Agim Gjakova
Tungjatjeta qyteti im
Nga kryeqyteti erdha me një thes gënjeshtra
e hidhura më ndiqte mbrapa
më shkrehte në vaj
më shkrinte diell e hënë
më valëviste flokët
buzën ma dridhte në vaj
ooo, ku jeni kujtimet e mia të sinqerta
që për shtatëdhjetë vjetë
nuk më latë të qetë…
Tungjatjeta qyteti im
Mund të më vrasësh me fjalë
mund të më sakatosh me sharje
mund të më përulësh me përbuzje
mund të më shtangosh me sy
mund të më magjepsësh me këngë
mund ta gjakosësh shpirtin tim
ta copëtosh zemrën time
të më rrjepësh të gjall, të capërluar…
Ooo gjithçka të kam falë, gjithçka më ke falë
Unë ngrihem
nga dhimbja, nga gëzimi,
nga qeshja, nga mallëngjimi
nga rrënjët
Unë ngrihem
ngrihem
ngrihem…
Çmimi parë në Mitingun e Poezisë në Gjakovë
MOTIVET E QYTETIT TIM
Janë gurët e lumit që kanë marrë ngjyrën e historisë
janë degët e manave ku janë thyer hovet e dashurisë
janë rrënjët e hardhive ku kanë rrjedhë pika djerse
janë kalldërmet dhe boshtet e grave tjerrëse
janë gjilpërat që kanë shpuar sytë e vajzave në gjergjef
janë lotët e derdhur dasmave me def
vetmia është gdhendur natën në ndonjë bankë
balli është gjakosur e ka mbetur me dangë
itarë janë mbështjellë qafe e plumbi vësh në kraharor
ka rënë shi, vetëtimë, kanë çelë lule edhe nëpër borë
ka dalë diell, kanë krisë këngë plot zjarr…
dhe unë kam mbetur një motiv në emrin e tij varë!
LETËR E PADËRGUAR
mos ma përbuz dashurinë
që ta dhuroj pa interes e pa kamatë
në daç kur dielli ta rrezit fytyrën
në daç në mesnatë,
mos m’iu përvish zemrës
që është e hapur e hapur përjetësisht
në daç ngjite tënden përgjithmonë
në daç miqësisht,
mos ma ftoh shpirtin
që të mbulon dymbëdhjet shekuj ngrohtësi,
se gjaku nuk bëhet ujë
e unë s’ndryshoj dot në tjetër njeri.
AKUAREL
Ndodhet ujë urë e rrëzuar me topa
pranë sajë një shtëpi e rrezbitur me gjoba
ndodhet një mur i shembur nga yrrfija
pranë tij një lis i prerë nga bashkia
ngrihet murana ku vranë një grua
pranë saj i argjendtë buron një krua
varë në trug të kohës nga nuk e rreh shiu
sharkisë i vringëllojnë telat kur fryn veriu.
THIRRJE
O zog, ma jep ëmbëlsinë e çerdhes maje peme
po të bëj roje syhapë kundër gjarpërinjve
po t’i tremb sqifterët, sorrat, gjeraqinat,
shkarpat po t’i lyej me dyll blete
po t’i vesh palë palë, me lesh të butë
rryezë trungu ditenatë po të rri zgjutë!…
Era tund degën e çerdhes së verdhë
ia lëkund dy fije kashtë,
ciu-ciu shpërndahet lugjeve të çabratit…
i buzëqesh jehonës me këtë dëshirë të lashtë.
HAKI TAHËS
Kur mundohem të zhbij të vërtetën e përfytyrimit
rrëmbehem, dridhem, shkrihem “krejt s’dlirtit”,
po të më vënë një bashkë resh në plagën e shpirtit
nga sytë do të më rigojë shiu i përmallimit.
EDHE NJË HERË
Faleminderit, nënë,
më rrite të fortë përballë së vërtetës
nënë, faleminderit!
Ti ishe madhështia që më bëri burrë
më mësove të tëharr
gramin e jetës që ndërgjegjën të mos ma zërë,
nënë, faleminderit!
Dhe unë në piedestal
të vura më të fortin gur
një copë të zemrës.
ERDHE MOJ NËNË NGA GJAKOVA
Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Rrudhat e tua
përrenjtë e lotëve dhe djersës
që rrodhën të rrëmbyer
nga malet e brengave
në lumin e jetës,
sytë e tu
burime të ngrohta të qëndresës
që gufuan pa u ndjerë
nga shpella e ngjarjeve
ende pa u rrëfyer.
Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Hapi yt
gjëmim i tokës që s’heshti
as para kërcënimit të trefishtë të vdekjes,
duart e tua
mjeshtre që përkëdhelën djem të epokave
që u dogjën në diell të mesditës,
zëri yt
përmbledhje jehonash në këmbanë të kohës
që tingëlloi gjatë
si inçizim i sakrificave
në peshën e dashurisë së tokës.
Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Flokët e thinjur si rreshta të rrallë
tezash të kësaj jete
paralele që sosën e zhyten në hemisferën-ballë
ku jetojnë tërë gëzimet e hidhërimet
që shekujve ka peshuar Kosova.
KUR VALVITET FLAMURI
Kur valvitet flamuri
hedhin valle të gjithë dëshmorët
me gëzim të mallëngjyer nënat qeshin
vajzat mëkojnë dashurinë e fortë si guri,
kur valvitet flamuri
petkun e luftëtarit burrat veshin
nuset lidhin shaminë e kuqe në kokë
fëmijëve sytë u xixillojnë
nën hijen e ti djemtë matin burrërinë.
Marrë nga libri: I GJUAJ ËNDRRAT ME GURË