Gjakova Zonë ekonomike
Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të martën, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim të shpallë Komunën e Gjakovës dhe Komunën e Mitrovicës si Zona të Lira Ekonomike. Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës, propozimi i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, z. Bernard Nikaj, ka marrë pëlqimin e Kabinetit qeveritar, që dy komunat të ofrojnë infrastrukturë më të mirë për bizneset, kushte më të mira për prodhuesit, që kanë për qëllim eksportet, si dhe lehtësira për këto lloje të bizneseve.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë përgatitjen e vendimit për shpalljen e dy zonave të lira ekonomike në Gjakovë dhe Mitrovicë. Në mënyrë të veçantë ka falënderuar ideatorin e këtij projekti, zëvendëskryeministrin Behxhet Pacolli. Miratimi i vendimit për shpalljen e zonave të lira ekonomike, sipas z.Pacollit do të ofrojë infrastrukturë, kushte dhe kualitete më të mira për zhvillimin e bizneseve dhe pret që ky vendim të nxisë investitorët vendorë dhe të jashtëm për investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ministri Nikaj, gjatë paraqitjes së kërkesë për shpalljen Zona të Lira Ekonomike të dy komunave të Mitrovicës dhe Gjakovës, tha se një vendim i tillë do të ketë ndikim direkt në ulje të papunësisë dhe varfërisë që ka kapluar këto komuna.
“Këto zona ekonomike kanë për qëllim të ofrojnë infrastrukturë më të mirë për bizneset, kushte më të mira për prodhuesit që kanë për qëllim eksportet, si dhe lehtësira për këto lloje të bizneseve. Ne besojmë se duke ofruar kushte të tilla përmes zonave të lira ekonomike do të arrijmë të tërheqim një numër të konsiderueshëm të investimeve të huaja dhe atyre vendore, duke ndikuar direkt në ulje të papunësisë dhe varfërisë që ka kapluar këto komuna”, ka thënë ministri Nikaj.
Kushtet dhe lehtësirat për bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kuadër të zonave ekonomike janë të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ nr. 00/2014. “Ky Udhëzim Administrativ përcakton lehtësirat për bizneset që vendosen në kuadër të zonave ekonomike, me qëllim të përballimit dhe tërheqjes se investimeve të reja në kuadër të zonave ekonomike, respektivisht zonave të lira ekonomike. Në kuadër të këtij udhëzimi administrativ përfshihen Lehtësirat fiskale dhe doganore, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin vendor në fuqi, po ashtu parasheh krijimin e “one stop shope-ve”, të cilat do të jenë lehtësues administrative për bizneset e vendosura në kuadër të zonave ekonomike”, theksoi ministri Nikaj, para se UA nr. 00/2014 të miratohej në Qeveri, e që mbanë përgjegjës për zbatim të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me implemetimin e të hyrave buxhetore.
Bazuar në Ligjin e Zonave Ekonomike, nr. 04/L-159, respektivisht nenin 20, Qeveria e Republikës së Kosovës ka formuar Këshillin Kombëtar për Zona Ekonomike, të kryesuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ky këshill, bazuar në Ligjin e Zonave ekonomike, ka hartuar koncept planin kombëtar për zhvillimin e zonave ekonomike, i cili në tetorin e vitit 2013 është aprovuar nga Qeveria e Republikës se Kosovës dhe i cili plan parasheh që këto komuna fillimisht të shpallen zona të lira ekonomike, me mundësi të zgjerimit në rast të suksesit të arritur.
Bizneset që vendosen në kuadër të zonave ekonomike do të jenë përfitues të lehtësirave me qëllim të përballimit të investimeve të tyre. Udhëzimi parasheh që mallrat që shërbejnë si inpute për bizneset që veprojnë në zonat e lira ekonomike, nuk paguajnë pagesën e detyrimeve të importit, pra do të shtyhet pagesa e taksave doganore deri atëherë kur ato plasohen në qarkullim të lirë brenda Kosovës, njëjtë sikurse veprohet me Depot Doganore. Mallrat që dalin nga zonat e lira ekonomike e që eksportohen/ ri-eksportohen, nuk paguajnë ndonjë ngarkesë të detyrimeve doganore. Gjithashtu, me rastin e importit të mallrave të cilat janë të destinuara për zonat e lira ekonomike të gjitha detyrimet doganore mbulohen me garanci bankare. Bizneset e vendosura në zonat e lira ekonomike janë të liruara nga çdo tarifë doganore për shfrytëzim të sistemit të depos doganore…