Dr. Masar Rizvanolli : Gjakova fole e fjalës dhe e shkollës shqipe
Rezyme nga një studim gjithpërfshirës me titull: ZHVILLIMI I ARSIMIT SHQIP NË GJAKOVË DERI MË 1918, botuar në Gjakovapress
Gjakova ka një traditë të pasur të arsimit dhe të kulturës që nisë me fillimin e jetës qytetare në te, kur Sylejman Hadim aga ndërtoi dhe vakufoi, më 1594, pos objekteve të tjera publike, edhe një shkollë, bibliotekë shumë të pasur dhe një muvakit-hane, objekt për matjen e kohës dhe caktimin e kalendarit.
Më vonë zhvillimin e arsimit dhe të kulturës e ndihmuan anëtarë të familjes Kurtpasha që ndërtuan xhami dhe shkolla fillore dhe të mesme fetare.
Në fillim të shek. XVIII-të disa mësues misionarë françeskanë hapën shkolla private në Gjakovë. Gjon Nikollë Kazazi, doktor i teologjisë dhe filozofisë, arqipeshkëv i dioqezës së Shkupit hapi një shkollë në shtëpinë e tij për përgatitjën e mësuesëve e misionarëve të ardhshëm që do t’i fillonin mësimet në kolegjet papnore në Itali. Ai interesohej për sigurimin e teksteve themelore në shqip për nxënësit e dioqezës së tij, siç ishte “Doktrina e Krishtenë” e P. Budit dhe, më 1743, botoi edhe vetë një doracak katekistik “Doktrina e Krishterë”, kushtuar fëmijëve që do të vazhdonin mësimet fillestare në vendlindje. Pas vdekjës, më 1752, punën e tij në Gjakovë, Janjevë, Zym etj. e vazhduan nxënësit e tij.
Më 1851 në shkollën shqipe pranë kishës katolike dhanë mësim shumë misionarë dhe mësues profanë si Pashko Logoreci dhe Mihill Kurti, midis tyre autorë poezish fetare dhe patriotike. Që të gjithë vepronin në frymën e Rilindjës Kombëtare.
Në frymën e reformave të Tanzimatit u hapën iptidaijet dhe ruzhdijet shtetërore në turqishte, të pakuptueshme për nxënësit. Tekstet turqishte i përkthenin shqip fshehurazi mësuesit shqiptarë, falë pushtetit të dobët osman në Gjakovë.
Traditën arsimore e pasuaruan shkollat fetare Medreseja e Madhe e themeluar më 1707 dhe Medreseja e Vogël e themeluar më 1815, në të cilat dhanë mësim shqip disa myderrizë patriotë, veprimtatarë të Lëvizjës Komëtare, si Tahir efendi Boshnjaku, autor i “Emni Vehbije”, shkruar shqip me gërma osmane më 1806 dhe Tahir efendi Lluka, bashkëpunëtor i rilindësve Hoxha Tahsinit dhe Jani Vretos, që përktheu shqip mevludin.
Arsimtarë dhe nxënës të Medresesë së Madhe ishin patriotë të njohur, veprimtarë të Lëvizjës Kombëtare deri në pushtimin e Gjakovës më 1912, si Ismail efendiu, Ali efendiu, Hasan efendiu, Haxhi Zeka etj.
Më 1915, një grup mësuesish, me ndihmën e Bajram Currrit, hapën dy shkolla shqipe laike për meshkuj dhe një për femra.
Mësues gjakovarë hapën, në këtë kohë, shkolla shqipe në Pejë (Murat Gjakova, Ibrahim Kolçi dhe Ali Hajdar Berisha), në Vushtrri (Abdullah Hadri), në Cërmjan (Muharrem Domi), në Voksh (Ibrahim Fehmiu), në Irzniq (Latif Shaqiri).
Pas mbylljes së shkollave shqipe më 1918, mësuesit gjakovarë, themeluan në Bujan të Malësisë shkollën fillore me internat, ku mësuan shqip shumë nxënës kosovarë, të cilët u këthyen, më 1941, për t’i vu themelet e arsimit shqip në Kosovë. Që të gjithë ishin anëtarë të shoqërisë “Bashkimi” të A. Rrustemit dhe të lëvizjës demokratike në Shqipëri. (Gjakovapress)