Esat Bicurri : Ahengu gjakovar në shekuj
KUSH DON TË RIKONSTRUKTOJË
SHPIRTIN E SHQIPTARËVE
LE TË MBLEDHË ME KUJDES
KËNGËT E TYRE.
Hekardi
Ahengu gjakovar në shekuj
Botuar GJAKOVË 2006
PARATHËNIE
Ky tekst me titull kuptimplotë po botohet vonë. Mirëpo, si ajo fjala e urtë, më mirë vonë se kurrë. Mbase në mos teksti, vetë titulli është një monument kulturorë i qytetit, i cili përkrah krajatave të ndryshme, kur me pallë e dyfek në krah, duhej përballur me të huajin, gjente kohë të kultivonte shijet e tij përmes këngës, lojërave e të tjera. Dhe kjo këngë popullore qytetëse në formën, tërësinë e saj me siguri vjen e përgjysmuar, megjithate paraqet shpirtin e këtij populli. Këngëtari i muzikës calypso, Hari Bellafonte, në një shenjë kohe thoshte, kënga për mua është flamur dhe bombë. Vallë, a do t’u kishte pëlqyer kjo perifrazë autorëve të këngëve Dah Polloshka dhe Mahmut dac Galica… Në letërsinë popullore, jo rrallë, autorët nuk i njohin, tjetër ata banojnë në të shkuarën, pra përgjigja mungon.
Të përpilosh vështrim për tekst të një autori të caktuar për “mjeshtrin” është kënaqësi individuale. Madje ai përpiqet të zbulojë të gjitha finesat, që nga frymëzimi, motivet e gjer te kategoritë estetike. Ndërsa për temën, titullin konkret, një trajtesë e tillë më parë se çdo gjë është sakrificë, është Sizifi vetë. Një tekst kësodore me autorë të numërt, vokacionesh të ndryshme, pjesa madhore e të cilëve frymon në mbamendjen gjakovare, që tani do të komunikojë me ne përmes prezentit historik, ngase jo rrallë, kemi të bëjmë me fosile tekstesh (për faj të kohës). Kështu, një punë e tillë kërkon përkushtim. Aq më tepër kur kjo shqipe e skalitur në strofë, daton kur shqipja nuk shkruhej ndër ne, por këndohej e flitej, sepse kjo gjuhë e uruar asokohe nuk kishte alfabet të kodifikuar.
Vetë letërsia shqiptare në fillet e saj kishte karakter regjional. Shkrimtarët e veriut nuk dinin se në Voskopojë bëheshin përpjekje me mish e me gjak, për të shkruar e shtypur libra në shqipet. Edhe Tahir efendi Gja-kovari / Emri Vehbije 1835 – v.j. / nuk dinte se Ibrahimnezim Frakulla (1685 – 1760 v.j.) kishte shkruar vjersha para tij dhe kishte krijuar poetikën e vet madje.
Teksti, Ahengu gjakovarë në shekuj, ka autor Esat Bicurrin (ekonomist) një këngëtar i sprovuar me timbrikë të gjërë dhe gamë lirike epiko-lirike. Autori si pinjuell i një familjeje të madhe, ka pasur rastin të takojë një pjesë të mirë të këtij spektri nëpër sofrat mikpritëse të rendeve, qoftë si këngëtar apo instrumentist. Kjo punë është bërë me entuziazëm, është nisur me dëshirën më të çiltër, për të ruajtur këto visare. Për të bërë një atlas muzikor të kësaj Gjakove, e cila me kaçikun e vet i kultivon traditat shqiptare me gjelozi. Fryte të këtij mundi shihen në tekstin e mëhershëm Një këllëf me ar ta çova. Autori ynë i këndon këngët me jare që ruhen vetëm në Gjakovë e në Shkodër. Sepse është Shkodra e Balshajve, e Barletit, e Bushatlijve, e Sami Repishtit, por është edhe Shkodra e Rozofatit, ajo e patundshmja / Roza dhe Fa v.j. /. Edhe Gjakova, fushoret e së cilës i spërkasin stërkalat e Drinit të Bardhë, ka këngën popullore / baladë / Ura e Fshejtë.
