Gjakovarët aktiv në Zelandën e Re
Thonë se gjakovarë mund të gjesh në të gjitha këndet e botes. Hallet e jetës, rastësitë dhe shkaqet tjera ata I kanë sjellë anekënd rruzullit tokësorë. Mbi 15 familje gjakovare tash e 14 vjet kanë mërguar në Zelandën e Re duke u integruar me sukses në shoqërinë e këtij vendi të largët dhe duke u bërë shembull i arritjes së sukseseve në punë. Në veçanti të suksesshëm janë të rinjtë që pas profesioneve të caktuara, merren edhe me aktivitete kulturore e sportive. Në Zelandën e Re, shqiptarët kanë shkuar në disa grupe prej Majit deri në fund të Nëntorit 99, kur edhe ka përfunduar ky mision I pranimit të refugjatëve.
Me iniciativën e dr. Sefedin Zekës në qytetin e Aucklandit në Zelandë të Re u formua një skuadër futbolli me emrin “Kosova” e cila për gjashtë vite luan me mjaft sukses ne ligen e qytetit. Futbollistët e rinj mes të cilëve edhe të rinjtë nga Gjakova kanë dëshmuar për talent, frymën garuese dhe kulturën sportive që rrit miqësitë mes popujve që jetojnë atje.
Veç kësaj u formua edhe një grup i veprimtarive kulturore e artistike. Për festa të ndryshme kombëtare si festa e flamurit, ajo e Pavarësisë së Kosovës, vitit të ri dhe festat tjera entuziastët mërgimtarë në Zelandë të Re organizuan koncerte të ndryshme me recitime, këngë dhe valle me motive shqiptare nga Kosova e Shqipëria. Sipas Zekës, këto koncerte bënë jehonë të madhe tek autoritetet e Zelandës së re , duke zgjuar kureshtje dhe krenari pasi që ishte hera e parë që në këtë vend u mbajten manifestime të prezantimit të kulturës shqiptare.
Mërgimtarët gjakovarë në Zelandë të Re lidhjen me qytetin e tyre të lindjes e forcojnë përditë e më tepër përmes programeve që dëgjohen në valët e Radio Gjakovës e cila përmes internetit dëgjohet me ëndje.