Dy humbje të njëpasnjëshme të Vëllaznimit
Dy humbje të njëpasnjëshme e kanë larguar Vëllaznimin nga pozita e liderit në tabelën klasifikuese të Ligës së parë futbollistike të Kosovës. Pasi kishte pësuar nga Dukagjini i Klinës, Vëllaznimi dje në teren të vet pësoi humbje 0 me 1 në minutat e fundit të ndeshjes në lojë me Fushë Kosovën. Edhepse gjatë tërë ndeshjes Vëllaznimi mbizotëroi fushën dhe krijonte raste shënimi, finalizimi mungoi. Në këtë ndeshje, para fillimit, gjatë ngrohjes u lëndua Yll Myrta ndërsa kah fundi i takimit edhe mbrojtësi Ardit Vokshi.
Ndryshe dy humbjet erdhen pas një serie të fitoreve të njëpasnjëshme, por këtë rënie të formës dhe rezultateve, kryetrajneri i kuq e zinjve, Arsim Gojani e arsyeton me lëndimet e shumta dhe mungesat e futbollistëve të njëmbëdhjetëshes së parë. Sipas tij, pesë futbollist nuk po kanë mundësi të aktivizohen për të kontribuar në ndeshjet e finishit të stinorit vjeshtor. Në anën tjetër Gojani thotë se aktualisht ka një bankinë të varfër me futbollistë e në anën tjetër ka qenë një kalendar i ngjeshur me ndeshje që ka shkaktuar edhe lodhjen e futbollistëve. Deri në fund kanë ngelur edhe dy ndeshje, me Deçanin dhe Rahovecin, ndërsa të mërkurën me 9 nëntor Vëllaznimi luan me Lepencin e Kaçanikut në ndeshjen e vlefshme për Kupën Futbollistike të Kosovës.