Tuesday, November 5, 2024
Intervista

Ak. Rrauf Dhomi – Gjurmët e Korit të Burrave

Kori i BurraveKëngët e Korit të Burrave shpalosin historinë, dramën kombëtare të fitoreve dhe humbjeve. Këngët e këtij Ansambli të shpijnë në altarin e shqiptarisë për t’iu falur flamurit kombëtarë me zemër të dlirë, atij simboli të shenjtë të larë me gjak, të ndaluar, të përdhosur e të plandosur nga armiq të xhindosur, të djeshëm e të sotëm, thotë themeluesi i Korit të Burrave të Gjakovës, akademik Rrauf Dhomi në 45 vjetorin e themelimit.

Në ç’rrethana historike u krijua Kori i Burrave të Gjakovës?

Pas Luftës së Dytë botërore, Kombi ynë ishte i ndarë në dyshë. Pjesa e parë apo Shqipëria, çonte jetën e vasalit, herë me Jugosllavinë e herë me Sovjetët dhe  dekadat e fundit para zhvillimeve demokratike zgjodhi rrugën e vet mbylljes.

Pjesa e dytë e Kombit që jetonte në trojet e veta etnike në Kosovë, Maqedoni, Preshevë e Mal të zi ishte e detyruar ta kaloi jetën në robëri, pikërisht nga një pakicë që sundonte shumicën në trojet e veta. Jeta e shqiptarit ishte rropatje në të gjitha skajet e Jugosllavisë për të punuar dhe mbajtur familjet e tyre gjallë me punë të rënda prej zezaku.

Pjesa tjetër e popullit e cila po kërkonte më shumë të drejta (meqë nuk mashtrohej dot me një barazi të rreme) kalbej në kazamate.

Nxënësit tonë dhe rinia edukoheshin vetëm në frymën e patriotizmit Jugosllav, që do të thotë të mësosh historinë e Nemanjiqëve, Car Dushanit e Njegoshit për të mos patur mundësi të mësoj për Kastriotët, për Fishten dhe figura të tjera të ndritura të Kombit.

Folklori ynë, ai visar i jetës shpirtërore ishte në shënjestër. Përgjoheshin këngët në oda të burrave dhe në dasma, keqtrajtoheshin këngëtarët e muzikantët. Dervish Shaqa, rapsod në zë u detyrua ta braktisë Llukën e tijë për të gjetur shpëtim. UDB-ja famëkeqe ua kishte nxirë jetën shumë intelektualëve, ndër ta edhe Zekeria Rexha e Selman Riza. Të dy këta u detyruan të dëbohen në Shqipëri. Pikërisht në këtë kohë të zymtë, zuri fillin Kori i Burrave i Qytetit të Gjakovës në vitin 1965.

Cili ishte hapi parë?

Hapi i parë i këtij Ansambli koral nuk u bë në rrugën e pashkelur, por mbi bazën e një tradite të pasur muzikore e kulturore. Mbi këtë bazë u ngrit dhe i shtriu krahët Kori i Burrave. Në atë kohë kjo nahije apo kjo malësi jetoj me pushkë e këngë. Ishte kënga ajo që mbijetonte vdekjen. Ishte kjo forcë, që i bëri sfidë zgjedhës serbomadhe, sundimit të kralive, dajakut e kondakut të xhandarëve e peripecive të tjera të panumërta.

Veprat e mëdha lindin në kohë të vështira?

Po, është e njohur tani më se veprat e mëdha të krijimtarisë mendore dalin në kohë të vështira. Duke u nisur nga ky motiv kujtojmë demonstratat e vitit 1968, 1981 apo marshimin e famshëm të mbi një milion shqiptarëve në vitin 1989 të cilit i parapriu greva e minatorëve në zgafellet e Trepçës. Pra nuk ishte e rastit që nga këto vite Kori i Burrave, kjo “Çetë Artistike” nuk do t’a ndalë hapin dhe këngën për të qenë kudo i pranishëm, në Kuvende të partive politike e të shoqatave të ndryshme, në përvjetorët e ngjarjeve dhe figurave të shquara historike, në nderime të figurave të shquara kulturo-arsimore, politike si dhe varrime e rivarrime të pjesëtarëve të UÇK-së, kudo që e kërkonte nevoja e kohës.

