“Si veçanti e edicionit të shtatë të këtij festivali është transferimin i tij në Gjakovë, qytet me një traditë shumë të madhe kulturore, e posaçërisht muzikore, ndërsa festivali mbahet në bashkëpunim me shkollën e muzikës “Prenk Jakova” dhe me Drejtorinë për Kulturë në këtë Komunë”, ka thënë Baruti. Sipas saj, pjesëmarrja në gara është në baza vullnetare, kurse pjesëmarrës do të jenë garues nga të gjitha shkollat e muzikës nga Kosova, si dhe garues nga vende të tjera, kryesisht nga ato të rajonit.
“Sikur edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit, pianistët e moshave, të cilat mbulohen në këtë garë (6 deri 19-vjeç), po tregojnë mjaft interesim dhe ne jemi të kënaqur me këtë fakt, andaj presim një numër të konsideruar garuesish. Diku numri total pritet rreth 150 garues”, ka pohuar Baruti, duke shtuar se duhet një përkrahje më e madhe për këtë festival, nëse lindin ambicie për të ngritur cilësinë e tij dhe shndërrimin në një festival me karakter më të madh se që ka tani.
Baruti po ashtu ka thënë se festivali kontribuon në promovimin e vlerave të përgjithshme të vendit, në veçanti të vlerave kulturo-artistike. Ajo ka theksuar se festivali është mbështetur nga institucione të ndryshme, si nga MKRS-ja, që i ka dhënë mbështetjen më të madhe, pastaj Komuna e Prishtinës dhe nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës.