“Ditët e shqiptarit”, festivali i kulturës shqiptare në Gjakovë nga 25 Korriku
Çdo gjë është gati për një ngjarje tjetër interesante gjatë kësaj vere. Gjakova mirëpret edicionin e parë të festivalit “Ditët e Shqiptarit”. Më shumë se muzikë, filma e valle, do të jetë një festë e madhe e artit, kulturës dhe traditës. Mysafir nga Kosova dhe më gjerë do të tubohen për t’u argëtuar në qytetin e Gjakoves, për të festuar përgjatë këtij aktiviteti.
“Ditët e Shqiptarit” do të mbahet në datat 25 – 27 korrik dhe 1 – 4 gusht. Ky festival ka për qëllim të paraqesë identitetin dhe kulturën shqiptare, me larmi aktivitetesh që do të ofrojnë një përvojë të pasur për të gjithë pjesëmarrësit.
Në festival do të jenë të pranishëm emra të mirënjohur me origjinë gjakovare, grupe muzikore e artistë të zhanreve të ndryshme që do të sjellin atmosferë të veçantë në skenat e Gjakovës.
Disa nga emrat më të spikatur që do të performojnë janë Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Dren Abazi, Shpat Deda, Nezafete Shala, Offchestra, Ethnically Plugged, Edona Reshitaj, Grupi NA, dhe shumë të tjerë. Përveç muzikës, nuk do të mungojnë as aktivitetet për dashamirësit e letërsisë dhe poezisë, ku poezitë do të jenë pjesë e pandashme e festivalit. Gjithashtu, do të ketë prezantime nga personalitete të suksesshme, të cilët do të sjellin njohuritë e tyre në Gjakovë. Një nga këta është pedagogu gjakovar nga Tirana, Ermal Hasimja, i cili përmes prezantimit të tij të titulluar “Kujtime nga Gjakova e vitit 2030″ do të paraqesë versionin e tij për zhvillimin e qytetit të Gjakovës. Në çdo natë të festivalit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë një gamë të gjerë aktivitetesh.