Është shpallur konkursi për pranimin e studentëve në universitetet publike të Kosovës , ndërkohë që në kuadër të këtij konkursi janë edhe programet për Universitetin e Gjakovës i cili do të filloi punën më 1 tetor të këtij viti.
“Në mbledhjen e Bordit është diskutuar gjerë e gjatë për këtë konkurs dhe janë autorizuar dy anëtarë të Bordit që të analizojnë mirë se cilat programe do të mundë të ishin me interes për studentët, universitetin dhe Gjakoven. Kjo do të thotë se deri në shtator ne mundë të dalim me ndonjë program të ri, ” tha Buza për Gjakovapress.info pa përmenduar ndonjërin nga programet e propozuara nga anëtarët e Bordit.
Sipas tij mësimet do të ndiqen në tri objekte shkollore, në kto dy ekzistuese : Ish SHLP”Bajram Curri” dhe objekti i ri në “Çabrat” si dhe në hapësirat e Shkollës së Mesme Teknike”Nexhmedin Nixha”.
Sipas konkursit të shpallur dje për dallim nga viti i kaluar nuk është përfshirë programi i Fakultetit të Shkencave matematiko natyrore- drejtimi Kimi Arsimore.