën dinjitozë. Ata nuk njohën organet e dhunshme serbe. Njohën vetëm shtëpinë e tyre Radio-Gjakovën, natyrisht pa tutelën serbe, të bindur se nuk do të jetë e largët dita e lirisë. Kjo ndodhi pikërisht më 14 Qershor të vitit 1999, në ditën e çlirimit të Gjakovës nga okupimi serb, kur serish jehoi në eter fjala shqipe : “Ju flet Radio-Gjakova”.
Ishte kjo rilindja e dytë e Radio-Gjakovës e cila u sendërtua në saje të luftës dhe sakrificës së bijve më të mirë të popullit, të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe përkrahjes së Forcave ndërkombëtare të NATO-s. Zëri i Radio Gjakovës ishte lajmëtari i parë i lirisë në Kosovë. Zëri i radios në këto vite të para të lirisë , në të vërtetë ishte zë i Gjakovës, qytetit që doli nga lufta me një mijë vragë, me gëzimin e lirisë, me lotin e nënës që nuk shterej për bijtë e pagjetur, me qindra të kidnapuar, të burgosur burgjeve serbe dhe me përditshmërinë e rëndë, por me plot shpresë…
Puna e përditshme e punonjësve të Radio Gjakovës edhe në ditët e sotme, 40 vjet nga fillimi i punes dhe 20 vjet pas çlirimit, është e përqendruar në informimin e kohshëm e të drejtë të qytetarëve në të gjitha fushat e jetës dhe të punës. Përmes emisioneve të çdoditshme, synohet të pasqyrohet realiteti, të arriturat dhe vështirësitë në ekonominë gjakovare, në fushën e shëndetësisë, arsimit, shkencës, kulturës e sportit.
Në këto katër dekada të veprimtarisë, Radio Gjakova arriti një stad të lakmueshëm të zhvillimit, por ende jo të atillë çfarë e dëshiron dhe e synon stafi punues dhe redaksia e programit të radios.
Suksesit të përgjithshëm të punës dhe veprimtarisë 40-vjeçare të Radio Gjakovës, pa dyshim se i ka kontribuar edhe një armatë e tërë bashkëpunëtorësh amatorë e profesionistë, të cilët me punën e tyre të drejtpërdrejt në sajimin ose pjesëmarrjen në emisione të ndryshme, kanë bërë që programi ynë të jetë më i larmishëm, më gjithëpërfshirës dhe të ketë porosi më të fuqishme tek dëgjuesi. Andaj Radio Gjakova duke filluar nga brezi i fëmijëve bashkëpunëtorë, pastaj gjenerata e të rinjve e deri tek bashkëqytetarët tanë profesionistë të lëmive të ndryshme, u është mirënjohëse dhe i falënderon nga zemra për kontributin dhe ndihmën e tyre në rrumbullakimin e misionit tonë medial dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me dëgjuesit tanë të shumtë. Do të vazhdojmë me sakrificën e madhe të punojmë që programi dhe emisionet e Radio Gjakovës, të bëhen edhe më gjithëpërfshirëse në aspektin e informimit, më të larmishme, më argëtuese dhe më të këndshme për dëgjuesit. (Gjakovapress Nr. 131)

Exit mobile version