Gjakovapress

Fillojnë Lojërat Olimpike Rio 2016

Kosovo in Rio 2016
Është mbajtur ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike ‘Rio 2016, ku për herë të parë ka marrë pjesë edhe Kosova. Brazili ka dhuruar spektakël në ceremoninë hapëse të lojërave Olimpike, e cila është mbajtur në stadiumin legjendar Marakana. Kjo ngjarje e rrallë sportive ka zgjuar interesim të madh edhe tek sportdashësit gjakovarë të cilët përmes ekraneve televizive e kanë ndjekur këtë spektakël deri në orët e hershme të mëngjesit.
Kampionia e Botës në Xhudo, Majlinda Kelmendi u ka prirë tetë garuesve të Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike. Kosova që merr pjesë për here të pare, në “Rio 2016” do të përfaqësohet nga tetë sportistë. Në xhudo do të përfaqësohet nga Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Musa Hajdari e Vijona Kryeziu do të garojnë në atletikë, Lum Zhaveli e Rita Zeqiri në not, Qëndrim Guri në çiklizëm e Urata Rama në shenjëtari.
Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila me rastin e pjesëmarrjes së parë të sportistëve kosovar në Lojërat Olimpike në Rio dhe parakalimit të flamurit të Kosovës, ka thënë se krenaria e shtetit ka mbetur në supet e sportistëve dhe se sporti po tregohet ndër aktivitetet e vetme që deri më tani ja ka zbardhë fytyrën Kosovës.
Ky parakalim sipas saj është shumë më shumë se sport, është krenari, është sakrifica dhe vetë shteti i Kosovës. Kusari Lila përmes një postimi në rrjetin social, duke ju drejtuar posaçërisht xhudistes Majlinda Kelmendi e ka lutur atë që të na bëjë krenar edhe një herë.
“Aman na lumturo dhe na bëjë krenar edhe një herë. Kësaj radhe kemi nevojë më shumë se kurrë për suksesin tënd, që edhe ne të tjerët të ngritemi me ty dhe besojmë se ende ka shpresë për të ardhme të ndritur dhe krenare të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Kusari Lila.

Exit mobile version