Në numrin më të ri të revistes Gjakovapress, në kuadër të fejtonit ARSIMI SHQIP NË GJAKOVË nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit , botojmë portretin QAZIM Selim BAKALLI
U lind në Gjakovë. Në qytetin e tij të lindjes e kreu shkollën fillore turke. Kjo ishte një shkollë e reformuar, e njohur me emrin iptidaije, e cila në fillim merrej me mësimin e gjuhës turke, me qëllim të aftësimit të fëmijëve për të vijuar mësimet në këtë gjuhë. Këtë shkollë e kreu me sukses të dalluar.
Këtu duhet ta bëjmë një krahasim të vitit të lindjes, sepse në faqe 275 të librit Pishtari i arsimit e i demokracisë, Niman Ferizi, botuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, 2015, autori prof. dr. Shevqet Canhasi shkruan se mësuesi Qazim Bakalli ka lindur më 3 janar 1880 dhe ka vdekur më 15 shkurt 1981. Ndërsa viti i vdekjes përputhet me vitin që e shënon edhe Abdullah Vokrri në librin e tij Mësues në Kosovë e në Shqipëri, Prishtinë, 2008, f.43-48, viti i lindjes është i ndryshëm te ky autor, i cili shkruan se Qazim Bakalli ka lindur në vitin 1895. Edhe në shumë portale në internet, viti 1895 është shënuar si vit i lindjes së Qazim Bakallit, pra jo viti 1880, siç e shënon prof. dr. Shevqet S. Canhasi.
Pas kryerjes së shkollës fillore, në vitin 1909 regjistrohet në Dārulmuallimīn në Shkup, e njohur si Normalja e Shkupit, të cilën e mbaroi më 1912. Normalja e Shkupit ishte hapur me qëllim të shkombëtarizimit të shqiptarëve myslimanë të këtyre anëve. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse nxënësit shqiptarë e mbaronin këtë shkollë, por ata prapë mbetnin shqiptarë. Nuk e harronin gjuhën e nënës.
Një ndër ta ka qenë edhe Qazim Bakalli, nxënësi më i mirë i Normales së Shkupit. Në këtë shkollë ai u njoh me studentët [nxënësit] e tjerë nga Gjakova dhe Kosova, që kishin mendime përparimtare dhe ishin miq të Bajram Currit, si: Salih Morina, Ibrahim Fehmiu, Ibrahim Kolçi etj. Qazim Bakalli e përfundoi Normalen e Shkupit me vlerësim të përgjithshëm “fort mirë”.
Meqë Qazim Bakalli ishte regjistruar në vitin 1909 në këtë shkollë, nuk na merr mendja të ketë qenë 29 vjeç. Prandaj është shumë më e besueshme që viti i lindjes së tij është viti 1895 dhe pas kryerjes së shkollës fillore turke, si 14 vjeçar të ketë vazhduar shkollimin në Normalen e Shkupit, siç njihet ndryshe shkolla Darulmualimin45, e cila në vitet e fundit të Perandorisë Osmane ishte një nga shkollat më me emër në tërë rajonin, ku mësuan, u edukuan dhe u arsimuan shumë djem shqiptarë nga Kosova, në veçanti nga Gjakova.
Sikurse edhe nxënësit e tjerë të Gjakovës, që ishin të zellshëm, edhe Qazim Bakalli ishte njëri ndër nxënësit më të dalluar të shkollës, për çka shokët dhe profesorët e çmonin dhe e donin shumë për cilësitë dhe aftësitë e tij. Ky vlerësim zgjati deri atëherë kur nxënësit filluan të kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine. Për këtë ata iu drejtuan me një letër patriotit të shquar dhe luftëtarit të kohës, Hasan Prishtina, dhe ministrit të atëhershëm të Arsimit në Perandorinë Osmane. Përveç kësaj, grupi iniciator, kërkonte që gjuha shqipe të mësohet si lëndë mësimore. Kërkesa e tyre u realizua, por jo e plotë. Mësues i gjuhës shqipe u emërua Sali Gjuka nga Peja. Themi jo e plotë, sepse gjuha shqipe ishte lëndë jo zyrtare dhe zhvillohej pas orëve të rregullta.
Pas një viti, në këtë shkollë kishte bërë vizitë ministri i Punëve të Brendshme i Perandorisë Osmane. Kjo vizitë ishte një ngjarje e veçantë për shkollën dhe rast për nxënësit që të kenë mundësi t’i paraqesin kërkesat e tyre. Drejtori i shkollës, Sabri Xhelili, edhe ai deshi ta shfrytëzonte rastin dhe t’ia paraqiste ministrit nevojat e veta. Për këtë qëllim, ai e futi ministrin në një klasë ku shumica e nxënësve qenë nga Gjakova. Drejtori në prani të ministrit iu drejtua nxënësve duke i pyetur kush ishte ai që kishte kërkuar që të mësohej gjuha shqipe si lëndë mësimore. Menjëherë u ngritën në këmbë mbi gjysma e nxënësve të klasës. Drejtori bërtiti duke u thënë nxënësve që të ulen, kurse të ngritën vetëm ata që nuk ishin nga Gjakova. Situata në klasë ishte acaruar, prandaj shokët ia bënë me shenjë Qazim Bakallit që të ngrihet dhe të flasë pasi që ishte më i riu, dhe nuk e merrte ligji. Qazimi Bakalli u ngrit dhe tha: “…nuk jam vetëm unë që kam kërkuar që gjuha shqipe të jetë lëndë mësimore, por të gjithë ata që kemi nënshkruar këtë kërkesë apo peticionin”.
Pas kësaj ngjarje, Qazim Bakalli e pagoi në përfundim të vitit shkollor, sepse e munduan në provimin vjetor…. (gjërësisht në Gjakovapress nr. 159-online)