Boksieri Erzen Rrustemi viziton “Thirrjet e nënave”
Boksieri kosovar Erzen Rrustemi, i cili tashmë mban titullin kampion bote në pesha të rënda WBF, të mërkuren ka qëndruar në Gjakovë, në Shoqatën Thirrjet e Nënave duke iu bashkuar kauzës për të pagjeturit. Këtu ai shprehu keqardhjen që institucionet e shtetit nuk kanë bërë sa duhet për zbardhjen e të pagjeturve nga lufta e fundit.
Ndërkaq kryetarja e kësaj shoqate, Nysrete Kumnova tha se politikanët kosovarë çështjen e të pagjeturve e kanë bërë politike. Ajo i tha Rrustemit se kanë nevojë për përkrahjen e tyre.
Boksieri kosovar, shprehu vullnetin të vizitojë edhe nënën e cila gjatë luftës humbi burrin me katër djemtë, Ferdonije Qerkezin. Ajo tha se vizita të tilla e bëjnë më të fortë.
“Na e lehtëson dhimbjen si për Gjakovë dhe krejt Kosovën dhimbja është e njëjtë”, tha Qerkezi.
Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi, tashmë është shndërruar në një muze historik për Gjakovën.