Historia e fotografisë kosovare fillon në Gjakovë
Ahmet Zherka, legjenda e fotografisë
Nihat Zherka flet për historinë e gjyshit Ahmet Zherka që vuri themelet e fotografisë në Kosovë
Qyteti Gjakovës është qyteti i parë që falë fotografëve të mirënjohur ka lënë gjurmë në fushën e fotografisë në Kosovë dhe në trojet shqiptare. Është fotografi Ahmet Zherka dhe familja Zherka që këtë zeje e kanë kultivuar qysh në shekullin e kaluar. Me Ahmet Zherken fillon historia e zanatit të fotografisë në Kosovë. Fotokamerën e parë e ka sjell nga Selaniku. Më 1896 bleu një aparat fotografik dhe më 1900 e hap dyqanin e parë fotografik në Gjakovë por edhe të parin në Kosovë.
Nëse Marubi shënon fillet e fotografisë në Shqipëri, Ahmet Zherka këtë e bënë në Kosovë. Fotografia e vjetër që simbolizon Gjakovën tek Ura e Islam Begut, tek ura e vjetër e të cilën pothuajse e gjenë në shumë familje është një nga mijëra e mijëra fotografi të punuara nga mjeshtri, aktori, piktori dhe veprimtari Ahmet Zherka. Nipi tij Nihat Zherka, sot tregon për rrugëtimin e kësaj zeje në familjen e tij.
Ju e keni vazhduar traditën e gjyshit tuaj për fotografinë. Edhe ju jeni kameraman me vite të tëra që keni punuar dhe punoni ende? Kush ishte Ahmet Zherka?
Gjyshi im, Ahmet Zherka, ka lindur me 1882 këtu në Gjakovë . Qysh në moshë të hershme mbeti pa prindër. I ati i tij kishte vdek dhe nëna i kishte lënë qysh në moshën e hershme. Shkollimin e ka fillue në moshën gjashtë vjeçare. E kanë marrë tezakët e vet dhe e kanë dërgu në shkollim në Selanik dhe Stamboll. Atje ka fillu shkollimin në gjuhen turke por, prapë s’kanë qenë të kënaqen ta lojin aty, e kanë dërgu në Budimpeshtë. Atje e ka krye shkollën e mesme , zejen e fotografisë. Lirisht mund t’thom se është i pari fotografist shqiptar që e ka kry shkollën e mesme të fotografisë në Budimpeshtë, diku në vitin 1900. Po në vitin 1895-96 ai e ka pru aparatin e parë në Gjakovë, mu atëherë kur ishte 12-13 vjeçar.
Çfarë aparati ka qenë atëherë ?
Atëherë ka qenë aparati qe aty për aty është bo fotografia. Këtu të ka fotografua edhe përnjëheri ta ka dhonë fotografinë. Për fat të keq ai aparat në vitin 1944 – 45, me mbarimin e luftës së Dytë Botnore e kanë marrë dhe ka humb . Edhe shumë gjurmë të fotografisë n’atë kohë kanë humb. Meqenëse gjyshi ka qenë i burgosen politik, shtëpitë i kanë eksproperu edhe kështu kanë humbur shumë fotografi-pajisje e dokumente. Gjyshi ka vdek me 27 janar 1967
Ju keni pas kohë të punoni bashkë me gjyshin tuaj. Si ka filluar me studiot e fotografisë ?
Fillimisht në Gjakovë nuk ka hapë dyqan. Ka punuar në Prizren në familjen Mjeda, mu afër Shadërvanit. Në Gjakovë rrymë s’ka pas atëherë kur ka fillu fotografia ma moderne, prandaj u detyru t’largohet prej ktuhit, t’shkojë e t’punojë dhe në Vjenë. Një kohë ka qëndru në Vjenë të Austrisë, edhe në Hamburg të Gjermanisë, ka shetitë nëpër Evropë, po dikur ka ardhë prapë në Gjakovë.
Kur e ka hap dyqanin si fotograf në Gjakovë?
