Besnik Hasi është trajneri i ri i Anderlehtit
Besnik Hasi është trajneri i ri i Anderlehtit. Ish mesfushori i Kombëtares Shqiptare, ka marrë timonin e klubit mbretëror belg. Pas shkarkimit të trajnerit Van Der Brom, klubi ka vendosur që ta angazhoj gjakovarin në krye të klubit vjollcë. Hasi është shqiptari i parë që drejton një skuadër me famë kaq të madhe siç është Anderlehti që merr pjesë edhe në Ligën e Kampionëve.
Anderlecht u mund 1-0 në javën e fundit nga Oud-Heverlee Leuven, duke zbritur në vendin e 3-të të klasifikimit me 12 pikë më pak se Standart Liege, çka bëri që klubi të emëronte zëvendësin e Brom në krye të skuadrës.
Besnik Hasi punon prej vitesh si zv/trajner në skuadrën nga Brukseli, ndërsa gjatë vitit 2011 u përfol edhe si një nga emrat pretendentë për stolin e kombëtares por ishte vetë ish mesfushori që hodhi poshtë zërat duke kërkuar të vazhdonte karrierën në Belgjikë.
Hasi ka luajtur për 6 sezone me fanelën e Anderlecht, ndërsa në vitin 2008 i dha fund futbollit të luajtur duke nisur karrierën në nivelet drejtuese të shoqërisë.
Menaxheri i klubit, Herman Van Holsbeeck shprehet se Hasi ishte zgjedhja e duhur pasi ai e njeh gjithë ambjentin që e rrethon skuadrën dhe bordi drejtues është i bindur në aftësitë e shqiptarit për të çuar përpara klubin.