Hajdar Dushi sakrifikoi jetën për liri
Akademik Minir Dushi është përkujdesur që ta përmbledhë në një libër monografik jetën dhe veprimtarinë e heroit të popullit, Hajdar Dushi, ndërsa me organizimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste të Kosovës dhe shoqatës së intelektualëve “Jakova”, në Pallatin e Kulturës u bë promovimi.
Për librin dhe veprimtarinë e heroit Dushi, kanë folur veprimtarë e studiues të njohur të vendit, të cilët kanë vlerësuar veprimtarinë dhe rolin e tij në çështjen kombëtare.
Promovimi i kësaj monografie është pjesë e aktiviteteve që shoqata e veteranëve të LANÇ-së së bashku me shoqatën e intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, kanë nisur në shënim të 70 – vjetorin e mbajtjes së Konferencës së Bujanit, ku kishte marrë pjesë edhe Hajdar Dushi.
Akademik Pajazit Nushi, pasi ka folur gjerësisht për veprimtarinë e Dushit, ka thënë ndër të tjera se “Hajdar Dushi ishte shëmbëlltyrë e përkryer e përkushtimit për idealet e lirisë dhe Shqipërisë së përbashkët”.
“Dushi e ka lartësuar veten me veprimtarinë e tij atdhetare dhe bamirëse, si dhe sakrifikimin e vetes për liri kombëtare. Emri i tij do të qëndrojë në piedestalin e historisë, si shembull për pikëpamjen tonë për të atdheun, për mendimet, qëndrimet dhe sjelljet tona ndaj lirisë dhe atdheut tonë të shtrenjtë”, ka thënë akademik Nushi në fjalimin e tij. Duke u ndërlidhur me këtë botim, ai ka shtuar se ”nëpërmjet këtij përurimi, përmbushet një detyrim kolektiv, për të shprehur nderimin, respektin dhe mirënjohjen më të thellë për veprën dhe sakrificën e tij”.
Kryetarja e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Çlirimtare, Vahide Hoxha, e ka përshkruar Hajdar Dushin si “studioz, gjithmonë pranë njerëzve dhe aktiv në punë”.
“Sot ne e përkujtojmë Hajdar Dushin, i cili ra i ri në altarin e lirisë; ra por e la një biografi të pasur dhe që shumë kush mund të mësojë jo vetëm për Hajdarin, por edhe për veten”, ka thënë ndër të tjera Hoxha.
Historiani Jusuf Bajraktari i ka bërë një analizë kësaj monografie.
“Libri jo vetëm pasqyron shumë tema të trajtuara nga autorë të ndryshëm me kompetencë profesionale, por edhe jep përgjigje të argumentuar në mjaft çështje se si duhet të kultivohen vlerat e qëndrueshme me mesazhe të qarta për trashëgiminë, se si të trajtohet e vlerësohet kjo begati kombëtare, e cila duhet të qëndrojë mbi klishetë e ideologjive dhe skemat e ngushta kohore”, ka thënë ai.