“Gënjeshtrat e vogla që e bëjnë një gënjeshtër të madhe të pa përmirësueshme, kur ki parasysh që te ne çdo ditë na rrejnë burrat që e udhëheqin shtetin, jo shumë po për çdo mëngjes na lëshojnë nga një gënjeshtër të vogël dhe një ditë do të bëhet e madhe dhe do të rrezikojnë shtetin. Jo se unë pretendoj të ndryshoj shumë me këtë shfaqje, por mendoj që do ta tërheq vëmendjen sado pak”, tregoi për Kult Plus, regjisori Kastriot Saqipi në lidhje me atë se çfarë e ka tërhequr ky tekst më së shumti.
Kjo shfaqje ka nisur provat më 22 shtator, ndërsa për 35 ditë do të vijë para audiencës gjakovare. Kasta e aktorëve përbëhet nga: Edmond Hafizademi dhe Altina Kusari që bartin rolet kryesore, pastaj janë Myrvete Kurtishi, Elida Shasivari, Ahmet Bakija, Hysen Binaku, Elira Lluka dhe Hana Kusari.
“Tani jemi në fazën kur të gjithë me mijëra herë e kemi përsëritur tekstin, kemi gjetur mizanskenie por shijen e kemi humbur, se çfarë kemi bërë këtë më së miri në ditën e premierës do na e konfirmoj publiku. Megjithatë besoj se punën e mirë ja kemi bërë dhe rezultati nuk do të mungojë”, tha ndër të tjera regjisori Saqipi.
Skenografia dhe kostumografia janë bërë nga Petrit Bakalli, për të cilin regjisori u shpreh se nuk mund të gjesh fjalë të përshkruash punën e tij, duke theksuar se i gjithë stafi teknik është i mrekullueshëm.
Premiera e kësaj shfaqje do të jepet me 29 tetor prej orës 20:00 në Gjakovë. Menjëherë pas premierës, më 31 tetor, kjo shfaqje do ta hapë festivalin “Komediafest” në këtë qytet ndërsa më 9 nëntor “Gënjeshtrat” do të prezantohet edhe në festivalin e Preshevës.