Më në fund ra borë edhe në Gjakovë. Gjakova u bë e bardhë të martën në mbrëmje rreth orës 22.00 pas një ere të fuqishme e shoqëruar edhe me reshje shiu në një dimër që u karakterizua me shumë pak reshje. Në vendet malore bora ishte me intensitet më të lartë, ndërkaq në qytet shtresa e bores nuk ka kaluar 5 centimetra që nuk ka qenë punë e vështirë për borëpastrueset . Të gjitha rrugët e Gjakovës janë të pastruara dhe nuk ka vështirësi në trafik.
Komuna e Gjakovës në faqen e saj zyrtare ka njoftuar se, me fillimin e reshjeve të borës, që nga nata e mbrëmshme, Komuna e Gjakovës përmes operatorit ekonomik, ka intervenuar në të gjitha ato rrugë ku ka qenë e nevojshme.
“Prioritet i’u është dhënë rrugëve kodrinore – malore siç janë fshatrat Goden, Babaj Bokës, Jabllanicë etj. Nesër pritet të ketë ulje të temperaturave. Komuna e Gjakovës, konkretisht Drejtoria për Shërbime Publike është e përgatitur nëse do të ketë nevojë të intervenohet me hedhje të kripës”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Ndryshe gjatë 24 orëve të shkuara në rrugët e Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës kanë ngjarë 3 aksidente, fatbardhësisht vetëm me dëme të vogla materiale.
Sipas parashikimeve të motit reshje më intensive të shiut dhe borës mundë të pritet edhe ditëve në vijim. Reshjet e pakta këtë dimër bënë që të bien nivelet e liqeneve që shërbejnë për furnizim me ujë duke ngjallur frikë për mungesë të tij në sezonin e verës. Kurse për prodhuesit bujqësorë shiu dhe bora e mbrëmshme është e mirëseardhur.