Çka paraqesin këngët e Korit të Burrave?

Këngët e Korit të Burrave shpalosin historinë, dramën kombëtare të fitoreve dhe humbjeve. Këngët e këtij Ansambli të shpijnë në altarin e shqiptarisë për t’iu falur flamurit kombëtarë me zemër të dlirë, atij simboli të shenjtë të larë me gjak, të ndaluar, të përdhosur e të plandosur nga armiq të xhindosur, të djeshëm e të sotëm.

Duhet të jetë poet i penës së hollë për të përshkruar me vargje të qëndisura atmosferën e mbrëmjeve të 28 nëntorit në vitin 1990 në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë apo të 21. shkurtit 1992 në Pejë ku për herë të parë (pas një gjysmë shekulli që dëgjonim himnin “Hej Slloveni”) u intonua Himni Kombëtar Shqiptar, ku salla e mbushur përplot me njerëz u shkreh në vaj.. Ishin këta lot mallëngjimi i gjakimi që u derdhën aty për herë të parë për Himnin Kombëtar.

 Cili është roli që pati paraqitja e Korit të Burrave?

Është e vështirë të përshkruash në mënyrë të plotë rolin e madh që luajti ky Ansambël me këngët e veta artistike në edukimin patriotik të rinisë dhe mbarë popullit. Mjafton të përmendësh faktin se me gjithë terrorin e egër që ushtronte armiku shekullor dhe tradhtarët, megjithë vrasjet, burgimet, internimet e torturat më të egra e më çnjerëzore, tingujt e këngëve të Korit të Burrave buçitnin kudo. Ato përçonin tek masat, tek dëgjuesit e shumtë sinjalet e fitores, të qëndresës heroike dhe të papërkulur të popullit.

Gjatë kohës së luftës, kur armiku shpallte shpesh herë shuarjen e tërësishme të njësiteve ushtarake të UÇK-së në Kosovë, kënga patriotike e Korit të Burrave buçiste dhe ngjallte shpresën e fitores në masat e gjera të popullit. Fuqia e këngës sonë me mesazhin që dërgonte gjithandej Kosovës, fuste panik te tradhtarët dhe spiunët. Gjatë sulmeve e marshimeve të gjata, zhveshur, zbathur e të pangrënë, në të ftohët, të lodhur nga uria, të kanosur në çdo moment nga rrethimi i armikut, luftëtarët trima të Kosovës i mbante gjallë kënga. Ishte kënga ajo që ngjallte guximin, i mbushte zjarr dhe  i trimëronte zemrat e të gjithëve. Ajo ishte shoku me i mirë dhe i pandarë i tyre, në marshim, në pushim dhe në luftë.

Pikërisht kjo cilësi e lartë patriotiko-artistike dhe atdhedashëse e Korit të Burrave të jep forcë magjike dhe humane, të entuziazmon, të mbushë plot energji pozitive dhe të fisnikëron tej mase.

Cilat janë vlerat e këndimit koral?

Këndimi koral, si një interpretim prestigjioz dhe piedestal artistik muzikor, daton qysh para erës sonë. Këndimi koral (acapella), vlerësohet gjithnjë lartë edhe nga ekspertët e muzikës, bile aq lartë saqë në një takim shtetarësh në Greqinë antike , njëri nga ta duke dashur që në mënyrë telegrafike të merr të gjitha të dhënat e atij shteti (si ato ekonomike, arsimore, kulturore, etj) e pyet homologun : Ju lutem, më tregoni se në ç’nivel qëndron këndimi koral në shtetin tuaj, dhe do ta kuptoj nivelin e qytetërimit tuaj.

(Intervistoi: Zeki Vehapi)