Pasi Klinika Infektive është stërmbushur me pacient me Covid 19, tash qendrat rajonale spitalore kanë hapur repartet infektive për të pranuar dhe shëruar pacientët me virusin Covid 19. Në spitalin e përgjithshëm në Gjakovë kanë tërhequr vërejtjen se, rastet me Covid-19 vetëm po shtohen dhe se Komuna e Gjakovës ka raste të shtuara këto ditë.
Hilmi Shala, u.d i drejtorit të Spitalit Isa Grezda, tha se rastet filluan të rriten me lehtësimin e masave kufizues dhe lëvizjes së shtuar të qytetarëve. Sipas tij, në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, respektivisht në Repartin e Infektives janë të hospitalizuar 7 raste me Covid -19 pozitiv për të cilët po përkujdesen mjekët dhe 3 raste pritet sot të testohen.
“Askush nuk është imun ndaj këtij virusi andaj ndihmojeni veten, familjet tuaja, ndihmoni personelin shëndetësorë, duke i respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar dhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka apeluar drejtori Shala.
Sipas tij, dy mjek dhe një punëtor administrate të Spitalit, janë diagnostifikuar me Covid 19. Njëri nga mjekët po shërohet në Infektivë në Gjakovë dhe tjetri në shtëpi.
“Virusi nuk është lojë, siç po thonë disa. Le të shohin pacientët në Infektiven tonë dhe të binden se sa serioze është gjendja. Nuk bënë të luhet me masat. Kanë filluar disa me veset e përparme, përshëndetjet dorë më dorë, grumbullimet në vendet publike pa maska, e tj. dhe kjo nuk ka dyshim se na rrezikon të gjithëve”, ka thënë Shala i cili shpreh brengosjen, se nëse me këtë ritëm vazhdojnë rastet e reja, Infektiva e Spitalit, nuk do të ketë kapacitete për shërimin e tyre.
Në komunën e Gjakovës deri më sot janë të diagnostifikuar 49 raste, me një rast vdekje.