Tuesday, September 3, 2024
AktualeLajme

Fillon montimi i Urës mobile në Kramovik

 Njësitë e xhenios së Forcës së Sigurisë se Kosovës (FSK)  të hënën solemnisht  filluan montimin e urës mobile metalike mbi lumin Drin në Kramovik të Gjakovës. Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishte ministri i FSK-së, Agim Çeku, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Rrahman Rama, përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës, kryetarët e komunave të Gjakovës  e të Rahovecit si  dhe të ftuar të tjerë.

“E para po mundësojmë një qarkullim më të mirë dhe pa rreziqe për qytetarët, si dhe po lidhim tri komuna, Gjakovën, Klinën dhe Rahovecin, e dyta po krijojmë mundësi për ministrinë e Infrastrukturës që të fillojë me sanimin e urës së dëmtuar dhe e treta po dëshmojmë se FSK-ja ka mundësi, kapacitete dhe vullnet që të marrë përsipër këso projektesh në të mirë dhe në shërbim të qytetarëve”, tha ministri Çeku.

Kryetari i komunes se Gjakovës Pal Lekaj, duke e vlerësuar kontributin e FSK-së në ndërtimin e urës provizore, ka shprehur bindjen e tij se edhe ura e madhe do të rregullohet në një afat optimal.

“Kjo urë provizore e eleminon rrezikun nme të cilin çdo ditë po ballafaqohen qytetarët, duke kaluar mbi urën e dëmtuar, por, ndërkohë unë kam premtime nga ministri i Infrasstrukturës që ura e madhe do të rregullohet në një afat sa më të shkurtër, prej 5 apo 6 muajsh”, ka thënë Lekaj, i cili në të njejten kohë ka falenderuar pronarët e tokës ku po ndërtohet ura provizore për bashkëpunimin e tyre.

Edhe disa nga banorët e zonës, të cilët këtë urë e kanë të vetmen rrugë qarkulluese, kanë thënë se ura provizore do të jetë një ndihmesë e madhe për ta, deri në rregullimin e urës kryesore.

Ndryshe, sipas zëvendës komanndatit të FSK-së Rrahman Rama, punimet e nisura të hënen, do tëv përfundojnë në një afat prej 15 ditësh. Sipas tij ura provizore do të ketë një gjatësi 52 metra dhe gjerësi 5 metra, ndërsa do të bartë peshë të automjetevev deri në 40 ton. Në këtë projekt do të punojnë 42 pjestarë të njesisit të xhenios të FSK-së, ata të KFOR-it dhe përfaqësues të ministrisë së Infrasktrukturës.

Ura e ngritur do të shërbej për kalimin e qytetarëve dhe mjeteve të transportit deri sa të ndërtohet dhe lëshohet në përdorim ura e re statike, që do të ngritët nga Ministria e Infrastrukturës.

Montimi i kësaj ure,  do të lehtësojë qarkullimin nga pjesët e tjera të vendit me Gjakovën dhe me Tropojën dhe anasjelltas.

Ura e vjetër, e riparuar pas luftës, nuk i përballoi ujit të Drinit. Asaj iu dëmtua njëra nga këmbët, për pasojë u lakua në një pjesë dhe përbënte rrezik permanent të shembej. Një kohë qe ndaluar komunikacioni mbi të, por qytetarët hoqën pengesat dhe vazhduan të kalonin mbi të, pavarësisht nga rreziku.