Saturday, December 28, 2024
Fejtone

Kadri Kusari veprimtar i madh i çështjes kombëtare


Muhamet Rogova

                                                               Shkruan. Prof Muhamet Rogova

(Akademi përkujtimimore në kuadër të shënimit të 30 vjetorit të vdekjes)

U lind më 22 .  12. 1935 në një familje të mesme gjakovare. Baba i tij, Malushi merrej me tregëti, kurse nëna, Naxhija, ishte amvise por merrej edhe me punë dore si pjesa dërmuese e grave gjakovare. Këta prindër linden  shtatë fëmijë, tre djem dhe katër vajza.

kadri-KusariKadriu fëmijërinë e kaloi në një periudhë shumë të rëndë që e përjetonte populli shqiptar në periudhën e pushtimit të Jugosllavisë hegjemoniste të asaj kohe kur popullit shqiptar i ishte mohuar çdo lloj e drejte kombëtare. Kolonizimi i Kosovës po vazhdonte sipas programeve dhe ellaborateve të qeverisë serbe. Nuk shihej asnjë përspektivë për popullin shqiptar. Lufta e Dytë Botërore solli ndryshime të mëdha  sidomos për popullin shqiptar në trojet  shqiptare që ndodheshin në Jugosllavi. U realizua bashkimi kombëtar dhe në Kosovën e martirizuar u hapën edhe shkollat shqipe dhe u krijua edhe administrata në gjuhën shqipe, xhandarmaria shqiptare e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar etj. Ishte krijuar një klimë e re dhe shumë më e favorshme  për popullin shqiptar. Ndose kjo periudhë nuk ia solli lirinë e vërtetë Kosovës, por vetëm se ishin ndërruar pushtuesit, por pushtuesit e rinj në krahasim, me pushtuesit hegjemonistë jugosllavë, ishin shumë më të favorshëm për popullin tonë  Në këto rrethana të reja të krijuara Kadri Kusari u regjistrua në shkollën që ishte hapur në atë kohë në gjuhën shqipe dhe kishte treguar sukses të lakmueshëm.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore i shembi ëndrrat e populit për Bashkim Kombëtar dhe Kosova u ripushtua prej forcave partizano-çetnike  të Serbisë. Ajo periudhë u pasua me masakra dhe vrasje masive të mijëra shqiptarëve si dhe me shpronësimin dhe konfiskimin e mallrave nga të gjithë tregëtarët dhe familjeve të kamura të popullit. Këtë fat e pati edhe Malush Kusari, të cilit ia konfiskuan mallin nga dyqani i tij duke e zhytur edhe atë familjem si pjesën dërmuese të popullit shqiptar në mjerim dhe varfëri deri në uri kolektive kur iu morën edhe miellin nëpër maxhe. Pjesa dërmuese e popullit shqiptar kishte mbetur tejet i zhgënjyer me këtë “liri” që e solli komunizmi. Ajo shpresë që e kishin ushqyer si grupet nacionaliste shqiptare, po ashtu edhe komunistët, sidomos me “Rezolutën e Bunjanit” se pas përfundimit të luftës do të respektohej vullneti i popullit për bashkim kombëtar, doli se ishte vetëm mashtrim se në Kosovë u instalua regjimi ushtarak serb dhe shqiptarët prapë u privuan nga të drejtat e tyre nacionale.

E vetmja e drejtë që i njihej shqiptarëve, ishte vazhdimi i shkollave në gjuhën shqipe, ato shkolla që ishin hapur në kohën e fashizmit. Por, megjithate, rinia shqiptare vazhdonte të shkollohej. Kadri Kusari, pas kryerjes së shkollës fillore, u regjistrua në shkollën normale që ishte e vetmja shkollë e mesme në Gjakovë. Ishte ndër gjeneratat e para të kësaj shkolle. Shkolën Normale e kreu me sukses të lartë dhe dëshira e tij ishte që t’i vazhdonte studimet. Por për ta fituar të drejtën e studimeve duhej të punonte bile një vitë si mësues  Pasi e kreu edhe stazhin e punës, shkon në Beograd në vitin 1954. Në fakultetin e Beogradit u regjistrua në degën e albanologjisë. Studimet i kreu me sukses të lartë dhe në afatin e duhur. Në vitin 1958 i kreu studimet dhe u kthye në Gjakovë për të dhënë kontributin e tij në kohën kur aq shumë kishte nevojë vendi për kuadro të shkolluar. Sapo ishte hapur edhe Gjimnazi në Gjakovë dhe aty e filloi punën si professor i diplomuar.

