Fletëza meditimi e kujtimi për ditar përditshmërie
Shkruan: prof. Ruzhdi Sefa
15 PRILL 1990 NOVOSELLË-GJAKOVË
Këtu e 23 vite më parë: Dita e Pashkëve në Kishën e Novosellës. Mija të pranishëm për të shënuar këtë ditë të madhe të besimtarëve katolik dhe ditë e shënuar e pajtimit të gjaqeve për familjet e hasmëruara për vite. Aty janë përfaqësues të bashkësive fetare, veprimtarë të Degës së sapo themeluar të LDK në Gjakovë, veprimtarë të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve me në krye të përndriturin Profesorin Anton Çetta. Dhe fjalët e tij që edhe sot i dëgjoj! Dhe porositë e tij të urta që shpesh i kujtoj :
” Të bëhemi argatë të paemër në shërbim të popullit tonë. Populli ka shumë nevojë për misionarë për të gjitha fushat!”
Po SOT ? Edhe më shumë !
MESIMDHËNËSIT: PERSONA TË MERITUAR NË NDËRTIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS
Kuvendi I Kosovës ka miratuar rekomandimet që të nxjerrët ligji për punëtorët e arsimit shqiptar të Kosovës gjatë viteve 1990-1999 me q’rast ata do të barazohen me statusin e personave të merituar në ndërtimin e shtetit të Kosovës . Qeveria e Kosovës obligohet që brenda tre muajsh të sjellë për miratim këtë ligj në Kuvendin e Kosovës .
Dhe kujtesa……
Në vitin 1998 kur rruga magjistrale Pejë-Prishtinë ( pikërisht Gryka e Lapushnikut) e më pastaj rruga Prizren-Prishtinë (pikërisht Qafa e Duhlës) ishin në zjarrin e luftës , ishim të detyruar të udhëtonim nëpër rrugët Prizren- Mushnikovo-Prevallë… dhe atë me autobus që pos udhëtarëve nevojtarë për Spitalet e Beogradit bartnin pasurinë e rrëmbyer e të vjedhur nga familjet shqiptare (“ gjahun e luftës”) të ushtarëve, policia e paramilitarët serbë dhe e përcjellin për në Serbi!
Ditë e enjte . Në pjesën e rrugës prej Graçanicës për Prishtinë autobusi i relacionit Gjakovë-Prizren-Prishtinë-Beograd u defektua. Një ditë përpara ishte raportuar se forcat e UÇK dhe ato militare serbe ishin konfrontuar në shumë pika të Kosovës dhe supozoja se nëse vonohem për ligjërata studentet do të mendojnë (me arsye) se nuk e kam marrë rrugën për Prishtinë fare dhe do të shpërndahen. E ndala një Taxi rasti i cili gjer në Prishtinë më kërkoj 10 DM dhe vazhduam rrugën. Kërkova nga taxisti që të nxiton ngase “studentët më presin” “por edhe mund të shpërndahen!”. Sapo e kuptoj angazhimin tim dhe qëllimin e udhëtimit me Taxi e shkeli papuçen e shpejtësisë dhe më zbarkojë me kohë duke mos pranuar të paguaj sipas marrëveshjes por vetëm deklarojë : ” Edhe unë po dua me dhënë argatin tim në këtë proces!”. “Argat i paemër !”-sikurse kishte thënë prof. Anton Çetta.
Kështu ishte atëbotë ! E SOT, 15 vite pas çlirimit nga thundra serbe? Anketat e studentëve dëshmojnë se pjesa dërmuese e stafit akademik në UP ( se në ato private i mbajnë rregullisht!) nuk i mbajnë ligjëratat sipas orarit, ose sipas orarit kanë ligjërata në tri departamente njëkohësisht dhe të njëjtat i bashkojnë, se…..Hej, ku jemi !?