Enver Gjergjeku; Poezi ÇARSHIA E MADHE
Krijuesit gjakovarë, ishin të mishëruar me Çarshinë e tyre. Ajo për poetët ishte burim i pashtershëm frymëzimi. Zgjodhem një poezi të poetit të shquar Enver Gjergjeku me vargjet e bukura.
Akademik Enver Gjergjeku lindi më 1928 në Gjakovë në një familje qytetare. Në vendlindje kreu shkollën fillore (1942) dhe Shkollën Normale (1948), kurse Fakultetin Filozofik – grupin e gjuhës e të letërsisë shqipe në Beograd (1955), ku u magjistrua (1961). Është poet, studiues e historian i letërsisë dhe përkthyes letrar. Vdiq në Prishtinë më 2008.
Enver Gjergjeku
ÇARSHIA E MADHE
Kaluan mbi shpinën tënde të pashiluar
Shekujt e lindjës e të perëndimit,
E ti prap e Madhe !
Në një shpresë të vogël, e mbyllur
Në një ëndërr, e ruajtur thellë në krahror.
Bebë e syrit gjithmonë të çelur n’agime
Para syzave të zejtarëve të lodhur –
Çirak e zotëri kokëpërkokë të ngrysur
Deri në mesnatën e dejur në qerpikë,
Që qilën e mbyllën me qepengjët e plagosur.
Këtu dielli e hëna bredhin nëpër ledhet magjike
E lindin përsëri n’gjilperën e perin
E një xixe që flakëron si rrufe
N’jelekun e praruar me yll t’artë –
N’jelekun e mbushur me pranvera.
Në dorë u këndojnë bilbilat e trilluar
E ata qeshin e qajnë bashkë me ta.
Këngët u vërshejnë nëpër buzë
Si lumenjtë e pangushëlluar
Kur ikin të mahnitur nga shtrati i vet.
Kaluan nëpër ty shtërngatat e motit
Zjarri i mllefit dhe i mërisë të dogj.
E ti – prapë e Madhe !
U ngrite nga hiri i eshtrave
Që i ruajte në gjitë e pashterur.
Nëpër parzmin tënd shputat e lehta të vashave
Të trëndafilave që i ringjalle në duar
Të beqarëve shtatëdhjetëvjeçarë me dy palë syza
Që çojnë dashuri në kullat e fildishta të një zemani
Në shtretërit e tyre kurrë të shkrythur nga nuset.
Qëndrove në jehun e qemaneve
N’sharkinë krenare me tela të këputur,
Që dnesin nga mallëngjimi i pashuar;
Klithjet e dhëmbjës i ndrydhe përherë,
E ti prapë Zemërmadhe
N’ udhëtimin tënd të pafund.
Kaluan nëpër ty shumë stinë pranverore
Djelmoshave ua këpute përgjysmë këngët e majit
Dhe ua mbolle mustaqet para kohe
Kokat ua mbulove me dimra t’acarshëm –
Dimrat kurrë të pasosur !
Me cirkat e dnesjeve u rrite
Gurët i latove me thonjtë fëmijërorë –
Mesjetën mbi kokë –
Shpatë e Damokleut – më plake,
Por hapin kah shtegu i diellit
Kah agu i ri e mbajte..
Kaluan nëpër damarët e tu shekujt e shqetësuar
Jehu i lindjës dhe i perëndimit u shua
E ti – prapë e Madhe !
Me gishtin tregues në tamthin e djathtë
Dhe dorën e majtë mbi ballë !