Dekorata ‘Gjakovar i ndritshëm’ për ak. Pajazit Nushin
Komuna e Gjakovës me koncertin festiv të 17 Shkurtit e ka përmbyllur aktivitetin katërditor në shënim të gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ky koncert festiv njiherit ka qenë edhe vlerësues për kontributin e dhënë në lëmin e artit dhe të shkencës të personaliteteve të shquara nga Gjakova. Nga kryetarja Mimoza Kusari Lila me çmimin “Gjakovar i ndritur” është dekoruar akademik Pajazit Nushi. Ndërkaq, me çmimet për “Vepër jetësore” janë dekoruar aktorët e shquar Hadi Shehu dhe Hysen Binaku.
Në këtë koncert përmbyllës festiv, kryetarja Mimoza Kusari Lila me respekt të posaçëm ndaj krijuesve dhe publikut, me një dedikim të posaçëm u është adresuar atyre me një fjalë rasti. Në këtë fjalë, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë një përshkrim të së shkuarës dhe të së tashmes për kontribuuesit nga Gjakova për kombin dhe shtetësinë e Kosovës, si dhe për sfidat që na presin. Ndryshe në këtë koncert festiv kanë marrur pjesë emra të shquar talentësh dhe tashmë të dëshmuar të skenës gjithëkombatare. Publiku ka përjetuar emocione të posaçme me prezantimin e këngëtarëve Florent Abrashi, Vesa Smolica, Albi Xhepa dhe të instrumentalistit të mirënjohur Agron Peni. Më pas, nga “Prishtina Bas”, nën orkestrimin e I. Shehut janë prezentuar me këngën “N’at zaman t’asaj furie” tenori Riad Ymeri, me këngën “Kroi i fshatit tonë” baritoni Adhurim Grezda, me këngën “Luleborë” janë prezantuar dueti Marigona Qerkezi dhe Riad Ymeri, si the interpretime nga opusi krijues i “James Bone Theme” nga M. Norman dhe “Peter Gun Theme” nga H. Mancini. Në përmbyllje është prezantuar Asambli i Komunës së Gjakovës, me dirigjent Pëllumb Vula, ku kënga “Hej ju male” të Çesk Zadesë është interpretuar nga Adhurim Grezda, “Agimet shqiptare” të Avni Mulës nga sopranja Marigona Qerkezi, si dhe interpretime të autorëve të njohur botëror, si “The Lion King” të E. John, “Pirates of the Caribbean” të K./ Badelt si dhe pjesë nga kolona zanore “Liri e vdekje” të Kujtim Laros.