Pas ditëve të pushimit festiv , sot përditshmëria në një vit të ri ka marrë rrugën e vet. Pjesa më e madhe e punëtorëve kanë filluar me ditën e parë të punës në vitin e ri me shpresat se gjatë këtij viti do të realizojnë synimet e veta. Është ekonomia, faktori kryesor që na bënë të kemi një jetë më të mirë për familjen dhe shtetin, ndaj vetëm puna në të gjitha fushat e jetës na bënë të shpresojmë për një të ardhme më të mirë në vitin e ri 2024.
Mërgimtarët të cilët erdhën në Gjakovë për t’i kaluar festat e fundvitit me familjarët e tyre kanë filluar gradualisht të kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë. Kjo hetohet edhe nëpër rrugët e Gjakovës ku ka kolona më të vogla krahasuar me ato siç i kishim në prak të festës së Vitit të Ri. Qëndrimi për festë i bashkëqytetarëve tanë që jetojnë e punojnë jashtë vendlindjes, ka pasur reflektim në të ardhurat e bizneseve gjakovare, posaçërisht të tregtisë, hotelerisë dhe fushave tjera. Të hyrat e kësaj feste nga diaspora do të jenë një ndihmesë e madhe për familjet dhe bizneset që gjatë tërë vitit janë ballafaquar me rënie të standardit dhe qarkullimit.
Shërbyesit civil sot i janë rikthyer punës pas pushimit katër ditorë me rastin e festës së vitit të ri. Sot po ashtu vazhdoi edhe procesi mësimorë në të gjitha shkollat e komunës së Gjakovës. Për shkolla, muaji janar do të jetë me më së paku ditë mësimi, pasi sipas kalendarit të vitit shkollor 2023-2024, nga data 15 deri më 23 janar është caktuar pushimi dimëror. Gjatë muajit janar nxënësit do të vijojnë procesin mësimorë vetëm 13 ditë, shtatë ditë para pushimit dimëror dhe 6 ditë pas tij.