Sunday, December 29, 2024
AktualeLajme

Hapet shkolla e re “Këlmend Rizvanolli”

shkolla Kelmend RizvanolliQë nga dita e hëne, Gjakovës iu shtua edhe një objekt i ri shkollor. Bëhet fjalë për shkollën fillore “Kelmend Rizvanolli”, objekt i cili do të shfrytëzohet nga nxënësit e ciklit të ulët, konkretisht nga klasa e parë deri në klasën e pestë, e të cilët deri me tani mësimin e kanë zhvilluar në shkollën fillore “Mazllum Këpuska”. Kalimi i këtyre nxënësve në objektin e ri do të mundësojë që në Gjakovë në të ardhmen të mos punohet me 3 apo më shumë turne siç ka ndodhur deri me tani.

Kelmend-Rizvanolli (1)Ndryshe, ndërtimi i këtij objekti shkollor është ndërtuar me një donacion të familjeve Rizvanolli e Kusari që kanë shpenzuar rreth 500 mijë euro, ndërsa komuna e Gjakovës ka kontribuar me ndarjen e truallit për ndërtim. Në ceremoninë e inaugurimit të këtij objekti, kryetari i Gjakovës Pal Lekaj ka thënë se ky donacion nga familjet Rizvanolli e Kusari, dëshmon për kulturës dhe dashurinë ndaj arsimimit që e ka qyteti i Gjakovës dhe qytetarët e tij. Ai ka çmuar lartë kontributin e këtyre familjeve per arsimin shqip.

Duke ndarë pronën komunale, këto dy familje ndërtuan objektin shkollor që do të mbajë emrin e pasardhësit të familjes Rizvanolli, Kelmendit, i cili kishte vdekur papritmas me 27 tetor 2008. Si inxhinier i ndërtimtarisë, prej prindërve Fatmirit, ndër inxhinerët e parë të xehetarisë në Kosovë, i diplomuar në Beograd, dhe nënës mësuese dhe e cila ishte anatemuar shumë herë për shkak të bindjeve politike të saja dhe të familjes, motra e Kadri Kusarit, apo Dushit siç është njohur me nofkën e tij, tregohet se kanë qenë familje e arsimuar, e ngritur, qytetare dhe kombëtare.

Duke lënë trashëgim pasurinë, pas shuarjes së familjes së ngushtë, familjeve Rizvanolli, si axhallarë, dhe familjeve Kusari, si dajallarë, këto dy familje kishin vendosur që vlerën e pasurisë së trashëguar prej 500 mijë euro ta investojnë në një shkollë të re në Gjakovë, në qytetin prej nga këto familje kanë orgjinën.”Ju jeni shembull edhe për Europën” u ka thënë këtyre familjeve kryetari i Komunës, Pal Lekaj. Ju që bëtë aq shumë për këtë vend, për arsimim dhe kulturë, është dëshmi jo vetëm e nivelit të qyterarisë suaj, arsimdashurisë, por jeni familje që vërtetë Gjakova ju ka borxh shumë të madh”, është shprehur në falënderimet e tija, Pal Lekaj, kryetar.

Ndërkohë, në emër të familjeve Rizvanolli e Kusari ka folur Xhelal Kusari i cili ka thënë se ky donacion është dhënë në kujtim të nipit të tyre Këlmendit, vdekur në moshë të re, por edhe me qëllim të kontributit për zhvillimin e arsimit në Gjakovë.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të kësaj shkolle, drejtoresha komunale e arsimit Silvana Haxhikadrija u ka ndarë mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan për ndërtimin e kësaj shkolle.

E sot më të lumturit me ndërtimin e kësaj shkolle u dukën të jenë veçanërisht nxënësit e klasës së parë deri në të pestën, të cilët tash e tutje do ta shfrytëzojnë këtë objekt të bukur e modern.

Po sot është bërë edhe inaugurimi i aneksit të ri të shkollës fillore “Selman Riza” në Dardani.