Se Gjakova është vendbanim i lashtë që mund të kapardiset me Therandën tregon një hartë e kohës së Ptolemeut, me emërtim Gabella, shkruhet se figuron Gjakova apo Jakova e veprës Bagëti e bujqësia.
Në fillet e këtij shekulli e më herët ndeshemi me një plejadë të madhe poetësh, piktorësh e skulptorësh – artistë të papërsëritshëm në Paris, të cilët ndonëse krijonin me fuqi titanike vepra monumentale, fitimet nuk u mjaftonin për të ngrënë, e lere më për të pirë apsint. Ndër ta përmendëm Pol Gogen, Vinsent van Gog, Anri dë Tuluz – Lotrek, Pol Sezan apo më vonë Andre Breton, Zhorzh Brak, Pol Eylar, Lui Aragon, Filip Supo, Zhan Arp, Tristan Cara e të tjerë. Në mesin e këtyre idealistëve të novatorive në art ka edhe të tillë që ngrysen e gdhihen poshtë urave të Senës. Janë këta boemë, të cilët jo vetëm si meditues, somnambullë peshojnë përditshmërinë ë kulturës botërore në pëshojë të veten, të lodhur nga ai zallahi etikecioni, përkrah botës së tëhujsuar. Mund të hyjnë ata edhe në trajtesa me ndërlikime të ndërduarta, por gjithnjë nga aspekti i tyre i këndvështrimit, gjë që pavarësisht nga vlera hidhet posht nga qarqet mondane.
* * *
Në këtë libër hasën këngë që datojnë prej vitit 1770, me një fjalë krahas me letërsinë bejtare në letrat shqipe, e cila u shkrua shqip me alfabetin osman. Praninë e turkut e hetojmë, në mos tjetër, përmes tucizmave nëpër vargjet e këngëve, të cilat të përdorura, sado me kursim, flasin për islamizimin që kishtë përfshirë këto anë. Ndërsa është pakuptim, pse nuk gjenden gjurmë e shtresime këngësh më të hershme sikur për shën-gjergjin, buzmin…
Gjakovarët në mesin e shekullit të kaluar pos Medresës së Madhe, arritën të themelojnë edhe atë Xhedide / Medrese e Vogël / që punonin me program të medresës Fatih në Stamboll. Me kohë fillon punën edhe gjimnazi, kurse në vitet 1910 – 1911 hapet ryzhdia askerie, shkollë e mesme për kadetë, por me jetë të shkurtër, pa ndonjë brez të diplomuarish. Kështu Gjakova e kësikohshme arriti disa caqe strategjike në lëmin e arsimit. Të theksojmë se pedagogët në këto shkolla ishin vendës. Mirëpo me largimin e Turqisë nga këto anë, në vitet 12, mbyllen shkollat. Gjërat ndryshojnë, ndërpritet ai hov zhvillimi i zanateve, zvogëlohen tregjet, shkurtohen rrugët tregtare, pasojnë luftërat ballkanike dhe ndërrohet okupatori.
Ndërkohë, disa breza djemsh kishin kryer shkolla të ndryshme në Gjakovë e qendra të tjera, madje studime të mirëfillta në Stamboll, Kajro e gjetiu. Të tillët qëmoti komunikonin me dituritë e Orientit, duke këmbyer literaturë, pasi këta rridhnin nga qarqe feudo-tregtare të qytetit. Kurse në teqet e shumta të qytetit lexohej Hadikaja, Myhtarnameja e më vonë edhe Qerbelaja e Naim Frashërit, të cilat rëndom shoqëroheshin me ilahi në shqipet. Në njëfarë dore përmes këtyre dritareve arrijnë edhe idetë ilumininste.
