Festa e mjaltit në Gjakovë
Me organizimin e Shoqatës së Bletarëve “Flora” në Gjakovë, në ambientet e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, u mbajt festa e mjaltit, ngjarje kjo e cila është bërë tashmë tradicionale dhe mbahet në kuadër të 62 vjetorit të themelimit të kësaj shoqate. “Festa e Mjaltit” është mbështetur nga Komuna e Gjakovës përkatësisht nga Drejtoria e Bujqësisë dhe ka zgjatur dy ditë, me 6 dhe 7 Nëntor.
Adhuruesit e mjaltit patën mundësinë të kenë afër vetës dhe të provojnë lloje dhe cilësi të lartë të mjaltit, njëkohësisht të promovojnë produktet vendore duke stimuluar zhvillimin e kultivimit të mjaltës vendore.
Në ceremoninë e hapjes solemne të këtij manifestimi, fillimisht ka fol kryetari i Shoqatës së Bletarëve “Flora”, Florim Dautaga, i cili duke përshëndetur të pranishmit nga të gjitha anët, Saranda, Shkodra e Mitrovica … i ka përgëzuar ata për punën që bëjnë në vazhdimësi.
Në anën tjetër, Bekim Ermeni, drejtori i Drejtorisë komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Gjakovë, tha se drejtoria që ai drejton do të vazhdoi me aktivitete në mbështetje të bletarëve.
“Festa e Mjaltit 2015” në Gjakovë ka vazhduar me punëtorinë në temën “Bletaria në Kosovë e Shqipëri dhe perspektiva e saj”. Kultivues të këtij produkti dhe ekspertë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, në ambientet e Bibliotekës Rajonale “Ibrahim Rugova” debatojnë në temën “Produktiviteti i bletës , pse ? çka? dhe si?” .