Në Gjakovë ka fillu diku në vitin 1908. Prapë jo i kënaqen me punën që bëhej. Sa m’kujtohet mu, gjyshi ka pasë dyqan, që m’tregojke, edhe në Zagreb, në Beograd, në Cetinje…Ai ka punu vazhdimisht, por dikur definitivisht është këthy ktu.
Çka keni ndonjë kujtim të vlefshëm nga gjyshi?
Sot unë e kam një aparat që është prodhim i viteve 1900. E ka edhe objektivin me nënshkrimin e firmes prodhuee si unikat i asaj kohe. Trupi i aparatit është i punuar në dru- “Fojklander” ndërsa objektivi “Cajz” . Për mu ai aparat ka vlerë t’madhe. Tash n’këtë luftën e fundit, prej 72 aparateve sa i kam pas në shtëpi t’vjetër janë vjedhë gjysma e ma tepër, kështu që ka ngelë një pjesë e vogël. Është vjedhë teknika e cila ka punu me dritë t’dites, në natyrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë , çka t’krijon natyra. Përpara u punu me negativa të gjamit, masnej ka dalë zhilatini e kshtu hap pas hapi deri në vitin 1925. Tash e kam gjetë nja negativ, mu aty në aparat ku shihet imazhi i vrasjes së Baram Currit në Shpellë të Dragobisë, negativi origjinal i gjamit që e ka fotografu vet gjyshi edhe disa negativë të tjerë.
Kur jemi tek fotografitë, ajo e Urës së Islam Begut është punuar pikërisht nga aparati fotografik i Ahmet Zherkes, a jeni i sigurt?
Aty janë dy fotografi, një fotografi është me shtyllat e urës dhe një tjetër fotografi është pa shtyllat e urës. Në atë kohë është edhe diçka shumë interesante që s’duhet ta harrojmë ta përmendim. Ka qenë edhe fotografi Avdurrahim Brovina i cili ka qenë një amator, shok me gjyshin, që e ka mësu zanatin. Ka qenë amator shumë i frytshëm që ka lënë gjurmë. Kam edhe fotografi të tijë që i ka lënë. I kam unë disa kopje.
Keni pas plane për hapjen e një ekspozite me fotografi të vjetra të gjyshit?
E kam pas ndërmend që ta hapi një ekspozitë me temën: Aparatat të cilët i përjetuan kater luftëra”, tue e fillu prej kameres klasike në kameren time digjitale t’fundit.
Gjyshi kur ka ardhë atëherë m’tregojke: “Kur kom fillu me fotografu m’thojshin, ik se ka punë me drejqën!!!”. Po çka është edhe ma interesante gjyshi s’ka qenë vetëm fotografist, por ai ka luajtur edhe në teatër duke treguar shkathtësi të magjisë. Unë sot i kam edhe do vegla të tij e të cilat ka vazhdu ti përdor edhe baba. Këtë degë, pra të magjisë e ka profesionalizu në Vjenë të Austrisë, sepse fotografia n’atë kohë nuk i ka “dhënë fort bukë me honger”. Kur është kthyer nga Vjena atëherë u martu e ka vazhdu jetën.
I përmende këto lojërat skenike. Aty në dyqan i ka organizua ato, apo si ka qenë?
Jo, ato lojnat skenike i kanë realizu me shokë nëpër lagje të Gjakovës. E kam një fotografi në familjen Baraku, se mu n’atë shtepi u lujtë edhe teatri i parë në Gjakovë, në lagjen Haxhi Ymer. Me këtë dua të them se Ahmet Zherka nuk ka qenë vetëm fotorafist po ka qenë edhe aktor.
Do të thotë atë dellin aktoresk e ka trashëguar babai juaj Hajrullah Zherka i cili ka qenë aktor i mirënjohur i Teatrit popullor të Gjakovës?
Baben qysh n’moshen pesë vjeçare e ka marrë me vete kudo. Edhe n’Zagreb e ka qu për ta ushtru.
