Fillon fushata e mbjelljeve pranverore
Me krijimin e kushteve të mira klimatike, pas reshjeve të shumta të shiut, fermerët i janë kthyer mbjelljeve pranverore. Gjatë ditëve të fundit në shumë ara të Gjakovës janë parë lavërtarët tek po bënin gati sipërfaqet për hedhjen e farës së misrit, ndërkohë që perimtarët më herët kanë mbjellë rasatin e perimeve për të pritur tash momentin për mbjelljen e tyre. Për të dhënë rendimente sa më të larta, ata po bëjnë riplehrimin e atyre tokave ku do të mbillen kulturat bujqësore të pranverës.
Fermerët gjakovarë që tashmë po kultivojnë perimet në sera, po marrin sasitë e para të sallatave dhe trangujve. Kjo metodë e prodhimtarisë bujqësore përmes serrave nga viti në vit po popullarizohet më tepër tek fermerët të cilët të mbështetur edhe nga donacionet të ndryshme, po arrijnë të rrisin sipërfaqe të reja për prodhimtarinë më të hershme të perimeve.
Ndërkaq në sipërfaqet e hapura tokësore ka disa ditë që janë mbledhur sasitë e para të qepëve të reja dhe të spinaqit, që aktualisht janë dy nga perimet më të kërkuara në treg.
Moti i mirë po shfrytëzohet edhe nga kultivuesit e pemëve, të cilët pas krasitjes së pemëve dhe vreshtave, po lëvrojnë dhe po pastrojnë nga barishtet sipërfaqet e tokës skaj trupave të pemëve.
Ndryshe, në komunën e Gjakovës këtë pranverë do të mbillen 6 mijë 533 hektarë me kultura të ndryshme bujqësore. Edhe në këtë fushatë të mbjelljeve pranverore do të dominojë misri i cili do të mbillet në 4 mijë e 750 hektarë dhe perimet të cilat do të mbillen në sipërfaqe prej 1 mijë e 270 hektarë, pastaj sipas planit komunal të mbjelljeve, fermerët do të mbjellin edhe bimë foragjere, elb birre, patate, fasule e tjera.
Për të realizuar këtë plan ambicioz të mbjelljeve, fermerët gjakovarë me kohë kanë nisur përgatitjet duke aftësuar mekanizmin bujqësorë, duke siguruar farërat dhe plehrat e nevojshme, të cilat fatkeqësisht po kanë një kosto të lartë, e për të cilat më së shumti po ankohet prodhuesit bujqësorë. Për kultivimin e misrit, ministria e Bujqësisë edhe këtë vit ka planifikuar të mbështesë fermerët me subvencione.(