Wednesday, January 1, 2025
AktualeKulturëLajme

“Gjaku i Arbrit” shfaqje në Tiranë e të rinjve gjakovar

Trupa e aktorëve të rinj të Gjakovës ka dhënë mbrëmjen e së martës në Tiranë shfaqjen e njohur të Fadil Krajes “Gjaku i Arbrit” e cila bazohet në besën e Konstandinit.

Në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit, loja e të rinjve gjakovarë është mirëpritur, ndërsa ka kulmuar në fund të saj, me batuten e personazhit të Palit, që i drejtohet Nënë Madhes se e mbajti besen për Rinen, ku publiku shqiptar ka shpërthyer në duartrokitje duke sjellur emocione të veçanta.

“Publiku në Tiranë na ka pritur shumë mirë, gjithashtu dhe Teatri i Metropolit të cilin e falënderojmë për mikpritjen e tyre, në veçanti drejtoreshën Suela Konjari”-, tha regjisori dhe aktori që luajti personazhin e Palit, Besfort Berberi.

Për publikun fjalë të mira dhe falënderime pati dhe Valmira Gashi, që luajti në rolin e Nënë Madhes. “Gjithë puna jonë tre mujore sonte u kurorëzua mjaftë mirë. Prandaj them se shfaqja shkoj më mirë se që e kemi paramenduar”-, u shpreh Valmira.

Pos Besfortit dhe Valmires, në këtë shfaqja luajtën dhe Megzon Kameri, Arjanit Spahia, Liridona Gjocaj, Vlora Dervishi, Ilir Xharra, Butrint Pasha, Abetare Nivokazi, Valon Babalia, Agnesa Krasniqi, Bardh Hoxha, Gladiola Lota, Zgjim Haxhikadrija, Yllka Buçinca dhe Shpat Gashi.

Tinka Kurti dhe Mirush Kabashi përgëzojnë aktorët e rinj

Shfaqjen “Gjaku i Arbrit” e kanë përcjellur dhe dy artistët Tinka Kurti dhe Mirush Kabashi. Që të dy kanë pasur fjalë të mira për lojen e aktorëve të rinj duke i përgëzuar në fund.

“Këta të rinj kishin shpirt, zemër e forcë, prandaj loja më pëlqeu shumë dhe u gëzova që shkoi gjithçka mirë”.-, tha Tinka Kurti.

Ndërsa, Mirush Kabashi tha se kur i kishin bërë ftesë kishte pasur emocione të veçanta. “Kur më thanë se jemi një grup të rinj amatorë, gjimnazistë, që duam të japim një shfaqje në Tiranë dhe më pas përmenden fjalen magjike që jemi nga Gjakova, aty u emocionova, pastaj me gjithë time shoqe spostuam planet tjera dhe erdhëm për të ndjekur këta të rinj që do marrin në dorë artin teatror në vendin tim të prejardhjes, Gjakovë”-, tha Kabashi.

Duke folur për lojën e aktorëve të rinj, Kabashi tha se do ishte gabim t’i ngarkonim ata duke pritur prej tyre profesionalizëm. “Ata kanë koncepte të sakta dhe kjo ka rëndësi, ata ishin të detyruar të luanin role të vështira  që nuk janë edhe të moshës së tyre, por mbi të gjitha ajo që më bën mua entuziastë është pasioni që kishin, sepse pasioni të shpien përpara”-, u shpreh Kabashi.

Aktori Besfort Berberi tha se prezenca e këtyre dy artistëve në publik solli emocione të veçanta tek ata. “Shfaqja pati ca mangësi që ishin pasojë e emocioneve të premierës dhe të prezecenës së gjithë këtij publiku, veçanërisht të dy artistëve si Tinka Kurti dhe Mirush Kabashi”-, tha Besforti.

Tinka Kurti dhuron lule Valmires, aktores që luajti Nënë Madhen

Shumë vite më përpara, aktorja Tinka Kurti kishte luajtur personazhin e Nënë Madhes dhe  publiku shqiptar akoma i ka të memorizuara ato emocione që kishte sjellur Kurti me lojen e saj.

Në shfaqjen e se martës, ky rol i kishte takuar Valmira Gashit, që në fund publiku e shpërbleu me nderime duke u ngritur në këmbë dhe duke e duartrokitur. Por përgëzime më të veçanta morri nga Tinka Kurti që i dhuroi lule.

“Për mua ka qenë një nder i madh që ajo erdhi për të ndjekur shfaqjen, ndërsa në momentin kur u afrua të më dhuronte lulet u emocionova dhe nuk arrij ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva. Ishte një surprizë shumë e bukur që do e mbaj mend gjithë jetën”-, u shpreh Valmira Gashi./radiogjakova/