Kur jemi tek fotografia dhe tek tradita e familjes suaj, me çfarë kushte, me çfarë aparate dhe si është zhvilluar fotografia për aq sa ju mbani mend?
Une si fëmi kam fillu të fotografoj sikurse krejtë familja jonë. Ky është një profesion shumë interesant sidomos ashtu siç është punuar përpara shumë vjetësh. Në atë kohë ka qenë shumë më intersante puna se tash kanë dalë aparata digjital. Tash është një teknikë ma e përsosne. Atëherë ke mundur të punosh vetëm nëse ke ditë ti bëshë edhe kimikalet vet, ta përdorish edhe letren çfare nevoitet e tjera procese të zhvillimit të fotografisë. Atëherë, mbas luftes dytë botnore s’ka pas në sasi material t’fotografisë .
Si i keni punuar fotografitë?
Po fotografia u punu n’odë të territ. Aty ka qenë zhvillusi, uji, fiksiri. Po zhvilluesin duheshim ta punojshim prej kemikalieve , sulfit, hidrokinon e brumkal e t’gjitha ato ti përzijë që t’bohet zhvillusi. Gjyshi i prodhonte vet ato. I maronte jo vetëm për nevojat e veta por edhe punë të tjera bënte. Gjyshi e ka pas përfaqsinë e firmës “AGFA”në Tiranë edhe në Selanik. Është marrë edhe me shitjen e filmave dhe pajisjeve tjera. Ka qenë i ngritun profesionalisht nga ana e fushës së fotografisë. E kemi për traditë këtë punë , baba ka vazhdu me fotografi, unë kam vazhdu edhe kam kalu në fotografi të lujtne(kamerë), po edhe tash i punoj fotografitë…
Dyqani juaj ka qenë në qendër të qytetit aty keni punuar edhe ju?
Ky dyqani ku une e kom përjetu bashkë me baben është dyqani i tretë i gjyshit në Gjakovë. Dyqanet e para kanë qenë n’Çarshi t’Vjetër. I pari ma vonë ka qenë ktu ku jemi, te semaforet në qender të Gjakoves, po ja tri a katra dyqane ma poshtë. Ne i kemi pas shpijat në mahallë t’Mulla Jusufit e këtu e ka ble kët vend në vitin 1922. Ky dyqan që u ndërtu së voni është ndërtuar nga inxhinieri special . Ateleja e fotografisë ka qenë diku 8 metra e gjërë me 11 metra gjatësi. Ka qenë me xhama e mbulume n’dy anë për me pas dritë. Gjakova s’ka rrymë. Vonë ka ardhë drita edhe një ndër iniciatorët që ka ardhë drita n’Gjakovë është Ahmet Zherka. Lirisht mund t’ju them se e ka pru edhe mjeshtrin, po investimet i ka bo familja e Begut. Mua m’kujtohet, deri vonë e kemi pasë radion me çeli të gurkalit ku prodhohej rryma dhe prej saj dëgjojshim radion.
Në kohën kur ju keni fillu si fëmijë me u marrë me fotografi në dyqanin tuaj , cilat dyqane kanë qenë cilat familje e kanë kultivu zejen e fotografit?
Këtu mas pari kur ka ardhë në Gjakovë Qamil Prizreni e prej tij kanë mësuar të tjrët sic është Ramiz Mulla Ejupi. Ramizi si gjakovarë ka fillu ndër të parët . Nuk duhet ta harrojmë masnej bacën Tif,- Latif Junikun. Kështu që mbas viteve t’pesëdhjeta kanë fillu fotografët tjerë t’punojnë. Mu m’kujtohet kontakti me një fotograf dhe kameraman të vjetër në Athinë në vitin 81 (1981) kur mu drejtua: A je djali i Hajrullahit a i Ramisë? Unë e pyta pse ku po i njeh? Ai ma ktheu: “Unë jem dalë n’fotografi me ta dhe unë kam hap kursin e fotografisë në Gjakovë , në vitin 1951-52.”
