Wednesday, April 3, 2024
Gjakova Presss

Dy vepra: “Mësuesit e Gjakovës” dhe “Themelet e arsimit në Gjakovë”, një ngritje e suksesshme e Historiografisë Shqiptare

Shkruan Dr.sc.  Alban Dobruna

Veprat e prof. Ragip Ballata janë fryt i një pune studimore të kujdesshme shumëvjeçare, në dhjetëra vepra e artikuj të cituara në pjesët e saj dhe gjithashtu i hulumtimeve nëpër arkiva, ku ruhen dorëshkrime të vyera që lidhen me temën. Veprat: “Mësuesit e Gjakovës misionarë në trevat shqiptare” (Brezi I dhe II, shek.XX) dhe “Themelet e arsimit shqip në Gjakovë” (1915-1918 dhe 1941-1945), të botuar nga Shoqata Intelektualëve “Jakova” – Gjakovë, janë sinteza të një përgjithësimi të studimeve dhe njohjeve të deritanishme të Gjakovës si bërthamë arsimore, sepse në të lindën dhe u formuan shumë emra të shquar të arsimit dhe të kulturës kombëtare. Në veprat e tij për këtë periudhë kohore, z. Ballata na paraqet një pasqyrë të proceseve të ndërlikuara të karakterit politik, shoqëror e kulturor, që mbarti jo vetëm  qyteti i Gjakovës, por edhe një pjesë e konsiderueshme e hapësirës territoriale të trevave shqiptare nën Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS, më vonë pas vitit 1929 Mbretëria e Jugosllavisë), duke na sjellë një trajtim më të plotë përmbajtësor dhe fatktografik për organizimin e sistemit të rregullt arsimor, themelimin dhe hapjen e shkollave, të cilat kanë lindur ose kanë lidhje me Gjakovën. Në librin e parë “Mësuesit e Gjakovës misionarë në trevat shqiptare” (Brezi I dhe II, shek.XX), mësuesit e kësaj periudhe autori i ndan në dy breza. Brezi i parë përbëhet prej 21 mësuesish, këta janë mësuesit që lindën në çerekun e fundit të shek.XIX dhe u arsimuan kryesisht në gjuhën turke në Shkup (me plotësim arsimi në Berat) dhe u bënë shtegtarë të arsimit që shpërndanë dritë nga periudha e pavarësisë e këndej. Ndërkaq, brezi i dytë përfshin 42 mësues, të cilët lindën në çerekun e parë të shek. XX e u arsimuan kryesisht në gjuhën shqipe në Shqipëri e disa edhe jashtë saj.

Në bazë të shumë burimeve, autori për secilin prej tyre veç e veç na ofron biografinë, shkollimin dhe misionin e tyre në arsim. Duke i qëndruar besnik shkollës së analeve, Ballata bën trajtesë historike afatgjatë. Me këtë nënkuptohet se ai duke përshkruar biografitë e këtyre kolosëve të mëdhenjë të dijes dhe kulturës shqiptare ai merr në konsideratë edhe rrethanat e formësimit  të identitetit shqiptar në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, ku vizioni dhe përpjekjet e mëdha të këtyre personaliteteve gjakovare të arsimit, japin rezultate vendimtare në sistemin e organizuar arsimor në gjuhën shqipe dhe vendosjen e themeleve të arsimit në trevat shqiptare.

