KB Vëllaznimi pas një kohe të gjatë mbush Pallatin e Sporteve përgatitet për superligë
Një atmosferë impozante që ka munguar për disa vite në Gjakovë është rikthyer të premten në mbrëmje. Me një spektakël të vërtetë sportive, KB Vëllaznimi ka shënuar fitore ndaj Prishtinës së Re me rezultat 89:72 (20:12, 27:22, 18:18, 24:20) në finalen e parë të “Play-off”-it në Ligën e Parë të meshkujve, ndërsa finalja e dytë zhvillohet në kryeqytet të hënën mbrëma. Skuadra që shënon dy fitore inkuadrohet në Superligë, ndërsa finalistja do të luajë me vendin e shtatë të “Play-off”-it për një vend në elitë edicionin e ardhshëm.
Kuqezinjtë e filluan mirë ndeshjen, duke pasur epërsi konstante në çerekun e parë, që e fituan 20:12. Skuadra nga Gjakova vazhdoi me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke ngritur epërsinë, kurse shkuan në pushim me rezultat 47:34.
Në periodën e tretë rikthehen prishtinasit, që ngushtojnë shifrat në 47:44, megjithatë, vendasit nuk lëshuan pe dhe sërish u shkëputën, ku shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 65:52. Në dhjetë minutat e fundit, kryeqytetasit u munduan të bëjnë rikthimin e madh, por këtë nuk e lejoi Vëllaznimi, që nuk ka asnjë humbje në Ligën e Parë, duke fituar ndeshjen e parë 89:72.
Te Vëllaznimi u dallua Besnik Azemi me 25 pikë e 13 kërcime.