Prokurorët e EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) zyrtarisht kanë iniciuar hetimet për Krime të Luftës të kryera në komunën e Gjakovës, më 27 dhe 28 prill 1999, duke i përfshirë fshatrat Mejë, Orizë dhe fshatrat tjera të Luginës së Rekës së Keqe.
Deri tani, prokurorët kanë identifikuar përafërsisht 20 të pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për Krime të Luftës kundër popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 372 viktimave gjatë një sulmi të kryer kundër popullatës civile shqiptare, e cila i qe nënshtruar torturës, trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, konfiskimit të pasurisë dhe plaçkitjes, veprime këto jo të arsyetuara me nevojat ushtarake. Shumica e viktimave ishin zhvarrosur nga varreza masive në Batajnicë, Serbi.
Masakra e Mejës dhe e rrethinës pretendohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë. (koha net)