Me që unë kam pasur fatin të jem nxënës i tij, mund t’i përshkruaj disa cilësi të profilit të tij si profesor. Ishte shumë korrekt në procesin mësimor.Përmes shpjegimeve të tij, përpiqej qe te nxënësit, përveç mësimeve që na shpjegonte sipas plan-programit të kohës, ai përpiqej të kultivonte te nxënësit ndjenjen kombëtare, dashurinë ndaj atdheut tone si dhe urrejtjen ndaj pushtuesve të ndryshëm që kishin kaluar mbi atdheun dhe popullin tone. Ai na shpjegonte për luftrat e pandërprera të popullit tonë gjatë historisë për liri dhe pavarësi, Ai këto mësime i shtjellonte përmes folklorit tonë, sidomos duke na shpjeguar për këngët popullore historike që ishin krijuar në luftë kundër pushtuesve turq, por mesazhi ishte i qartë se permes atyre komenteve, Ai aludonte edhe për kohën kur po jetonim  Kështu Prof. Kadri Kusari fitoi dashurinë dhe respektin e rinisë shkollore për qëndrimet e tij si dhe për dashurinë që ushqente për nxënësit e tij. Gjatë pushimit të orëve, ai  më shumë preferonte të shetiste bashkë më nxënës në oborrin e shkollës se sa të rrinte dhe të bisedonte me kolegët e tij në sallën e arsimtarëve. Prandaj nxënësit e donin edhe më shumë. Kur kishte ndonjë orë pauze, ate përherë e gjeje në  sallën e fizkulturës duke bërë ushtrime gjimnastikore sidomos në paralele dhe në unaza. Sikur ta dinte se këto kalitje fizike do t’i shërbenin më vonë për të qenë më i qëndrueshëm ndaj sfidave që e pritnin.

Në vitin 1962, aktivi politik i qytetit dhe disa anëtarë të komitetit dhe udhëheqës komunistë, kishin shkuar në Gjimnazin e Gjakovës për të mbajtur një mbledhje ku do të demaskohej Prof. Avni Lama gjëja se ai gjatë shpjegimeve të tij me nxënës, nuk po e kultivonte ndjenjen e “Vllaznim-bashkimit” por po i ushqente me ndjenja nacionaliste. Nëse në atë mbledhje të gjithë profesorët që merrnin pjesë, e kishin ulur kryet dhe heshtnin, ishte i vetmi Prof. Kadri Kusari që iu kundërvu atyre dhe i doli në mbrojtje Prof. Avni Lamës. Pas kësaj mbledhje, njerëzit e Komitetit nuk mund ta duronin poshtrimin që iu kishte shkaktuar Prof. Kadri Kusari dhe e sollën vendimin që ta pushonin nga puna edhe profesorin më të dashur për nxënësit e gjimnazit të Gjakovës. Një vjet u soll i pa punë. Pas një viti, në vitin 1963- 64  punësohet në ndërmarrjen ndërtimore “Dukagjini” ,  si përkthyes  por atij kjo punë nuk i solli ndonjë kënaqësi mbasi e kishin larguar nga profesioni i tij për të cilin ishte përgatitur dhe shkolluar, por ishte një lloj ngushllimi  dhe i dukej vetje i mbyllur në një zyrë, si i burgosur.

Ëndrra për liri ende nuk ishte shuar në Kosovë  sado që dhuna qeveritare mbi popullin shqiptar ishte shumë  e lartë. Tani në Kosovë kishin filluar të shfaqeshin grupe të ndryshme të veprimtarëve që po e merrnin mbi supet e tyre një barrë shumë të rëndë. Përgatitjen e popullit për kryengritje që do ta qonin drejt bashkimit kombëtar. Ishte krijuar organizata “ Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e kryesuar nga tribuni, Adem Demaçi. Me të ndëgjuar për këtë organizatë. Prof. Kadri Kusari kërkon të bie në kontakt me ta. Kështu edhe në Gjakovë u krijua grupi i veprimtarëve  të prirë nga intelektualë që u bënë pjesë e asaj organizate. Udhëheqës i kësaj organizate për  degën e Gjakovës ishte caktuar Prof. Kadri Kusari.  Kjo organizatë u krijua në Mars-Prill të vitit 1964 dhe kishte zhvilluar një aktivitet të dendur. Në Qershor të atij viti, organet e sigurimit, përmes njerëzve të tyre, iu bien në gjurmë dhe i burgosin. Filluan të burgosen në të gjitha qytetet e Kosovës. Në Gjakovë burgosen;