Ahmet Zherka jo vetëm që ka lanë gjurmë për zejen e fotografisë, ka qenë shumë i njohur edhe si veprimtarë?
Gjyshi le që ka qenë njeri intelektual edhe modern, ka qenë edhe larg pamës, Mu më kujtohet si thoshte gjyshi, se e kishte pas edhe limozinen( veturën) në Gjakovë, me 1925-shin kur e kishte pas ble. Shofer i tij kishte qenë Marko Oreshkoviqi prej Zagrebit. Po atë limuzinë e ka ble ai me qellime të zhvillimit të aktivitetit partiak. Gjyshi ka qenë si antarë i Partisë Social Demorkate n’atë kohë. Edhe tavolinën e punës së kësaj partije unë sot hala e kam në shtëpi, por pa karriga. Ai ka shpërnda edhe materiale partiake ndërkohë që merrej me politikë. Nganjëherë e pyetsha: Babë çka është politika? M’thojke: “Ti m’rrenë (gënjen) mu, unë t’rrej (gënjej) ty, ai që rrenë (gënjen) ma shumë , ai fiton”. Unë si fëmijë qeshësha!!!. Jam rritë në prehnin e tij. Ai ka shetitë shumë, e ka pasë në qejfë shetinë. Ndryshe, ka qenë edhe themeluesi i parë i shoqates së zanatlive t’Gjakoves.
Pos që është angazhuar në zejen e vet si fotograf ai është marrë edhe me organizimin e zejtarëve të Gjakoves. Ku e dini ju se ai ka qenë kryetarë i zantalive të Gjakoves?
Unë e di se tashti edhe nona tregojke edhe gjyshi vet tregojke se jon mledhë zanatlitë edhe prej parezeve(tatimeve) n’atë kohë kur u kon ish Jugosllavija kanë qenë parezet e mdhaja edhe tash të gjithë zanatlitë e Gjakovës kanë hi me nji “ambrellë” që të mbrohen, që ti kenë ato kërkesat. Edhe sot unë e kom nji libër të ligjeve t’zanateve që është i 1925-shit. Mu ai libër ka ngelë prej asaj kohe. Mëkat është që Gjakova edhe sot mos ta ketë një mbrojtje për zantet e vejtra.
Një fotograf cilësor çka duhet me pas?
Njeriu duhet ta përjeton ato çka e fotografon. Nuk është e thone çfarë është aparati, por kush qëndron mas aparatit edhe ta lyp pikën e interesit të fotografisë, ku e gjenë piken e interesit. Sot fotografojnë shumë amatorë, shumë njerëz, por piken e interesit nuk e dinë, për çka masnej, n’rast se hyjmë kah portretet, nuk ka njeri që nuk është i buker, por duhesh t’punojish me to, t’ia gjejë kandin ku është fotogjenik, se çdo njeri është i bukur po të jetë edhe më i vrazhdi.Tash ka dalë kompjuteri. Tash bëhen mrekulli prej fotografive dhe ato kanë specifikat e veta varësisht se për cka përdoren. Mua m’kujtohet kur baba filloi punën me fotografi të reklamave, që rrallë atëhere u punoshin. Punojshim kalendarë për firmat e atëhershme të njohura tujn fillu prej “Tam-it”, të Mariborit të Sllovenisë e deri në Gjevgjeli të Maqdonisë. Punojshim gjithë familja, na binte pesë a gjashtë muaj t’punojim, me fëmijë, me gra me krejtë familjen.
Mbas Luftës së dytë Botërore, kur u mshel kufini pat probleme të mëdha me siguri material për fotografi, diku 10 a 12 vjet s’ka pas. Mirëpo gjyshi e kishte pas nji bunker në shtëpi që e kishte ndërtua për ta rujtë materialin e studios për mos me u prish.
Në muajin janar të vitit 1951 u mor vendim për pajisje me leje të njoftimit. Lejet e njoftimit, qysh më kallxonte gjyshi, jonë bo edhe në kohën e Austrohungarisë. Ka fotografi të asja kohe nëpër muzej, me numra.
