Saturday, April 6, 2024
FejtoneGjakova Presss

Pilotët gjakovarë

Shkruan Emin Rizvanolli


PILOTËT

 Flitet se gjatë viteve të sundimit osman në trojet tona, aty rreth vitit 1908, ka ekzistuar një pistë – fushë për aeroplan, të cilën në atë kohë, sigurisht në gjuhën turqishte e kanë quajtur  kaçorre. Kjo pistë – fushë ka qenë diku në fshatin Osek Pashë, në vendin e quajtur Fusha  e Zimit, apo Cimit.

Prej dëshmitarëve të kohës është folur se ata që kanë fluturuar me kaçorre, ose siç i themi ne, me aeroplan, deri te kjo pistë – fushë e avionëve kanë arritur me automobila, autovetura të kohës.  Pra, bëhet fjalë për pilotët që kanë arritur deri te kjo fushë e aeroplanëve për t’i ngritur avionët, ose pas aterrimit të shkojnë me ndonjë automjet në ndonjë vend tjetër, në Pejë, Prizren apo ndoshta edhe në Prishtinë.

Këto të dhëna m’i ka treguar  Nikollë Lasku nga fshati Qerim —Gjakovë, e ai i kishte dëgjuar nga gjyshi i tij.

 

ESAT KRYEZIUEsat Halil Kryeziu

  (1914-1977) – Pilot

Ka qenë i shkolluar për pilot. I ka njohur në mënyrë të përsosur  pjesët e motorit. Ka ligjëruar në Teknikën Popullore në Gjakovë për motorin e automobilit  dhe pjesët e tij. Disa breza nxënësish kanë vijuar këto kurse.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore si pilot ka qenë pjesëtar i forcave aleate RAF, forcat angleze të aviacionit.Gjatë shërbimit në Shkup, para Luftës së Dytë Botërore, montohet një maketë për ushtrime në fushën e avionëve në vendin Stankovec afër Shkupit, e cila ka qenë e përmasave të harkut më të madh të urës mbi lumin Vardar, urë kjo e cila e lidh pjesën e vjetër të qytetit (Bit Pazar)me qendrën e Shkupit. Gjatë ushtrimeve piloti, z. Kryeziu, bën akrobacionin gjatë pilotimit, duke depërtuar përmes atij harku me avionin luftarak.

Ka merita të mëdha për aftësimin e të rinjve me mbajtjen e kurseve  në Teknikën Popullore për radio amator, për fotograf etj. Në fund punësohet në shkollën fillore “Mustafa Bakija”  si arsimtar i bazave të arsimimit teknik – BAT, prej nga edhe pensionohet.

hAMEZ DOBROSHIHamëz Dobroshi – Xaga

1921-1968

 

HAMËZ MURAT DOBROSHI u lind në Gjakovë më 10 shkurt 1921. Ka kryer shkollën fillore qytetare në Gjakovë (Gradjanska Škola), në objektin që edhe sot e kësaj dite ekziston dhe njihet me emrin Mejtep Ruzhdie, me shokët e gjeneratës si Hasan Zhubin, Shexhahudin Shehun etj. Duke qenë se kishte mbetur pa prindër, me të mbaruar këtë shkollë, u paraqit nevoja të shkojë te daja i tij, Halim Zeka, i cili u interesua derisa konkurroi për t’u regjistruar në shkollën ushtarake – drejtimi për pilot. Pasi u pranua në këtë shkollë, në vitin 1938, autoritetet e atëhershme e dërguan të vijojë shkollimin në qytetin Vërshac.

Mu në prag të diplomimit, Jugosllavia e atëhershme, ose më saktë Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve u pushtua nga Gjermania fashiste dhe i gjithë personeli i shkollës ku vazhdonte shkollimin edhe Hamza, u zunë robër dhe u dërguan në kampet e punës në Poloni.

Aty, në Poloni, qëndroi derisa përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Gjatë kthimit me tren, në Mitrovicë mësoi nga disa gjakovarë se Brigada e Bokës (Bokeška Brigada) ia kishte vrarë xhaxhain Rexhep Dobroshin, para syve të anëtarëve të tjerë të familjes, në fshatin Rogovë të Hasit.