Rendet e hershme në Gjakovë me siguri organizoheshin moti. Zanafillen e tyre nuk e dimë. Sigurisht këto ndeja janë aplikuar edhe gjatë sundimit turk, sepse edhe ai kishte kundërshtarët e vet në këtë trevë. Madje gjatë sundimit turk, Gjakova si qendër jo e qetë, shërbeu si garnizon ushtarak ndëshkimor.
Ndejat e hershme, rendet fillonin e mbaronin me biseda në mes miqve, bashkëmendimtarëve që i afronin idetë. Dhe nga kjo kohë thuhet se daton muhabeti / biseda / e mban këtë dynja. Këto ndeja mbaheshin një herë në javë, kur fillonte nata të zgjatej e deri në nevruz, me 21 mars. Gjatë verës bëheshin dreka në vendpikniqet e qytetit. Duke pyetur shokët se kush e ka rradhën / rendin / të organizojë ndejën javën e ardhëshme i mbeti emri rend.
Ndërkohë rendi do të zgjerohet, pos intelektualëve do të hyjnë edhe shtresa tregtarësh, zejtarësh, punëtorësh. Me kohë hyjnë edhe instrumentet muzikore, orkestri, ndonëse rendi i ka tekat e vet.
Rendet mbaheshin në ambiente familjare, për shkaqe sigurie, si dhe në mungesë të vendeve publike. Madje kjo letargji e një jete efemere, pa prespektivë të qartë dhe nga neveria që ndjenin për pushtuesin me të cilin nuk i lidhte asgjë, as traditë, gjuhë, fe – gjëqë, këto mprehje disonante thellohen edhe më tepër.
Një fakt tjetër, gjakovarët në Kosovë së paku, njihen si gazmorë, dashamirë të këngës, sevdalinj, ndaj si të tillë edhe natyra i ka shpërblyer pakursim me freskinë e Çabratit, Fushës së Tyrbes, Krenës, Erenikut, Drinit të Bardhë, Tyrbes Çabrat, Tyrbes se Tahir Efendiut, asaj të fshatit Byc dhe Tyrbes së Sheh Fetahut, që shtrihen në katër pika periferike të qytetit. Në këto vende bëheshin pikniqe gjatë verës nga pelegrinë të shumtë, kur kërciste kënga dhe vallja.
Në rende pranë orkestrit këndoheshin këngë të moçme, por edhe të reja të krijuara enkas, të cilat interpretoheshin në konkurrencë. Dhe në mungesë komunikimi me trevat tjera u krijua kënga gjakovare, unike sa i përket ritmit e tematikës. Ndër to vërtet mungojnë isotë e këngës popullore toske, por jaret dhe ofaitë e zërave të thekshëm, që nuk i hasim në muzikën tonë.
Ndër këngët që thurreshin e këndoheshin ishin ato ashikëve e dylberëve (në Gjakovë, arshik) që është një veçanti. Këto këngë si motive në kulturën tonë janë të hershme. Madje kjo tematikë gjendet në Bibël e Kur’ani kerim, kur flitet për qytete Sodoma e Gomora, të cilat shafiten se nuk iu përmbajtën urdhërave të Tënzot. Nuk do të flasim tani si Nexhip Alpan, studiues turk nga Gjirokastra, se format e letërsisë bejtare janë të ndikuara nga Orienti. Pra, duke jetuar me norma islamike, kur gocë e re dhe tërë bota femërore vishte ferexhenë e maskohej, këndohej për dylber e arshik. Të dyja këto fjalë janë turke. E para ka kuptimin e djaloshit të bukur, të adhuruar dhe fjala ashik shqip është dashnor, i dashuruar, e të tjera. Këto nocione paraqiten në vjersha, këngë, një pasqyrë të vonë e të mangët, të të cilave e sjellë ky libër.
Sidoqoftë, besoj se u kuptua pse egziston Gjakova me këngën arshikishte e jo konspekti historik në vend të saj.
