Bora që ka rënë gjatë fundjavës ka vështirësuar trafikun në komunën e Gjakovës. Fillimisht bora në lartësi 30 centimetra e pastaj akulli ka sjellë telashe të reja. Sot në mëngjes në shumë rrugë dytësore vende-vende ka pasur akull që ka sjellë telashe posaqërisht për këmbësorët. Mirëpo për ndryshim nga shumë komuna të Kosovës ku si pasojë e borës dhe ngricave ka pasur shumë aksidente në trafik, gjendja në komunën tone paraqitët më e mirë. Si jemi informuar nga Albin Sahatqia, komandant rajonal i trafikut në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Gjakovës, kanë ndodhur gjithësejt 6 aksidente në trafik, tri në komunën tonë, prej të cilave 5 kanë kaluar me dëmtime të automjeteve ndërkaq në një rast ka pas lëndime të lehta. Tri aksidente tjera me dëme materiale janë shkaktuar në rrugët e rajonit, përkatësisht të komunës së Rahovecit dhe Malishevës. Komandanti Sahatqiu ka porositur vozitësit që assesi mos të marrin rrugë pa pajisje përkatëse dimërore.
Ndryshe zyrtarët komunal thonë se të gjitha rrugët janë të pastruara dhe se gjendja nga tereni tregohet e mirë. Zëdhënësja e komunës së Gjakovës, Abetare Domi, për Radio Gjakovën ka thënë se të gjitha
rrugët janë të qarkullueshme dhe trafiku po zhvillohet pa probleme.
Në anën tjetër, Shkumbin Kastrati, drejtor i Drejtorisë komunale për Shërbime Publike në Gjakovë, ka thënë se komuna i ka bërë të gjitha përgatitjet paraprake në mënyrë që bora mos të befasoi. Lidhur me faktin se përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në brendi të qytetit është një kompani me seli në Pejë, Kastrati ka thënë se një gjë e tillë nuk paraqet pengesë për të reaguar shpejt dhe me kohë, në raste të të reshurave të bores.
Ndryshe, kur është fjala tek qarkullimi pa rrezik i qytetarëve, aktualisht kërkohet një vëmendje e posaçme të të gjithë pjesëmarrësve në trafik, meqë uji i cili ka mbetur rrugëve, është ngrirë gjatë natës dhe kjo paraqet një rrezik në vete.