Pasi arriti në vendlindje, prapë u aktivizua në aviacionin e ushtrisë jugosllave, në aeroportin Rajllovac, afër Sarajevës. U martua në vitin 1947 dhe pas tetë muajsh e dërguan në aeroportin e Mostarit. Ende pa u adaptuar mirë në vendin e ri të punës, e transferuan në aeroportin e Shkupit, ku qëndroi deri në demobilizimin përfundimtar, që u bë për shkaqe politike.

Ashtu siç pohonte edhe vetë, ishte i pasionuar në pilotim.

Hamëz Dobroshi –Xaga, pas demobilizimit prej aviacionit të cilin e kishte dashur me pasion, në fund të viteve  të  50 ligjëron në Teknikën Popullore në Gjakovë për kursantët që kanë vijuar kursin për fotoamator,  sepse e kishte njohur teknikën e fotografisë. Më vonë shkruan për gazetën e Beogradit  “Borba”, si korrespondent i saj nga Gjakova.

Sa ka shërbyer në aviacionin ushtarak, ka pilotuar avionët e tipit Jastreb  prodhim i uzinës Utva  nga Pançeva,  Vojvodinë.

Vdiq më 27 gusht 1968, duke lënë pas vetes bashkëshorten Zehrën, djemtë – Fatonin dhe Nexhdetin dhe vajzën – Vjollcën.

Gjakovë, më 16 janar 2009 Dëshminë e dha i biri, Faton Dobroshi

KOLE GOJANIKolë Pjetër Gojani

1923-1999

 

(Novosellë e Ulët e Gjakovës)

 

Ky zotëri ka mësuar për mekanik, instruktor për ngasjen e avionëve dhe ka qenë pilot i licencuar për avionët ushtarakë. Për tetë vite me radhë ka shërbyer në armatë, në Garnizonin e Nishit. Mësimet i merr në vitin 1948 nga instruktorët për pilotim, të cilët në atë kohë kanë qenë nga Rusia.

Pas 8 viteve në uniformë, me insistimin e nënës së tij, e cila kishte frikë se djali i saj do ta pësonte në atë armatë, detyrohet ta lë uniformën e pilotit dhe të kthehet në shtëpi, në vendlindje. Për disa vite me radhë punon si porotë gjyqi në gjykatën e Pejës me ç’rast  ka ndihmuar shumë njerëz gjatë seancave të ndryshme gjyqësore.

Prapa fotografisë me uniformën e pilotit, të cilën ia dërgon vëllait të tij, Musës, ai shkruan: Për shëndet të mbarë e të gjatë  – vëllait tim, Musës, nga vëllai, Kola.

Në armatë ka shërbyer me gradën e kapitenit të aviacionit të klasit të parë.

Këto të dhëna më janë ofruar nga i vëllai Musa, i biri – Frroku dhe kushëriri Marian Gojani.

AZIZ POZHEGU                                         Aziz Muharrem Pozhegu – “Balloni”

                                                              (1931 – 1996)

Si djalë i ri mori patentën e pilotit në Mostar, në vitin 1951, kështu që shumë herë u hodh me parashutë në fushën e Dardanisë (ish Piskotë), prandaj për këtë shkak bashkëqytetarët e tij ia vunë nofkën “Balloni”. Tërë jetën punoi si shofer kamioni dhe autobusi. Është marrë edhe me futboll, duke luajtur si mbrojtës i djathtë i klubit “Deva”

Aziz Pozhegu, në fotografi me uniformë te pilotëve, u lind në vitin 1931 dhe  vdiq në vitin 1996. Ky i ri me talent të pamohueshëm, deri në një moshë të caktuar të pjekurisë, diku përafërsisht 45 vjeçare, për çdo vit ka shkuar në trajnim njëmujor nëpër qendrat më të njohura të aviacionit ushtarak të ish Jugosllavisë, siç kanë qenë: Mostari, Sarajeva, Shkupi, Beogradi, Prishtina etj., duke fituar edhe gradën e pilotit – kapiten i skuadriljes.