Në vitin 1955 baba kishte shku në Itali. Prej atje pat pru do material. Kur u hap kufini, 57- 58-shin ishte në Gjermani e gjyshi herë pas here shkojke edhe për Suboticë e merrke material të sudios prej Hungarisë. Atje ka qenë fabrika e letres “Forte” që ka qenë letra ma e mira për fotografi, ndërsa në Gjermaninë e lindjes ka qenë “Orëo”, që punojke po e njejta fabrikë e “Agfa-“së. Mbas luftes filloi punën fabrika për prodhimin e letres së fotografisë “Fotokemika” edhe në Zagreb.
Kush janë fotografuar në kohen e përparshme kur gjyshi juaj Ahmet Zherka ka fotografuar?
Në kohen e përparshme janë fotografu elita e qytetit, si ta quaj elita, familjet borgjeze që kanë qenë ma t’shkollune. Rallë u fotografua kush për qejfi. Fotografija ka kushtua shumë atëherë. Për nji portret t’mirë, një fotografi t’madhe me e bo ka kushtu bukur shumë.
Familja Zherka çfarë fotografi i konsideron si më të vjetrat që i ka?
Unë e kam një fotografi të vjetër në shtëpi. Bëhet fjalë për një fotografi që është punua në një shtepi në Prizren. Aty shifet gjyshi krejt i ri edhe nji berberë me kanac, me nji palë mustaqe , edhe tuj e rru gjyshin.
Çfarë viti mundet me qenë?
Ajo ësht diku në vitin 1903- 1904. Mua baba m’tregojke për vëashtirëasitë e mëdha që kishin atëherë në zanatin e fotografisë për mungesë të kushteve: “ U duhshim me shku natën më i bo fotografitë në Pejë se atje kishte rrymë. Këtu, Gjakova s’ka pasë rrymë. Gjyshi donte ta ndertonete edhe centralen e rrymes ktu n’Gjakovë, nëpërmjet ujit të lumit Krena, por për shkak të do pengesave, nuk kishte arrit. Ka pas kontakt me Begun edhe i ka thonë: une t’investoj edhe aty ka ardhë që e ka bo rrymen en Gjakovë Kejri Mihajllov, që e kanë quajt “Majstor Misha”. Ai e ka bo instalimin e rrymes në Gjakovë. Mbasi erdhi rryma së pari në shtëpinë e Hilmi Begut, e mori edhe gjyshi për punë në studion e fotografisë.
Babai juaj, aktori i mirënjohur Hajrullah Zherka po thuajse tërë jetën, krahas fotografisë e ka kaluar edhe në skenën e teatrit të Gjakoves, çfarë mund të thoni ju?
Babai shkollen e ka kry në medresen e Shkupit, medresen e madhe të Kral Aleksandrit qe i kanë thonë atëherë, ka qenë për ketër vite aty por babai ka pas pretendime të shkonte ta kryente akademinë në Romë. Në vitin 1939 shkuan me gjyshin për në Gjermani që t’kthehen në Itali të regjistrohet në akademi edhe t’vazhdon shkollimin, por për fat t’keq lufta e ndali edhe u kthy n’Gjakovë. Edhe ka vazhduar me u marrë me aktrim. Ka luajt në instrumentin e violines. Qysh atëherë ka luajt në violinë me nota pentagrami. Mund të them se ka qenë i pari njeri qe i ka ra vilinës me nota në Gjakovë. Ma së shumti baba e ka dashtë teatrin. Më kujtohet kur thoshte “Kur filluam ta inskenojmë dramën “Besa” të Sami Frashrit, ku Fadil Hoxha ishte regjisor. Nisi lufta , dolen në luftë, iu bashkangjiten aradhe për çlirimin e vendit dhe kështu që mbeti pa u shfaqur pjesa tetarale. Pas luftes, masnej filluan aktivitetet me pjesëmarrje në ansamble të muzikes e tjera. Thoshte: “Në dasem kur t’shkojshim me bo muzikë kërkuj si kemi marrë as pare as kurrgjo hiq. Jemi shku e jemi ulë diku në një kand të sobes(dhomes). Ka bo vaki 2-3 dasma kanë ndodhë ran e na i kemi majtë. Po ka qenë edhe shoqnija e Ymer Rizes”, kujtojke baba. Prej familje sonë që kanë bo muzikë, ma tepër axha i ka ra gitares, baba i ka ra violines, ka qenë aktiv edhe në muzikën argëtuese e kështu ….
