Por remitencat e pranuara në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës të cilat flasin për gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë shënuar rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vlera e parave të dërguara nga qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas këtyre të dhënave ishte 329.6 milionë euro, që paraqet një rënie vjetore prej 2.7 për qind. Rënien e nivelit të remitencave, në Odën Ekonomike të Kosovës, e quajnë shqetësuese, për faktin siç thonë: “këto para janë një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit në Kosovë dhe njëra ndër shtyllat kryesore që Kosova të arrijë një stabilitet social dhe një qëndrueshmëri. Kjo rënie e remtiencave fillimisht ka të bëjë me faktin se si shtet nuk kemi treguar gatishmëri që t’i motivojmë edhe diasporën për të ndihmuar më tepër. E dyta është si pasojë e krizës financiare dhe globale ekonomike, e cila ka koston e vet”, theksojnë në Oden Ekonomike.