Tuesday, December 31, 2024
Sporti

Eros Grezda: Në vazhdimësi marr mesazhe mbështetje nga Kuqezinjtë e Jakovës

Anipse nuk ka luajtur asnjëherë për skuadrat e Gjakovës, ku ka lindur, ylli i kombëtares së Shqipërisë, që ka një rrugëtim të suksesshëm si futbollist nga Prishtina, Dinamo e Zagrebit, Lokomotiva e skuadrat tjera, si Rangers në Skoci e deri me tash te Osijeku, mendjen e ka tek vendlindja. Mesfushori dhe sulmuesi i shquar Eros Grezda, që tipizohet si golashënues tipik, gjithnjë flet me dashuri  për futbolldashësit  gjakovarë. Ja biseda e shkurtër që bëmë:

Si jeni me shëndet ju dhe familja juaj dhe si jeni duke kaluar këto ditë të pandemisë globale Covid 19?

Po, shyqyr Zotit me shëndet jemi mirë,  si unë ashtu edhe familja ime.  Kjo kohë e karantinimit është pak e mërzitshme, por jemi duke u mësuar çdo ditë e më shumë. Në Kroaci kemi një lajm të mirë. Na  kanë lajmëruar  se  është duke i ardhur fundi kësaj pandemie,  kështu që ky është lajm pozitiv për ne sportistët.

Eros,  aktualisht jeni tek Osijeku?

Po, kalova te klubi ku isha më parë para se të transferohesha tek Rangers-i . Te Osijeku kam kaluar shumë mirë. Këtu e kam kaluar  vitin më të mirë të karrierës time ku edhe u shita në Rangers. Kisha shumë probleme me lëndime dhe me gjëra tjera,  kështu që e kisha shumë të rëndësishme të shkoj diku ku mund të luaj prapë,  ku mund ta kthej formën time më të mirë. Kisha oferta edhe jashtë Kroacisë mirëpo zgjodha Osijekun, këtu ndjehem më së miri.

Tash keni filluar ushtrimet  individuale në klub?  

Po, kemi filluar me ekipin prapë stërvitjet,  jo kështu krejt komplet në grup,  mirëpo me grupe të ndara me nga 5-6 lojtarë . Shyqyr që kemi filluar. Kjo është gjëja më e rëndësishmja. Kur do ti kthehet gjithçka normalitetit ende nuk e di por gjëja më e rëndësishme është që kemi filluar prapë.

Eros keni një karrierë të gjatë në shumë klube. Do të ndalemi pak tek Kombëtarja e Shqipërisë. Si jeni ndier dhe si e vlerësoni prezantimin në kombëtaren e Shqipërisë?

Po, normal. E kam pas ëndërr sikur fëmijë që një ditë të jem pjesë e kombëtares së Shqipërisë. Kjo u realizua. Së pari kam filluar me U-21 ku kam kaluar një kohë mjaft të mirë por të shkurtër,  sepse mbaroi ajo periudha. I bëra vitet që të mos jem më pjesë e U-21. Pastaj u ftova edhe nga Kombëtarja A,  gjatë kohës kur ishte De Biasi. Po,  kam kaluar shumë mirë. Aty isha lojtari më i ri i grupit për afër 1 vit edhe më kanë pritur shumë mirë,  si lojtarët ashtu edhe gjithë stafi. Më kanë ndihmuar me ato gjërat që një lojtar i ri ka nevojë. Por pastaj erdhi Panuqi pikërisht kur kisha edhe kohën më të mirë, periudhën më të mirë. Pasuan lojërat e drejtuara nga Panuqi dhe rezultatet nuk ishin të mira,  që e sollën edhe shkarkimin e Panucit.

Erdhi trajneri i ri Edi Reja?

Nuk  është Reja arsyeja pse unë kohët e fundit nuk kam qenë pjesë e grupit, mirëpo fakti  që unë  nuk kam luajtur shumë tek Rangers ose fare. Kjo ka qenë arsyeja kryesore. Tani erdha tek Osijeku edhe e kam bërë këtë hap që të jem prapë pjesë e kombëtares Shqiptare,  sepse nëse luaj,  d.m.th,  këtu nëse paraqitem mirë,  normal që do të vijë edhe një ftesë.

Eros është interesante se një pjesë bukur e madhe e lojtarëve nga Gjakova kanë qenë dhe janë pjesë e kombëtares së Shqipërisë.  Si keni kaluar si grup me vendlindjen Gjakovën?

Kam luajtur edhe me Burim Kukelin edhe me Amir  Abrashin. Janë fantastik. Të gjithë futbollistët jemi ndier mirë në grup, si Kombëtare. Kuptohet ne gjakovarët kemi pasur një afërsi akoma më të madhe. Unë kam qenë ai që krijoja atmosferë gazmore, bëja hajgare me ta duke treguar barsoleta !!! Fakti se më së shumti ka gjakovarë kombëtarja e Shqipërisë,  normal që është shumë gjë e mirë. Gjakovarët përfaqësojnë Shqipërinë,  sepse Gjakova, klubin e zemrës e ka Kuq e zi dhe Shqipëria është Kuq e Zi. Kjo na ka lidh neve edhe më shumë me Shqipërinë. Për mua është një ndjenjë shumë e mirë. Në vazhdimësi kam pas shumë mesazhe pas çdo loje nga fansat Kuqezinjtë e Jakovës. Me të vërtetë është një ndjenjë shumë e mirë.

Një këngë e preferuar jotja që ju çmallë me Gjakovën?

“Dy dele 300 pare”…!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *