Intervistoi: Hajrullah Hana
Kush është doktor Avni MATI, oftamolog?
Jam i lindur në gushtin e nxehtë të vitit 1939 në Gjakovë. Rrjedh nga një familje e vjetër tregtare që udhëhiqej nga babai im, Xheladin Mati. Kur mbusha 6 mote babai më dërgoi te mësuesi (pedagogu) Bajram Nura, i cili, duke mos ia mbushur syrin, i tha babait:“Po djepin, e solle me vete… ?” Kështu shkollën fillore dhe atë të mesmen – gjimnazin, i kreva në vendlindje. Ishte maji i vitit 1957 dhe mbaruam maturën. Mua, si nxënës i shkëlqyeshëm, më liruan nga provimet e maturës.
E doja letërsinë shumë, lexoja me pasion sa që pata filluar edhe të shkruaj vargje si gjimnazist. Por pasi mbaruan mësimet, një ditë vere duke luajtur në oborrin e gjimnazit më takon drejtori, Beqir Kastrati, dhe më thotë: “Avni, çfarë do të studiosh…?! Unë i thashë: “Ende nuk e di… “ “Ti do të studiosh për mjekësi – më tha ai, – sepse edhe unë në këtë moshë do të kisha studiuar këtë shkencë”, më tha. Mes tjerash, më njoftoi se janë dy bursa – njëra për mjekësi dhe tjetra për agronomi. Kaq mundësi kishte Kuvendi Komunal i atëhershëm. Vendosa për mjekësi. Kështu studimet i fillova në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, në vitin 1957 dhe i përfundova në majin e vitit 1964. Kisha vështirësi të madhe materiale, sepse bursa mbulonte vetëm strehiimin dhe ushqimin. Megjithate ia dola.
Dy ditë pas përfundimit të studimeve fillova punën, pasi ishte mungesë e madhe kuadroshi, sidomos të atyre shqiptare. Aty gjeta dr. Hysen Ukmatën dhe dr.Nexhdet Kryeziun, si dhe dr.Riza Binishin që kishte filluar punën muaj më parë. Unë isha i katërti mjek në vendlindjen time, ku më pritën ngrohtësisht. Prita pesë vite për specializim, pasi kisha kryer punën e praktikantit, pesë vite prita për shkuarje në specializim. Por drejtoresha e spitalit, dr. Mira Antokoviq, më thoshte: “Prit, prit…” e të tjera. Ndërsa kuadrot serbo-malazeze gëzonin privilegje në këtë drejtim, edhe pse pas specializimit shkonin në qendra të tjera mjekësore dhe nuk qëndronin në Gjakovë. Kështu, një ditë më erdhi radha edhe mua, më erdhi ftesa për specializim, nga doktori i parë kosovar i oftamologjisë dr Xheladin Deda. Mezi prita t’i përgjigjem kësaj oferte. Në majin e vitit 1969, fillova punën në Prishtinë, ku qëndrova për dy vite në specializim, në repartin e dr. Xheladin Dedës. Më pas, specializohem në Zagreb në klinikën e njohur “REBRO” ku përfundova këtë specalizim, në prillin e viti 1972…(shkrimi plotë në Revisten Gjakovapress Nr. 127)