Sunday, March 24, 2024
KulturëLajme

Ekspozitë nga qendra kulturore turke Yunus Emre

Qendra kulturore turke “Yunus Emre” me seli në Pejë të premten në Gjakovë ka hapur ekspozitën me rreth 60 fotografi të titulluar “Dëshmitë e së kaluarës sonë të përbashkët.” Në hapjen solemne foli Sadullah Jelmaz, drejtor i kësaj qendre me seli në Prishtinë, i cili tha se aktiviteti i qendrës turke është i orientuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm të kulturave të  dy popujve ndërsa hapja e ekspozitës,  sipas tij tregon për  një harmoni, bashkëpunim  dhe vëllazërim mes shqiptarëve dhe turqve .

Me këtë rast u tha se , Qendrat kulturore  zhvillojn një sërë aktivitetesh me qëllim mësimin e gjuhes turke, njohjen e kulturës turke, zhvillimin e mëtejshem të lidhjeve kulturore mes dy vendeve.  Qendrat në Prishtinë, Prizren dhe Pejë  shërbejnë si pikë takimi për të gjithë ata që tregojnë interes për gjuhen dhe kulturën turke.

Ai tha se qendrat kulturore Yunus Emre, në Kosovë dhe vendet tjera të botës  realizojnë një serë projektesh, të veprimtarive kulturore dhe kurse që janë një kontribut për të bërë të njohur Turqinë, për të forcuar lidhjet miqësore të Turqise me vendet e tjera dhe për të përforcuar marrëdheniet kulturore, e në këtë kontekst edhe me Kosovën.

Në emër të Drejtorisë për Kulturë, foli Bardhyl Oseku, udhëheqës i sektorit të kulturës i cili tha se popujt e Ballkanit duke jetuar me shekuj pranë njeri tjetrit, u përafruan jo vetëm territorialisht por edhe përmes kulturës.

“Njerëzit që vokacion kanë kulturën e dinë fare mirë se diversiteti kulturor është begatia e popujve, në këtë rast begati e Kosovës” tha Oseku.

Në hapjen solemne të ekspozitës së qendrës kulturore “Yanus Emre” folën edhe Onur Cejlan, dekan i Universitetit të Kulturës në Stamboll dhe Sheh Ruzhdi Shehu.

Ekspozita do të qëndroj e hapur në foajenë e Pallatit të kulturës “Asim Vokshi” deri me 6 prill.