Prof. Kadri Kusari si kryetar i grupit, denohet me 11 vjet burg të rëndë. Myrteza Nura me 8 vjetë,  Asim Vula me 10 vjetë, Hyda Dobruna që kishte qenë i denuar edhe më pare me organizatën e tij ilegale  në vitin 1957 tani si pjestar i këtij grupi denohet me 9 vjet. Prof. Avni Lama me 7 vjet. Nuredin Spahija  me 5 vjet,  dhe Teki Dervishi me 3 vjet. Vlen të përmendet se kjo organizatë gjatë veprimtarisë së tyre kishin gjetur përkrahje edhe nga shumë qytetarë që iu kishin ofruar ndihma të ndryshme si në para, municion dhe veprime të ndryshme që i zhvillonin. Ndër ta ishte Gani Zhaveli, Sefedin Fetiu, Shefki Oseku, Ismet Llapaqi, Esat Cërmjani, Fadil Rogova, Besim Peni dhe shumë qytetarë të tjerë..

Pas Plenumit të Brioneve, shpallet një amnisti duke iu zbritur nga katër vjet. Nëse të tjerët lirohen nga burgu, Kardi Kusari mbeti në burg deri në vitet shtatëdhjeta.  Kadri Kusari pas lirimit nga burgu për disa vjet mbeti i pa punë derisa më në fund punësohet si përkthyes në Fabrikën e tekstilit “Emin Duraku,” ku punoi deri në vdekjen e tij të parakohëshme.

Kadri Kusari vdiq më 27. 02. 1984 në Gjakovë. Ai vdiq në kohën kur e tërë Kosova po vlonte nga demonstratat dhe burgosjet masive të të rinjve në mbarë Kosovën. Në varrimin e tij morën pjesë me mijëra qytetarë, jo vetëm nga Gjakova, por nga mbarë Kosova. Gjatë atij ceremoniali mortor ishin angazhuar Komiteti, UDB-ja, aktivistë të partisë dhe shumë agjentë të tjerë për të identifikuar ata njerëz që kishin marrë pjesë në përcielljen e funeralit të tij.  E gjithë ajo masë e njerëzve që kishin marrë pjesë në varrimin e tij, me një mënyrë, jo vetëm që donin të shprehnin respektin  për figurën e tij që ishte kthyer në simbol të qëndresës dhe të patriotizmit, por donin të shprehnin edhe solidaritetin e tyre për atë lëvizje të madhe që kishte shpërthyer në tërë Kosovën. Por për qeveritarët që me çdo kusht përpiqeshin ta shuanin ndjenjën kombëtare në popull dhe ta luftonin irredentën, ishte një grusht i rëndë. Prandaj që në ditën e nesërme fillojnë të organizojnë mbledhje diferencuese në të gjitha organizatat punuese dhe nëpër shkolla për t’i denuar dhe përjashtuar nga Partia por edhe nga puna ata persona që kishin marrë pjesë në varrimin e tij. Ishin denuar rreth 30 persona për kundërvajte që kishin rënë në sy më tepër apo të pa dëshirueshëm për organet qeveritare

Vetëm nga familja Dobruna u burgosën tre vëllezërit, Hyda, Skender dhe Sokol Dobruna. Agim Jaka, Ruzhdi Sefa, Halil Bedra e shumë të tjerë.

Kjo ishte hera e dytë që në Gjakovë po ndodhnin burgosje dhe reprezalje të tilla mbi popullësinë gjatë ceremonialeve. Kështu kishte ndodhur në vitin 1979 në dasmën kur martohej Hyda Dobruna duke e burgosur edhe dhëndërrin, e që mbahet në mend si “Dasma e Dobrunës” dhe tani gjatë ceremonisë mortore që organizohej varrimi i veprimtarit Kadri Kusari.

Vëllau i vogël i Hyda Dobrunës, Myslim Dobruna, që kishte krijuar raporte të jashtëzakonshme miqësore me Kadri Kusarin dhe shpesh kishte ndenjur  dhe biseduar me te,  duke i përjetuar shumë rëndë reprezaljet e komitetit të Gjakovës mbi popullësinë dhe burgosjet masive të tyre,  kishte vendosur që të hakmerrej kundër atyre njerëzve të Komitetit dhe shkon para zyreve të komitetit dhe pasi e then një dritare të asaj zyreje, e gjuan një koktej mollotovi për t’ia vënë zjarrin komitetit. Por ai shpejt identifikohet prej agjentëve të UDB-s dhe burgoset. Me një procedure të shpejtë Myslim Dobrunën e denojnë me 14 vjetë burg për “terrorizëm.”

Ndonëse nga ajo kohë kanë kaluar  30 vite, dramaticitetin e atyre ngjarjave, populli i mban mirë në mend.