Diçka tjetër qëmoti, poeti, krijuesi i takon elitës së një kombi, shpesh bëhet edhe ndërdije e tij-pra qëndron më lart në rrafshin intelektual. Të tillë me sharki në krah merrnin rrugën këmbë për të bërë garë në Berat, Stamboll e tutje. Këto ecejake sot janë të pakuptueshme edhe për autostoperët.
Më në fund, këta artistë të hershëm që përjetuan dylber e arshik, këta idealistë tanë janë njësoj me boemët françezë edhe pse nuk banuan nën urat e Senës. Si duket njohën gjuhën universale të artit, ndaj nuk u imituan, nuk u përsëritën.
* * *
Libri përmban diku nja 54 këngë të mirëfillta, hiq bejtet, vjershërimet, “kronikat” e Qet Kocit dhe këngët e kapuçave, të cilat si njëra dhe tjetra përmbajnë improvizime të atypëratyshme, varësisht nga përbërja e rendit apo ekipeve lojëtare dhe thumbave të nevojshëm që shkëmbehen.
Në mesin e këtyre teksteve, shumë këngë janë më të vjetra, disa syresh, gjykuar sipas autorëve, na vinë nga shekulli XVIII dhe tjetrin më pas. Pra, para Hamëz Kavaçit (1795), Kolë Çorrit (1800) e gjer te Muharrem Mici e Ardian Hoxha, interpretuesit më të rinj.
Kryekreje, letërsia trajtohet në kontekstin kohor historik. U muarr vesh, në konotacion me kohën tonë ndodh të mos qëllojë aktuale për momentin, tjetër mund të na shpëtojë ndonjë lajthitje e pakëndëshme, jo vetëm për ne.
Një libër që sjell poezi nga e kaluara, veçanërisht për një popull pa liri, nuk do të kishte efekt sikur të mos përmbante vjersha me patos patriotik. Në këtë mes do të dallonim tri perla në llojin dhe kohën e vet (akëcila më e bukur se shoqja) si; Me tre vet luftën e nisi, Mahmud dac Galicës dhe Elif senja me tetë.
Kënga Me tre vet luftën e nisi zë fill rreth një ngjarje në gjysmën e shekullit të kaluar dhe bën fjalë për qëndresën, vetëflijimin e Abdullah agë Kahremanit, heroi, siç e quante profesor Anton Çeta, madje krahasimi i tij me Misirliun (Mehmet Alipasha i Egjiptit, që mundi turqit) e cila merr krah nga flatrat e hartuesit, strofa katërshe (12) me rimë të alternuar.
Me tre vet luftën e nisi
Si me konë Misirlija
Abdullah aga Kahremani
Namin ia dau Rumelija
Se asqeri po ban hyqmet
Për kët mashkull të Gjakovës
T’i kish pas’ i qin si veten
Pat me i çu n’Fushë t’Kosovës
Si fatos, kryetrimi ynë njihet në trojet e popujve të shtypur nga Perandoria Osmane, madje tre vet ndërsejnë armatën turke në periferi të Gjakovës, duke kundërshtuar tanzimatin, reformat e pushtuesit, ndaj edhe motivi është i denj për këngë të sharkisë me dymbëdhjetë tela.
More at more hijanet
More qysh s’e bane i grim’gajret
Mos t’ish kanë llagami shkretë
Pat me dalë Daha në selamet,
Autori i këtyre vargjeve, për këtë trim dai, të cilin për fat të keç nuk e njohim, është përpjekur të pasqyrojë momentin e qëndresës dhe të vetëflijimit. Natyrisht, simpatia ndaj heroit njëkohësisht shënon urrejtjen ndaj të huajit. Kjo tablo kaç e bukur, e denj për paletë të Diego Velaskezit (1599 – 1660, v.j.), përmbanë edhe fjalë të huaja që në atë kohë në mungesë të një shkolle, gazete a libri kombëtar përdoreshin.
