Tuesday, April 2, 2024
Fejtone

Kjo është Gjakova

Agim GjakovaAgim Gjakova për librin Kjo është Gjakova

QENËSIA E FORMUAR DHE E RUAJTUR ME VETËMOHIM 

“Kjo është Gjakova” është një vepër monumentale me përmasa enciklopedike që përfshin tërësinë e marrëdhënieve dhe kahet e zhvillimit që prej kur është njohur si vendbanim e deri në ditët e sotme. Shqyrtimi i saj kërkon një analizë të gjithanshme se edhe vetë përmbajtja është e tillë, por në këtë tubim, që është e karakterit njohës dhe përurues, do të ndalem në disa vlera që e karakterizojnë veprën në të gjitha parashtrimet e saj.

Në vepër, jo aq voluminoze, por e madhe nga rrahu i shtjellimit të, pothuajse tërësisë së marrëdhënieve gjeografike, historike, ekonomike, kulturore, fetare, profesionale etj. . Mund të thuhet se nuk ka lënë qoshe të qytetit pa e pasur parasysh, pa e hulumtuar, pa e studiuar dhe pa dhënë të gjitha ato që kanë cilësuar këtë qytet ai pararojë historike, politike, kulturore etj. në trevat shqiptare. Paanësia e shtjellimit shkencor e çon këtë vepër në piedestalin e veprave më të mira të tilla në botën shqiptare. Është njohja me tërë gamën e ekzistencës dhe ecjes së këtij qyteti, pa e harrua rrethinën, e cila ka gravituar këtu, jo vetëm rreth e përqark zonës, por edhe më tej deri në krahina e qytete të tjera.

Vlerat informative.

Parashtrimi i shumësisë së të dhënave, të qëmtuara me mund e kujdes, me një skrupulozitet të duhur (vëreni paraqitjen  e hollësishme klimaterike të rajonit, me të gjitha të dhënat sinkronike dhe diakronike) dhe thellësisht shkencor, me përzgjedhje të faktorëve të rëndësishëm, e karakterizon veprën me të gjitha cilësitë që kërkon metodologjia shkencore. Të dhënat janë krahasuar edhe me mjaft informacione të trevave të tjera, që e përshkojnë këtë vepër me sigurinë, jo thjeshtë të autorit, por të argumentit që është i pakundërshtueshëm. Nga vetë të dhënat del se qyteti i Gjakovës ka ato veçori që kanë edhe qytete të tjera të rëndësishme shqiptare, si Shkodra, Shkupi etj. Por qyteti i Gjakovës ka pasur dhe ka veçori edhe të veçanta, do të thosha autentike gjakovare, çka dëshmojnë se kjo popullsi ka pasur një zhvillim sui generis…, si të thuash unike. Po e them unike, apo ë veçantë, sepse ka ato që nuk kanë qytetet e tjera, si p. sh. orkestra dhe muzika (ahengu) dhe atë mjedis shoqëror-familjar me disa tipare origjinale të qytetit.

Puna e palodhshme për të qëmtuar në çdo qoshe e skutë të së kaluarës, të jetës materiale, të veçorive, nganjëherë edhe të trilleve, qytetare, të ndryshimeve që kanë ndodhur dhe që qytetarët e mjedisi kanë pësuar nga jeta e vështirë nën sundimin (pushtimin), së pari nga perandoria osmane e më vonë edhe nga ajo sllave, është një përpjekje prej Sizifi, por edhe arritje prej Herkuli. Dhe tërë ky informacion, i bazuar, i dhënë shkoqitshim, përbën, jo vetëm një gur në parashtrimin e tërësisë së zhvillimit të Gjakovës, jo vetëm një gur në tërësinë e kulturës kombëtare shqiptare, por edhe një bazë studimore për ata që duan të merren me subjektet e ndryshme të Kosovës.

Parashtrimi kohor i zhvillimit të qytetit.

Që nga elementet e qytetarisë, kupto i banorëve të parë si vendbanim në këtë truall, si shtrojë për zhvillimin e qytetit më vonë,  vepra trajton kohën në mënyrë dialektike, duke mos e ngurtësuar as kur ishte pushtimi osman, e më vonë edhe ai më i egër sllav. Koha rrjedh me tiparet e ndryshimeve që pëson mjedisi, shoqëria, ekonomia, kultura, arsimi e fusha të tjera. Vepra nuk e copëton, nuk e ndanë me atë rutinën e zakonshme që kemi lexuar nëpër vepra të ndryshme, duke përcaktuar periudhat sipas disa klauzolave parafabrikate, por duke dhënë edhe grimcat e ndryshimeve që kanë pasur ndikim dhe që kanë luajtur rol në ecjen përpara, në krijimin  një stadi më të zhvilluar, më të përparuar. Vepra nuk e krijon kohën me rrjedhën e të dhënave ekzistuese të qytetit, por tregon se si ka qenë ajo në periudha të ndryshme. Dhe më lejoni ta quaj një maksimë: Kohën e krijojnë vetë qytetarët, vetë njerëzit e saj me të gjithë veprimtarinë jetësore të kaheve, fushave e ndryshimeve që ka diktuar ekzistenca për të ruajtur qenien e përkatësinë.