Tradita vazhdoj…?
Baba më mësoj hapat e parë të kameres, se ai punjoke me kamerë. Nuk është që ka qenë vetëm fotorgraf apo regjisor i teatrit, që ka bo shumë pjesë apo një aktor, por ka qenë shumë ma tepër. Më kujtohet një shkrim gazete nga Maksut Shehu. Mu në Prizren ishin mbramjet e vllaznimit edhe kishte pas shkru: “Hajrullah Zherken e shohim si kameraman, si regjisor, si fotograf, si artist…Shumë punë i ka bo. Kështu që baba ka qenë i gjithanshëm. Ka pas qejf t’punoi, e ka dashtë punen e sidomos, çka është karakteristike, se inkuadrimin e femnes n’atë kohë në teatër e ka pa si shumë të domosdoshme. U mundua me mish e me shpirt që në përgatitjen e shfaqjeve teatrore të përfshihen edhe femrat si aktore.
Domethënë ju prej babait e keni mësuar zanatin?
Unë kameren e kom mësu prej babes, masnej kom vazhdu n’vitet e 70-ta t’punoj vet si korrespondent. Ai ka qenë korespondent i redaksise së gjuhes shqipe pranë televizionit të Beogradit. Edhe unë kam qenë si korespondent i televizionit. Më kujtohet puna e madhe që kam ba në vitet e 70-ta kur në Kosovë ishte epodemija e Varioles. Atëhere i vetmi kam qenë unë që kam xhiru, gjithkah nëpër qytetin e Gjakovës, n’spital me gjith ata dy mjekët specilastë që kishin ardhë prej Beogradit. Gjakova ka pshtu atëhere edhe pa u kallë, se Gjakoven ka dashtë edhe atëhere ta likuidojnë për shkak t’sëmundjes! Unë kam fotografu me kamerë, kam incizu edhe ai material i vitit 1972, sa m’kujtohet mu, është pa në krejtë ish Jugosllavinë por edhe në botë. Unë, diku aty rreth viteve të 70-ta kam fillu t’punoj me kamerë . Jam inkuardrua pranë televizonit kur u hap RTK-ja. Më kujtohet ishte data 26 dhjetor 1973 kur u formua Radio Televizioni i Prishtines e n’atë mbramje maspari punova n’kuadër tash televizionit të ri me Ali Ollonin, mu ktu në Gjakovë. Atje në Prishtinë punova deri sa kriminelët serb na qiten me dhunë t’gjithve prej pune. Tash punoj si kamerman i lirë. Kur ka me punu punoj.
Si ndjehesh ti si një vazhdues i traditës për fotografi të fotografit të mirënjohur Ahmet Zherka?
Une ndihem shumë i lumtur. Nuk mbaron kjo me mu, po ne e kemi edhe një anëtare të familjes në Suedi, e cila është tuj e krye shkollen për fotografi. Është vajza e vëllait edhe ajo po i vazhdon hapat e gjyshit . Traditën nuk do ta ndërpresim. Besoj që ndoshta, jo shumë shpejt, veç do ta hapim edhe një dyqan me fotografi, i cili do t’jetë “Foto filmi 100 plus Zherka A Zh”, se germat lidhen edhe A. Zh, germa e parë e alfabetit , Ahmet edhe germa e fundit e alfabetit tonë Zh –ja, Zherka.
Intervistoi:Zeki Vehapi