Mbase jo më pak e bukur se kënga e parë është e Mahmud dac Kalisit, e cila në mbarë-shtrimin e vet ka një gradacion të natyrshëm:
Krisen topat more në zabel
Thuj Mahmudit more ja s’pom del
Thuj Mahmudit more n’daç me dal’
Se dovleti more ty t’ka fal’,
… për të vijuar me një farë dialogu të strofave:
Me m’pas falë o dovleti mue
Me asqer o s’më kish rrethue, …dhe
Veq me i djal besa vet i tretë
Kulla ime more lifton vet
Lifton vet o deri n’aksham
Kajmekamit t’ia lam o nji nam’
Në këtë tekst kemi edhe apanastrofë (tautologji) me, me mandej thuj, thuj, fjalët nistore të vargjeve për të fuqizuar ritmin e tekstit. Njëherit ndeshim personifikimin te fjala kullë, që për shqiptarët dënbabadën është simbol qendrese. Vargjet janë tetërrokëshe në kombinim me dhjetërrokëshin. Teksti ka më pak fjalë të huaja, vjersha ka porosi të mëdha për qëndresën ndër breza:
O Aziz more biri jem
Merr shishanën biro vraj me ren
Merr shishanën biro vraj me ren
E t’mi zgjedhin begen, begen.
Përkrah kësaj shkon edhe teksti i këngës Atje poshtë te mullini që bënë fjalë për qëndresën e Rexhep Gerçarit në lagjen Gerçar të Gjakovës, një baladë me fjalë të zgjedhura për nënë e nuse që djali i hasretit do të bëhet martir.
Elif senja me tetë është tekst i hartuar dhe kënduar në vitet e stuhishme 1908, kur populli ynë përpiqej të vizatonte hartën e të qenit autokton në këto troje, pra për një “gjeografi” kombëtare, e cila edhe sot nuk është e plotë.
Elif elif senja me tetë,
Shqiptarija na u çu në kamb’
Kush ta ken’ iman me dek’
Karadakun hajde ta bajm bejan, … dhe
Moj kalaja e mijdunit
Qe sa mot je met’rrethu’
Përmbi shkallzit gurë mermerit
S’mundet kaurri me t’zaptu
Mesazhi i vjershës, i autorit është i qartë përmes këtyre vargjeve tetërrokëshe edhe pse rima shpesh mungon. Autori me anë të asonancës, arrin efektet tingullore të vargjeve, të cilat kërkojnë besimin e shqiptarit për t’u bërë fli, sepse zëri i atdheut nuk men.
Dal kadal kaurr katili
Se hala s’je vajt pergjys’
Kur e merr shqiptari idhnimin
Bjeshk’e male na i përmbys’,
Kalaja, sikurse kulla personifikohet. Me termat kaurr, mijdun, pergjys’, përmbys’ etj., autori shpreh krahasimet në këto gjini epiko-lirike, të cilat vargut i shërbejnë si kolorit për të krijuar atmosferën e qëndresës, sikur F.S.Noli që gjen togfjalëshin “Kurr më” dhe fjalët tjera të huaja në poezinë e tij.
Në kuadër të këtij motivi hyn edhe kënga Të shtunën mas iqinije (hakmarrja), Selim begu kçyr n’dyrbi, O ju burra more dibranë, More Ili, o more kral, e të tjera.
Dhe nuk është rastësi pse në Gjakovë këndohet Kënga e Çanakalasë, e cila është përkthim i asaj turke që këndohet në Prizren. Kjo ndodh për arsye se në të madhërohet qendresa e Gazi (ngadhnjimtar) Mustafa Kemalit, si komandant, kur i përzuri të huajt. Pokështu nuk është rastësi miqësia dhe letërkëmbimi i Hafiz efendi Gutës, tribun gjakovar, me akademik At Gjergj Fishtën, provincial i françeskanëve të Shqipërisë, në fillet e këtij shekulli.