 

Parashtrimet e qenësisë.

Është lehtë të thuash jam shqiptar, të rrahësh gjoks si atdhetar… Karakteristikat fizike somatike të një populli përbëjnë bazën e qenësisë, të cilën, për ta ruajtur duhet ta ngërthejnë tiparet e cilësitë mendore e morale. Të gjitha këto në vazhdë të kohës ndërthuren me zhvillimin e ngjarjeve të ndryshme, me përplasjet e me mundimet deri në luftë për ekzistencën e kësaj qenësia dhe kjo është historia. Në vepër janë paraqitur me penel të mjaftueshëm gjithë këto që thamë që përbëjnë historinë, pasi vepra nuk ka pasur parasysh që të shtjellojë thjeshtë zhvillimin historik në hollësi, por të tregojë se si ka qenë historia e këtij populli në këtë qytet dhe sa është përpjekur ai të ruaj këtë qenësi, duke formuar edhe tiparet shoqërore që e kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës. Edhe një djep druri ka domethënien e vet se si është skalitur, se si është punuar me dorë e të tjera, sepse tregon se qenësia i ka rrënjët në ruajtjen e gjithë asaj që është formuar dhe në zhvillimin e saj cilësor e pozitiv.

Natyrisht se ka pasur edhe tendenca prapambetëse, ca të ndërfutura nga pushtuesi, e ca nga pengesa e shkaktuar nga injoranca, por që kjo popullsi ka ditur t’i kapërcejë më së miri në elementin e saj të përgjithshëm.

 Veçoritë superstrukturore dhe identiteti

Mund të thuhet se Gjakova është i pari qytet në Kosovë që jetën kulturore e ka ndërtuar mbi një bazë tërësisht kombëtare. Ndikimet e huaja, kryesisht ai turk, kanë qenë të pakta dhe të papërfillshme, sepse edhe ato janë natyralizuar me mjedisin, me mendësinë, me rrjedhjen e tendencës së ruajtjes së identittit, për të cilën u fol më sipër. Të krijosh një kulturë tënden, ani pse ndikimet e huaja kanë pjesën e tyre, tregon se je i mëvetësishëm shpirtërisht edhe nën pushtim. Moslënia në harresë, me emra e mbiemra, tërë muzikantët e këngëtarët, përshkrimi i veprimtarisë tyre në vepër nuk është bërë thjeshtë si informacion, as për të treguar se, ja kemi edhe këto, por me pikësynimin e parashtrimit të së vërtetës se pushteti ka një superstrukturë, por qyteti ka atë të veten, si kalërim nëpër vite, se nuk mposhtet, se do të dalë faqebardhën një ditë dhe se unë këndoj për trimërim të sotëm të brezit aktual, por edhe për perspektivën e mbijetesës së përkatësisë kombëtare.

Në vepër nuk ka mburrje, por dëshmi të paanshme, pa lakime, pa spërdredhje. Shpirti qytetar kërkon dijen. Për këtë përgjigjen qytetarët. Zemra qytetare kërkon fisnikërinë, bujarinë, humanizmin. Për këtë përgjigjen qytetarët. Madje nga tërë materiali superstrukturor në vepër mund të përfundohet edhe mendimi se duhet qortuar brezi dhe jeta sotme, kur nuk ka më një pushtim shtrëngues e masakrues, por ka shpërqendrim dhe nuanca të shkapërderdhjes së qenësisë fizike e morale. Vepra thotë: “Zonja e zotërinj, të tillë kemi qenë në kohë shumë të vështira. A do të jemi edhe sot e në të ardhmen të tillë, madje edhe më të mirë?”

Në Berlin, në universitetin Humboldt kam parë një përmendore tejet interesante. Librat, të shkruar anash me emrat e njerëzve më të famshëm të Gjermanisë si Hegel, Kante, Gëte, Shiler, etj, pesëmbëdhjetë të tillë, ishin vendosur një mbi një mbi një mbi një piedestal fare të thjeshtë dhe në piedestal shkruhej “Idetë gjermane” e asgjë më shumë. Nesimi me siguri nuk e ka parë këtë, por dashuria për vendin e vet, për mjedisin, për njerëzit që e rrethojnë  vetvetiu e ka shtyrë në hullinë që të nxjerrë në pah e të sanksionojë se edhe ky qytet ka idetë e veta, ka shpirtin e tij të formësuar me të gjitha travajat, por të panënshtruar dhe të pamposhtur. Pra ta vendosë mbi piedestalin tërëkohor qenësinë e gjakovarit.

Duke lexuar këtë vepër si redaktor, por edhe si lexues, mendoja me vete se ku paskam qenë unë, që as çerekun e këtyre gjërave nuk i kam ditur, që paskam pasur një mbështetje shumë të fuqishme të mburrem edhe në mjediset më të sofistikuara botërore se jam unë,  pinjoll i këtij qyteti, që ka mishëruar thelbin qytetar, shpirtëror, perspektivën njerëzore.

Faleminderit Nesim Vala.