Gjakova e Saranda bashkëpunojnë
Përfaqësuesit e qytetit turistik të Sarandes janë takuar me ata të Gjakovës për të zgjeruar bashkëpunimin si dy qytete të binjakëzuara. Në fakt, Gjakova dje u nderua me një vizitë nga një delegacion i veçantë nga Këshilli Bashkiak i Sarandës i udhëhequr nga Asaf Stroka, ngjarje kjo solemne e organizuar në kuadër të Përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës . Fillimisht, ata zhvilluan takim pune me Kryetarin e Komunës Ardian Gjini, Kryesuesen e Kuvendit të Komunës Arbënesha Kuqi dhe Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka Pylla.
Kryetari Gjini u shpreh i lumtur për këtë vizitë, e cila simbolizon miqësinë mes dy qyteteve tona, rrjedhimisht edhe thellimin e bashkëpunimit si institucione.
Më pas, në Sallën Solemne në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, u zhvillua mbledhja e përbashkët në mes të Kuvendit të Komunës së Gjakovës dhe Këshillit Bashkiak Sarandë . Në fjalën e saj para kuvendarëve, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjakovës Arbënesha Kuqi, foli për rrugëtimin e Kosovës pas luftës, duke përmendur vështirësitë dhe sakrificat e popullit tonë por edhe sukseset e pamohueshme në këto vite si shtet i lirë dhe i pavarur. Ndërkaq, ajo falënderoi delegacionin nga Saranda për këtë vizitë dhe për gjithë gatishmërinë për bashkëpunim miqësor e institucional me komunën tonë.
Kuqi u shpreh e bindur se kjo frymë e mirë bashkëpunimi, do të rezultojë me projekte konkrete në të mirë të dy qyteteve tona.
Pas seancës solemne, ata bënë homazhe pranë Lapidarit “Shokët e Lirisë”, vizituan nga afër punimet në Stadiumin e Qytetit, Muzeun Etnografik dhe Risons Ëinery & Distillery.