Ndërkaq, këngët e dylberëve dhe arshikëve nuk kanë nota përgjithsuese. Ato i përkasin në një farë dore lirikës refleksive, pra ka notë personale në akëcilën prej tyre, sadoqë bëhen përpjekje që kjo vuajtje, dhimbje t’iu përkas edhe të tjerëve. Sikurse edhe më parë, po që se i heqim fjalët e huaja, ndeshim poezi të mirëfilltë lirike, madje edhe metafora të goditura.
Ndër autorët që dallohet pa mëdyshje është Hamëz Kavaçi, i cili ka një frymëzim të drejtpërdrejtë në tekstin Elif se u marush.
Të baj be sa te jam gjall’
Përmas teje jaran s’du,
Se jam met si peshku n’zall
Çare s’u gjet kund për mu…, për të vazhduar:
Gjin gjiblet që m’i ke
Veç hazreti Isufi n’i past…, ose
Dall duaja qerpikve tu
Si vetima rreth sabahit…
Autori me këtë tetërrokësh popullor krijon shtimungun për objektin e adhurimit. Nuk i kursen
aliteracionet gjin gjiblet, dall duaja, haja hallkat e të tjera figura të rralla. Metafora e qerpikve është shumë e rrallë që mund të rrijë pandam edhe me lirikën artistike. Në strofat tjera autori tregon se është dervish, jam një dervish, jam një pijedar dhe se jam nis për ahiret.
Autori, ky mjeshtër i sharkisë e tregon veten si mexhnuu. Fjalët e huaja e rëndojnë tekstin e këngëve, madje me një petk fetar të dukshëm, si krahasimi me hazreti Isufin, simbolin e bukurisë islame… Hamëz Kavaçi është autor i këngës Tridhjet e një ditë n’ramazan, ku shprehet adhurimi për Alush beg Beratin.
Në tekstin Elif, nur e la nur lexojmë, ke sevap me fol’ me arshik-e, / o se n’qitap, more e kam pa-e/, për të vazhduar më tutje o’zemra e arshikut, a si gastare, / ajo prishet, more me i gjys fjale.
Tekst interesant është edhe ai Ditën e Ruzit e Masherit. Në këtë poezi imitohet vetëmohimi, besa e Aga Ymerit. Kjo dukuri nuk ndodh vetëm në letrat shqipe. Në letërsinë botërore shembuj të tillë janë më të shpeshtë, si Odiseu i Homerit dhe Uliksi i Xhems Xhojsit, etj.
Ditën e Ruzit e të Masherit,
More aty bahen sevape e gjynahe
Arshiku i lutet Allahit
Xhezan le ta hek’dylberi.
Ndërsa në vjershën Exheli pse më vjen mirë e dita lexojmë:
Dul ni re e zu diellin,
Qaj dylber qi don arshikun
Ai asht i dashni i Perendi’s
na erdh koha e hazreti Alis’
Autori anonim krijon një si nebulozë me këtë mjegull, si një dramaticitet për të përjetësuar dylberin e arshikun gjer te Perëndia dhe më vonë te Ali Abaz, që të tregojë përkatësinë e vet të dervishit.
Në këtë ritëm, por një këngë më e bukur është ajo Ta kam livdu bukurin që e këndonte Myftar Gjoki me sharki:
Për xhuma kur del n’xhami
Në sexhde ma vnon synin e zi
Ja s’ma fal ta çoj në shpi
T’i çes mejdan bukuris !
Tërë strofa sublimon një metaforë të dyfishtë, tejet të rrallë, që luhet me sy brenda strofës. Këto na kujtojnë Hasan Basrin, një predikues islam, që i hoqi syt e bukur nga vasha dhe përsëri i vuri në vend, sepse ajo pa sy, ndonëse ishte shum e bukur, u shëmtua. Mjerisht që nuk ja dimë autorin.
Në këto krahasime të pakursyera me monumentet e islamit e lexojmë një strofë të poezisë Ngoni shok se ç’thot Nezimi:
Ftyra e çunit si musafi
Të gjitha suret n’te po jan’
Të ngrehun jan sajfa sajfa,
Bre djal ku vret manoja.
