Gjakova e Tetova për bashkëpunim ekonomik dhe kulturor
Bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik, janë dy fusha ku komuna e Gjakovës dhe ajo e Tetovës mundë të shtrijnë bashkëpunimin reciprok, u tha të hënën në Gjakovë gjatë takimit që Mimoza Kusari Lila, kryetare e komunës së Gjakovës e pati me Teuta Arifin, kryetare e Komunës së Tetovës.
“Jemi dakorduar për bashkëpunim të domosdoshëm dhe që në muajin Maj do të kemi një prezentim të Gjakovës në Tetovë, në mënyrë që tetovarët, bizneset dhe komuniteti kulturor të njihet nga afër me potencialet tona, si dhe anasjelltas që gjakovarët të njihen me potencialet dhe mundësitë e mira për bashkëpunim” ka theksuar Kusari Lila.
Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës ka pohuar se është logjika e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve shqiptare, ajo që na shpie për këto dakordime me kryetaren Mimoza Kusari Lila, të cilën e vlerësoj shumë.
”Është ky një bashkëpunim me vlerë të shtuar që ato mundësi ekzistuese të jenë më kreative dhe se jam shumë e kënaqur që menjëherë do të fillojmë një program operativ, së pari kulturor dhe ekonomik. Por, duke u nisur edhe nga fakti se Tetova ka dy universitete shqiptare, ka hapësirë dhe platformë të mirë që këto realitete bashkëpunimi të ndikojë në raportet e qytetarëve të këtyre dy komunave, në vajtje-ardhjet dhe se në kontestin ekonomik për ne është me rëndësi të maksimalizojmë bashkëpunimet tona ndërkomunale dhe se për barrierat doganore, të dy shtetet, Kosova dhe Maqedonia kanë nënshkruar disa marrëveshje për zvogëlimin e këtyre pengesave” ka theksuar Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.