Festa e ndërrimit të moteve si kudo në botë edhe në komunën e Gjakovës ka kaluar në atmosferë festive dhe me këmbimin e urimeve për një vit me shëndet të plot, punë, mirëqenie sociale, dashuri dhe paqe. Në këtë mbrëmje festive, për një çast i harruam problemet, vështirësitë dhe hallet e shumta me të cilat u ballafaquam gjatë vitit tashmë të vjetër 2014, për të festuar të gëzuar dhe të lumtur në natën e ndërrimit të moteve.
Pjesë e atmosferës festive në Namazgjah ka qenë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj. Ajo ka festuar bashkë me qytetarët për disa orë, ndërsa më vonë ka vizituar disa nga institucionet më vitale të Gjakovës, si policinë, spitalin “Isa Grezda”, repartin e Emergjencës dhe atë të Gjinekologjisë, Brigadën e zjarrfikësve e të tjera.
Nga ana tjetër, në brigadën e zjarrfikësve në Gjakovë, kanë bërë të ditur se nata e ndërrimit të moteve ka qenë jashtëzakonisht e qetë sa i përket zjarreve. Zjarrfikësit kanë intervenuar vetëm në dy raste të vogla, djegien e një ogjaku në qytet dhe të një pleme në njërin prej fshatrave të komunës sonë.
Përpos ditës së parë të vitit, 1 janari për komunën e Gjakovës simbolizon edhe ditën e parë të pavarësisë nga regjioni i Pejës, në aspektin e sigurisë, dhe krijimit regjionit në vete. Që nga dita e sotme, Gjakova është regjion i pavarur i policisë, gjë që nënkupton se do ta ketë Drejtorinë e vet të policisë, bashkë edhe me sektorët e njësitet përkatëse, si njësitin e krimeve ekonomike, njësitin anti narkotik, atë anti trafikim e të tjera. E në këtë drejtim, qytetarët e regjionit të Gjakovës, që përpos komunës sonë përfshinë edhe komunat e Rahovecit dhe Malishëvës, nga soti do t’i regjistrojnë automjetet e tyre me tabela të reja, konkretisht me numrin karakteristik 07, numër që simbolizon regjonin tonë. E në këtë temë, lajmi mirë i konfirmuar sot, është se ndërrimi i tabelave nga 03 në 07 do të jetë pa pagesë shtesë.