Në librin e parë “Mësuesit e Gjakovës misionarë në trevat shqiptare (Brezi I dhe II, shek. XX), Ragip Ballata nga hulumtimi i lëndës, fondeve dokumentare dhe të dhënave arkivore të prezantuara ka arritur të nxjerrë katër përfundime: e para se Gjakova ka qenë bërthamë arsimore, sepse në të lindën dhe u formuan, përveç shumë figurave historike, edhe shumë emra mësuesish të shquar të kulturës dhe të shkollës kombëtare, këtë autori e argumenton duke iu referuar edhe mendimtarëve dhe studiuesve seriozë si: L. Gurakuqi, J. Erebara, A. Hadri, R. Abdyli, A. Vokrri, J. Rexhepagiq, etj.; e dyta, misioni i mësuesve të Gjakovës në trevat shqiptare nuk kishte vetëm karakter thjesht kulturor, veprimtaria e tyre kishte marrë edhe karakter të një misioni politik. Gërshetimi i të dyja karaktereve (arsimor e politik) të mësuesve të Gjakovës në trevat shqiptare u bënë te gjenerata e më vonshme armë e fuqishme e dijes në luftë për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, të cilat ishin të nëpërkëmbura prej kohësh; së treti sipas autorit gjeografia e punës së këtyre dy brezave tregon se pothuajse nuk mund të gjinden vendbanime në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare ku mësuesit misionarë të Gjakovës nuk e kanë dhënë kontributin e tyre; dhe e katërta misioni dhe përkushtimi i mësuesve të brezit të parë dhe brezit të dytë, në trevat shqiptare e ka vlerën e një rëndësie mbarëkombëtare. Angazhimi i tyre deri në daljen e tre gjeneratave të para të normalistëve nga Shkolla e parë Normale e Gjakovës dhe Gjimnazi “Sami Frashëri” i Prishtinës, në fund të vitit 1950, ka qenë vendimtar për arsimin shqip në trevat shqiptare në këtë anë të kufirit.

Në librin e dytë “Themelet e Arsimit Shqip në Gjakovë (1915-1918 dhe 1941-1945)”, më tërhoqi vemendjen vlerësimi i bukur që i bënte librave dhe modestia që e ka karakterizuar gjithmonë profesorin tim të dashur, në Gjimnazin”Hajdar Dushi” të Gjakovës, Prof. Besim Këpuska, i cili me zemërgjerësinë e tij vlerëson shumë moralin e lartë dhe idealin e mësuesve misionarë duke i perifrazuar në dy fjalë mendimet e tij për librat: Fillimisht e pranon se shumë gjëra s’i kishte dëgjuar dhe ditur duke bërë një pendesë të thellë se si ai edhe shumë profesorë të gjuhës nuk i kanë zënë në gojë sa duhet këta mësues të nderuar dhe i bënë një përulje si qytetar i ndërgjegjshëm qeveritarëve që të mendojnë më shumë për krijuesit dhe arsimin nga i cili kemi dalë të gjithë, duke i thirrur arsyes për motivimin e punës së mësuesit e të pedagogut.

Në pjesën e parë të librit të dytë “Vështrim për pozitën, themelimin, popullsinë dhe ekonominë e Gjakovës”, autori përshkruan pozitën e përshtatshme gjeografike me fushëgropat, luginat e lumenjtë dhe qafat e maleve, ku ky konfiguracion bën lidhjen e mirë natyrale për qarkullim të lehtë e që ndikuan në themelimin, ndërtimin dhe  zhvillimin e qytetit të Gjakovës.

Libri përfshin në kreun e dytë ”Arsimi shqip në vitet 1915-1918 (Vështruar në dritën e tre dokumenteve të reja)”, këtë periudhë autori duke ju referuar edhe shumë studiuesve të tjerë e cilësojnë si periudhë të lulzimit dhe e prosperitetit të shkollës shqipe, falë qendrimit  liberal të Austro- Hungarisë ndaj shqiptarëve dhe bashkëpunimit konstruktiv të Luigj Gurakuqit (drejtor i përgjithshëm i arsimit në Shkodër). Autori përmend tre kushte të favorshme  për shkollën shqipe: 1. Themelimi i “Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit në Shkodër” dhe drejtorive arsimore në disa qytete (dhe në Gjakovë); 2. Ekzistimi i një ekipi ekspertësh në krye me Luigj Gurakuqin; 3. Hartimi i një Platforme për organizimin e arsimit kombëtar dhe pranimi i saj me dokument-shkresën nr. 991/IV, të dt. 20 shtator 1916, nga Korpskomanda e trupave austro-hungareze. ( më gjersiht në numrin më të ri të revistes Gjakovapress nr. 129)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *