Ditë pranvere në Gjakovë- Edhe gruri mirë!
Në mes të dimrit sot në Gjakovë ishte pranverë. Pas shiut, dielli kishte nxjerrë qytetarët për sheti nëpër rrugë, sheshe dhe kafeteri. Ndjehej gjallëri kudo, ndërkohë që më e frekuentuara ishte Çarshia e Vjeter e cila vizitohej nga qindra të rinj e të reja. Ndryshe reshjet e shiut që përfshinë territorin e komunës së Gjakovës, anipse në sasi të vogël, janë të mirëseardhura për grurin e mbjellë në vjeshtë, thonë në Drejtorinë Komunale të Bujqësisë. Pas një moti të thatë, këto sasi të ujit do të kontribuojnë në zhvillimin e bimës së grurit, mirëpo në të këtilla rrethana vetëm ndonjë ngricë e përnjëhershme do ta rrezikonte seriozisht grurin, thonë ekspertë të bujqësisë. Sipas tyre në këtë fazë zhvillimi të grurit dhe në këtë periudhë të stinës së dimrit, një shtresë bore do të ishte e mirëseardhur duke e mbrojtur atë nga ngricat. Ndryshe, në komunën e Gjakovës gjatë vjeshtës u mbollën rreth pesë mijë hektarë, përkatësisht mbi 4 mijë e 900 hektarë u mbollën me grurë, pastaj 120 hektarë me thekër dhe 50 hektarë me trokal. Viteve të fundit Ministria e Bujqësisë po mbështet fermerët kultivues të grurit me subvencione gjë që ka ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë. Vjeshtën që shkoi në komunën e Gjakovës janë mbjellë rreth 150 hektarë më shumë se një vit më parë.