Me një fjalë, fytyra-libri i shenjtë, verset që rëndohen radhë-radhë dhe kërkohet nga djaloshi që t’ia dijë vlerën këtij krahasimi edhe pse është idhull. Pra bëhet presion për vlerën e lartë që i jipet.
Një vjershë meditative që nuk e ka temën e dylberit është Vet me vete po mendohem. Kjo vjershë edhe sot këndohet si këngë, ka si temë dritën që në kohë të errta të historisë, për të zhdavaritur terrin vinte nga qiriu. Është një poezi simbolike.
O, qiri qiri, pamuk edhe vjam
O, ti që më je i pa duer e i pa kam’
O, ofai, ti që m’dhizesh n’mramje n’aksham
O, se me ty këndohet kur’ani.
Kjo poezi i kushtohet babait bektashi, me një fjalë një eruditi, një humanisti, i cili tret netët pa gjumë me dritë qiri, duke lexuar kryevepra sikurse Kur’ani. Është enigmatike si nuk dihet autor i kësaj vjershe. Mendojmë se i përket shekullit XX. Siç shihet autori e kishte formësuar fizionominë e poetit. Dallon nga të tjerët, jo vetëm në pikëpamje të leksikut, pastaj frymëzimi, tema jo e zakontë për atë kohë si dhe porosinë e madhe iluministe që nuk e gjenë te autorë të tjerë të kësaj sere.
Të përmendim edhe Beqir Barakun, autorin e këngës Sarajevë o shehri i bukur, / rreth em rreth me teferixhe, njëkohësisht xhaminë e Hysref beut, këtë personifikim, një poezi deskriptive me porosi të qartë për bashkim. Kurse tjetra Ka nji muj e disa vjet, me atë refrenin e paharrueshëm:
Te mullini përmi vi-e
Aty shtrojshin për me pi-e
Tash na vjen Aziz’ o i vogël
Na tranoi me bukuri-e
Beqir Baraku nuk njihej më parë si poet. Kjo e dhënë u muarr vesh vonë. Mirëpo te ky krijues hetojmë ndjenjën e kristalizuar të masës si poet, sadoqë na mungojnë krijimet tjera për ta njohur më për së afërmi.
Ky libër ka edhe tekste të tjera të goditura me mjeshtëri, por kësaj radhe trajtuam këtë segment të shkrimeve. Shkrimet tjera më të vonshme, madje ato i ka vlerësuar edhe ndonjë tjetër.
Për këta autorë si duket vlen ajo maksima e Hegelit, letërsia si art qëndron mbi të gjitha. Këta autorë shohin vetëm objektin e adhurimit, një Pigmalion a një Adonis kurse jeta për rreth mbetet e largët, e zbehtë.
Nuk gjejmë motive shoqërore ose së paku të gërshetuara si te Ibrahimnezim Frakulla, aq më tepër te Hasan Zyko Kamberi.
Gati harruam të themi se të gjitha këto tekste janë “shtrirë” në pentagram. Pra shihet një punë e lakmueshme madje me fotografi të artistëve që nuk i kemi më, si ajo e Shaban Pajës e të tjerëve.
Një vlerë në vete në këtë libër përmbajnë rrëfimet në prozë, me piklime lirike të autorit, për Hamëz Kavaçin, Ramadan Gongën, Jahja Xharrën, Ymer agë Rizën, poetin e kombit Esat Mekulin, Dinë Bakinë, Zija Bakinë, familjen Peja, Halim Sahatçiun, Fahredin Hoxhën, atë intelektual këngëtar, që vdiq i ri. Ndërsa lojërat popullore, si Vili bat, Kpuca me arrë dhe Loja e kapuçave kanë vlerë të pamohueshme etnografike, për çka e përgëzojmë autorin.
Ky botim sadokudo paraqet një material me vlerë për kulturën e Gjakovës në një shenjë kohe, për gramatikën historike, dialektore … që do t’u hyjë në punë brezave që vijnë.
Prof .Bajram Olloni