“Sot erdha, sepse e dini që e kemi bërë këtë traditë që të vizitojmë ditën e parë të Vitit të Ri, fëmijën e parë të të lindur. Por, këtë vit pak e kemi ndryshuar qasjen, sepse gjithmonë kemi shkuar në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, dhe kam vendosur që, duke filluar nga ky vit, dhe vitet e tjera të shkoj në qendra të ndryshme rajonale nëpër Kosovë. Ishim këtu në Qendrën Rajonale të Spitalit të Gjakovës, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, me kryetaren e Komunës dhe me Drejtorin e Qendrës, vizituam fëmijën e parë dhe nënën e saj. Përgëzova nënën për lindjen e fëmijës, kurse Esmës së vogël i dëshirova jetë të gjatë, shëndet, ta kalojë një jetë të mirë me familjen e saj”, tha Presidentja Jahjaga.
“Kurse personelin mjekësor, duke përfshirë drejtorin dhe të gjithë personelin mjekësor i përgëzova për gjithë punën e tyre, për gjithë angazhimin e tyre, jo vetëm në natën e ndërrimit të motmoteve, që kërkon një angazhim shtesë, por edhe për gjithë punën e tyre dhe profesionalizmin që kanë treguar përbrenda dymbëdhjetë muajve të këtij viti. Shpresoj që ky vit, për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të gjithë qytetarët e Gjakovës, të jetë një vit i mbarë i solidaritetit dhe i mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë”, vijoi Presidentja Jahjaga.
Presidentja Jahjaga, po ashtu, vizitoi edhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ku u prit nga drejtori, nënkolonel Ahmet Hasi.
“Ndoshta duket edhe si rastësi sot vizita ime, me krijimin e Drejtorisë Rajonale të Gjakovës. Fillimisht, unë përgëzova kryetaren, pastaj edhe Drejtorin Rajonal të Policisë të Rajonit të Gjakovës, për mbajtjen e një ambienti të qetë, të sigurtë gjatë natës së ndërrimit të motmoteve”, tha Presidentja Jahjaga.
“Por, veçanërisht ky vendim për ndarjen e Regjionit të Gjakovës kontribuon për një shtrirje më të mirëfilltë dhe më të mirë të Policisë së Kosovës, në të gjitha këto fshatra rreth Gjakovës, në mënyrë që të jetë më afër qytetarëve të saj, që të ofrojë siguri më të madhe dhe që të garantojë rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kështu që, e përgëzoj komunën e Gjakovës dhe e përgëzoj Drejtorinë Rajonale të Gajkovës dhe u dëshiroj një punë të mbarë përbrenda këtij viti”, tha Presidentja Jahjaga.