Këtë dorëheqje, siç njofton Zyra e Informimit të KK-së, e ka miratuar kryetarja Mimoza Kusari Lila e cila dorëheqjen e ka vlerësuar si të moralshme dhe se njiherit ish drejtori ka qenë viktimë e kontratave kornizë. Mbledhja ka vazhduar me pikat e përcaktuara të rendit të ditës ku nga kryetarja Mimoza Kusari Lila është kërkuar që nga drejtorët komunal të përgatiten materialet tenderuese me kritere të reja, specifika për tenderë të bëhen duke përfshirë edhe ekspertë nga jashtë institucioni komunal dhe mos të merren si kritere specifikat tenderuese të ish qeverisë. Përsa i përket procesit të auditimit dhe planifikimit të pagesave të borxheve aktuale, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka pohuar se tani për të pestën herë do të përsëritet kërkesa për auditim të jashtëm dhe se borxhet e vjetra të mos paguhen pa u bërë vlerësimi i punëve të kryera dhe të gjitha borxhet ndaj operatorëve të trajtohen një nga një.