Në shënim të 100 vjetorit të Konferencës së ambasadorëve në Londër, shoqata e intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, të premten organizoi tryezë shkencore në temën “Konferenca e ambasadorëve për Gjakovën”.
Me këtë rast u tha se Konferenca e ambasadorëve në Londër, e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër“, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia. Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
Në këtë kontekst Prof. dr Gazmend Rizaj i bëri një vështrim aspektit ndërkombëtarë, përkatësisht rrethanave ndërkombëtare që e sollën këtë konferencë. Ai ka përmendur 6 refernecat që kanë quar deri tek mbajtja e konferencës së Ambasadorëve në Londër, ku trojet shqiptare u cunguan dhe ndaj popullsisë u ushtrua gjenocid. Në këtë kontekst përmendi Demistifikimin e kongreseve dhe konferencave paqësore, aleancat, pragmatizmin e fuqive të mëdha, gjenocidin mbi shqiptarët dhe organizimin e kësaj konference për shpëtimin e superfuqive. Më së shumti nga vendimet e kësaj konferencë pësuan shqiptarët.
“Në vend se shtetet e Aleancës ballkanike të ndëshkoheshin për krimet që i bënë mbi shqiptarët, ata në fakt nga kjo konferencë u shpërblyen nga Rusia dhe Franca. Ndërkohë që edhe Britania e Madhe që ishte bllokun e Antantës, ndonëse i mbështeti vendimet kishte mendim tjetër ndaj shqiptarëve. Pati një disponim pozitiv për shqiptarët. Ajo i dha dritën jeshile formimit të shtetit shqiptar. I bëri pengesë Serbisë që të dalë në bregdetin shqiptarë, pra të fitojë territore, të fitojë dalje territoriale dhe jo tregtare,” tha Rizaj.
Prof. dr Masar Rizvanolli i bëri një vështrim historik rolit të Gjakovës në pavarësinë e Shqipërisë duke numëruar qindra kryengritje që u organizuan nga luftëtarët gjakovarë. Rizvanolli ua ka parë për të madhe organizatorëve të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që Gjakovës nuk i kanë dhënë vendin meritor, sepse sipas tij, pavarësia i ka rrënjët pikërisht në Gjakovë në kryengritjet e shumta për lirinë e atdheut. Ai ka përmendur edhe një letër të Luigj Gurakuqit nga Triesta më 7 shtator 1912 ku mes tjerash shkruan:
“ Mua nuk më mbetej gjë tjetër për të bërë përveç që të vejë në Gjakovë e të mirresha vesh me atdhetarët e atjeshëm, të cilët qenë të vetmit që luftuan burrërisht e që mbrojtën gjer në fund të drejtat kombëtare e që janë edhe sot gati të bëhen therorë për atdheun tënë të dashur…”
Magjistër Alban Dobruna, prezantojë fakte të rrethanave që u ndodhë Gjakova para dhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër duke e ndarë qytetin lumi Krena në dy pjesë, në atë të ushtrisë serbe dhe malazeze .
“U prezantuan dy projekte, ai Rus që kërkonte që Gjakova të mbetej nën pushtimin serb dhe ai i Austrohungarisë, sipas të cilit trajtohej cështja shqiptare dhe Gjakova ka qenë pika kryesore e dallimeve. Në aspektin etnografik dhe gjeografik pretendimi austrohungarez lidhur me Gjakovën kishte mbështetje ndërsa pika kryesore ruse ishte se nëse Shkodra i takonte Shqipërisë, atëherë duhej të përjashtohej Gjakova dhe Dibra” theksoi Dobruna.
Sipas tij vend të rendesishëm në diskutime te Konferences zuri çeshtja e Shkodres dhe e Gjakovës.
“Ndërsa Austro-Hungaria, insistonte që Shkodra dhe Gjakova të përfshiheshin brenda shtetit Shqiptar, Rusia kërkonte që Shkodra ti jepej Malit të Zi dhe Gjakova Serbisë” theksoi Dobruna..
Tryeza e sotme u mbajt nën përkujdesjen e Kuvendit Komunal ndërsa Agim Koci nënkryetari komunës përgëzoi organizatorët për trajtimin e kësaj teme të rëndësishme.