Gjakova do të binjakëzohet me Pogradecin
Ambasadori I Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në një takim me kryetaren e komunes Mimoza Kusari Lila kanë biseduar të enjten për një mori temash dhe projekte, me theks të veçantë, për Alpet shqiptare, e cila nënkupton edhe përfshirjen e pjesës së Kosovës, që do të sillte zhvillim të përbashkët turistik malor dhe joshës për turistë jo vetëm vendor, porse edhe për të huaj.
Ky ka qenë vetëm njëri ndër projektet e bashkëbiseduara të cilat do të shikojnë mundësinë e konkretizimeve, për çfarë në javën e ardhshme, në vizita të ndara në Komunën e Gjakovës do të vinë drejtues nga Fondi për Zhvillim të Shqipërisë, si dhe kryeparlamentari Ilir Meta.
Gjithashtu në këtë takim është arritur deri tek dakordimi i jetësimit të vullneteve të dyanshme që Gjakova të binjakëzohet me qytetin e Pogradecit.
“Gradualishit po shkojmë deri tek ofrimi i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe Bashkive të Shqipërisë, porse edhe të bashkëpunimit me nivele qendrore të Shqipërisë” ka pohuar kryetarja Mimoza Kusari Lila.
Ndërkaq, ambasadori Qemal Minxhozi është shprehur se kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka një dëshirë për të intensifikuar marrëdhëniet, jo thjesht vetëm me rajonin porse edhe më gjerë dhe se me Komunën e Gjakovës mund të bëhen projekte ku dhe do ti hedhim hapat konkret dhe projekti i Alpeve hap rrugë edhe për projekte të tjera dhe tani kemi dimension të ri të lidhjeve lokale dhe qendrore dhe se tani do të kemi takime të institucionaluzara, ndërkohë që binjakëzimi me Pogradecin shpreh jo vetëm thjesht lidhje turistike, kulturore, etj, porse njiherit edhe të biznesit.